Kapllani: Shpresat për Kombëtaren më janë venitur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2016 | 11:24

Kapllani: Shpresat për Kombëtaren më janë venitur

Sulmuesi shqiptar i FSV Frankfurtit, Edmond Kapllani, e pranon se i ka humbur shpresat për një rikthim në Kombëtare. kapllani 1Dje, në një bashkëbisedim në rrjetin social “Facebook” me tifozët e klubit gjerman, durrsaku theksoi se dëshira e tij ishte e madhe për të qenë pjesë e Shqipërisë në Europian, por Kapllani thekson se tashmë mund të ndjekë shokët vetëm si tifoz. Sulmuesi iu përgjigj pyetjeve të ndryshme, veçanërisht atyre që kishin të bënin me Shqipërinë, por edhe trajnerin Xhani De Biazi.

“Marrëdhënia ime me trajnerin e Shqipërisë ka qenë e mirë. Megjithatë, fatkeqësisht në vitet e fundit nuk kam luajtur mjaftueshëm me Kombëtaren. Kjo vjen edhe për faktin se nuk kam luajtur rregullisht edhe në klubin tim. Natyrisht çdo trajner ka idetë e tij, por unë e pranoj se tashmë shpresat për të qenë pjesë e Kombëtares në Europian janë venitur. Kam pasur shpresa se mund të grumbullohesha, por tashmë patjetër që do të jem si tifoz kuqezi.

Nuk ka asnjë dyshim që do të shkoj të ndjek Kombëtaren në Francë, të paktën për një ndeshje, duke mbështetur shokët e mi”, – ka thënë Kapllani, i cili me fanellën kuqezi ka luajtur 41 ndeshje dhe ka shënuar 6 gola. I pyetur nga tifozët për të ardhmen, sulmuesi dha këtë përgjigje:

“Nuk e di, por do të flas me drejtuesit në verë”. Nostalgjia për Partizanin – Kapllani nuk e harron Partizanin, klubin ku u afirmua në kampionatin shqiptar. Sulmuesi durrsak, i pyetur nga një tifoz turk, nëse kishte më shumë qejf Gallatasarajin apo Fenerbahçen, dha këtë përgjigje në formë batute: “Unë më shumë pëlqej Partizanin e Tiranës”.

Megjithatë, sulmuesi 33-vjeçar nuk e mendon mbylljen e karrierës në kampionatin shqiptar. “Rikthimi në Shqipëri? Nuk e imagjinoj dot të kthehem sërish”. Me të kuqtë e kryeqytetit Kapllani luajti 33 ndeshje dhe shënoi 6 gola, ndërsa u aktivizua edhe te Besa e Kavajës. Më pas, në vitin 2004 durrsaku firmosi kontratë për klubin gjerman, Karlsruhe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"