Juve – Napoli 1-0/ Vlerësimi pas ndeshjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2016 | 18:30

Juve – Napoli 1-0/ Vlerësimi pas ndeshjes

JUVENTUS

BUFON 6- Bën një pritje që tregon edhe një herë reflekset e jashtëzakonshme që ka ky portier, edhe pse loja ishte ndalur.

hysaj pogba

LIHSHTAJNER 6- Blindon krahun e djathtë pa krijuar shumë rrezik dhe nuk e lejon për asnjë moment Ghulam të marrë krahun. Për t’u theksuar vonesa ndaj një aksioni të rrezikshëm të Insinjes.

BARZALJI 7- Del në ringun e peshave të rënda dhe e bën Higuainin të duket shumë i vogël. Monumental.

BONUÇI 6,5- Dëmtohet nga Khedira, por kjo nuk e pengon për të bërë ndërhyrjen e mrekullueshme ndaj Higuain. Pjesa tjetër është dhimbje gjuri, por edhe saktësi.

Zëvendësohet nga Rugani 6- Luan përkrah mësuesit të tij dhe sigurisht që ka ende për të mësuar.

EVRA 6,5- Nga të gjithë mbrojtësit e hedhur në fushë ishte i vetmi që hidhej edhe në sulm. Të tjerët u kujdesën më shumë për mbrojtjen, por Evra hesht edhe “gojëligët” që donin Aleks Sandron titullar.

KUADRADO 6,5- Godet i pari drejt portës së Napolit, por nuk vë në rrezik Reinan. Mbron, sulmon, driblon dhe punon shumë në krahun e djathtë. Duket i rilindur.

KHEDIRA 7- Rikuperohet në kohë rekord dhe Alegri e zbret në fushë dhe e kuptojmë shumë shpejt pse kjo zgjedhje. Gjermani mbyll çdo hapësirë dhe i jep mundësi Juventusit të nisë me shpejtësi aksionet.

MARKIZIO 6- I pasaktë në disa momente të pjesës së parë, por bën edhe një ndërhyrje shumë të ashpër ndaj Mertens.

POGBA 6,5- Surprizon Reinan me një goditje të rrezikshme në pjesën e parë dhe vallëzon me topin shpeshherë. Hysaj e ka të vështirë të ndalë dhe francezi konfirmohet protagonist në fitoren e Juves.

MORATA 5,5- Gjërat e mira i bën me shpinë nga porta kundërshtare dhe nuk e sheh asnjëherë atë. Vuan shumë presionin e madh të Napolit, por punon shumë për skuadrën.

ZAZA 7- I ulur në rreshtin e parë të barrikadës, e lexon mjaft mirë manualin e “ushtarit të mirë”. Më pas del në fush- ën e betejës dhe me snajperin e tij “vret” Napolin. Njeriu i ndeshjes, lojtari i 12-të më i mirë i kampionatit italian.

TRAJNERI, ALEGRI 7- Lideri i një ushtrie që po funksionon në mënyrë të përkryer. Ndjeu zhurmën e armikut dhe e goditi atëherë kur duhej. Ai është udhëheqësi i këtij Juventusi.

NAPOLI

REINA 6- Kuadrado i bën pis dorezat, por Albiol e befason në fundin e ndeshjes. Tani e pret një sfidë e madhe përpara, për të ngritur sërish këtë skuadër.

HYSAJ 5- Ka shumë dëshirë, por “Juventus Stadium” i bën të dridhen këmbët dhe me kalimin e minutave Pogba e vë shumë në vështirësi. Nuk mjaftojnë aksionet në sulm dhe krosimi i rrezikshëm për Higuainin.

ALBIOL 6- Shumë i saktë ndaj Moratës dhe i guximshëm në ndërhyrje. I pafat në devijimin që i bën topit të Zazës duke “tradhtuar” portierin e tij.

KULIBALI 6- Trondit Juventusin me një parakalim nga mbrojtja në sulm duke pasur topin në këmbë, por është një mbrojtës dhe nuk mund t’i kërkosh më shumë. Në repartin e tij bën mirë detyrat.

GHULAM 5,5- Vuan shumë dyshen Lihshtajner-Kuadrado dhe nuk merr asnjëherë guximin të dalë përpara.

ALAN 6,5- I jashtëzakonshëm. Dublon gjithmonë shokun e skuadrës, vrapon dhe lufton shumë në mesfushë. Me gjithë këtë punë, i mungon pasimi final për repartin e sulmit.

ZHORZHINJO 6- Shumë pak konkret, por pa faj të madh. Vuan presionin konstant të mesfushës së Juves dhe Khedira nuk i lë shanse të ndërtojë.

HAMSHIK 5- I mungoi shumë Napolit. Goditja në portë në fundin e ndeshjes nuk e shpëton nga paraqitja e dobët që bëri. Nuk arriti të vertikalizonte asnjëherë.

KAJEHON 6- I ndëshkuari i parë në një ndeshje shumë korrekte. Praktikisht një mbrojtës, që nuk ka shumë faj në këtë rezultat. Vrapon pa fund, por Juventusi mbrohet mirë dhe nuk i lë hapësira.

INSINJE 5,5- Ndez “motorët” në fillim të pjesës së dytë dhe “turbullon” Lihshtajnerin bashkë me Kuadradon, por nuk shërbeu për asgjë. Është i shpejtë, por nuk ishte aspak konkret. E zëvendëson

Mertens 6- Futet shumë vonë në fushë për të bërë diferencën, por tregon se është më mirë se Insinje. E mbron mirë topin dhe ka më shumë zgjuarsi.

HIGUAIN 5,5- Bëni kujdes! Vjen në këtë ndeshje me 24 gola të shënuar, por Barzalji e “ha të gjallë” për 90 minuta. Bonuçi i mohoi një tjetër gol. Argjentinasit nuk iu la asnjë shans për të treguar instinktin e tij vrasës.

TRAJNERI, SARRI 6- E kishte thënë se skuadra e tij duhet të luante ashtu siç dinte. Çështje profesioni dhe idealesh… Mëkat për zëvendësimet që bëri sepse nuk i vlejtën për asgjë. Skuadra e tij nuk ka një lojtar të 12-të.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"