Korçarët të pafat, Kukësi merr një pikë me penallti, veriorët asnjë gjuajtje në portë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2015 | 17:57

Korçarët të pafat, Kukësi merr një pikë me penallti, veriorët asnjë gjuajtje në portë

skenderbeu

Dy gola, dy shtylla, spektakël në fushë dhe në tribuna, por edhe polemika në fund për një penallti. Kryendeshja e javës së 23-të mes Skënderbeut kampion në fuqi dhe Kukësit nënkampion i pati të gjitha, por në fund nuk prodhoi një fitues.

Korçarët kanë qenë të pafat, teksa deri në minutën e 93-të kanë udhëhequr 1-0, falë golit të kosovarit Leonit Abazi. Megjithatë, penalltia e shndërruar në gol nga mesfushori Hair Zeqiri i dha Kukësit një pikë të artë në duelin e titullit.

Pas hapit fals të Tiranës, tashmë skuadra e Artim Shaqirit është e vetme në krye të renditjes me një pikë më shumë se bardheblutë dhe tri më shumë se rivali tjetër, Skënderbeu. Barazimi 1-1 kënaqi më shumë veriorët dhe la të zhgënjyer bardhekuqtë e Mirel Josës, që për nga mënyra e lojës dhe dominimi thuajse në çdo aspekt, meritonin fitoren.

Taktika

Që nga rreshtimi i skuadrave dukej qartë se Skënderbeu do të ishte më sulmues. Kjo u tregua që në minutat e para, teksa Kukësi ishte në pozita pritjeje. Ndoshta ishte një taktikë e Shaqirit, por që gjithsesi nuk funksionoi më së miri. Me skemën klasike 4-4-2, Josa i kishte besuar Nimagës rolin e kapitenit Shkëmbi, që mungonte për shkak kartonësh. Lojtari nga Mali rezultoi një zgjedhje e përsosur, pasi ishte ndër më të mirët në fushë. Nga krahët Berisha dhe Progni ishin shumë më afër sulmit, që përbëhej nga dyshja Stojkov-Martins.

Te Kukësi varianti taktik ishte 4-1-4-1, me Shametin si digë përpara mbrojtjes dhe Zeqirin në rolin e një organizatori. Ky i fundit, bashkë me Lushtakun kishin detyrë të shërbenin te Pejiç dhe të tentonin goditjet nga distanca. Krahët e mesfushës, Shaqiri ia kishte besuar Micit dhe Hysajt, por të dy nuk u ngritën në nivelin e kërkuar, pasi e patën të vështirë me dyshet Vangjeli-Progni dhe Arapi-Berisha. Pejiç në majën e sulmit ishte shumë i shkëputur, por që gjithsesi në kundërsulmet e Kukësit ndodhej në vendin dhe kohën e duhur për të ndëshkuar Skënderbeun. P

ër nga mënyra e lojës, fitoi guximi i Josës për të luajtur në sulm, por ndëshkimi erdhi atëherë kur nuk pritej, edhe pse Kukësi nuk e goditi portën e Shehit asnjëherë për 90 minuta. Ligji i pashkruar i futbollit: “Po nuk shënove, do të pësosh”, u vendos në zbatim pas atij rasti të humbur nga Alikaj në kohën shtesë dhe në aksionin e radhës Kukësi fitoi penallti.

Pjesa e parë

Loja nis me një Skënderbe sulmues, që kërkon të diktojë që në minutat e para. Berisha dhe Progni nga krahët bëjnë gjithçka, teksa Smajli e Hallaçi kanë shumë punë. Kosovari bëhet protagonist në disa raste, ndërsa edhe mesfushori Lilaj tenton të gjejë në befasi Halilin me goditjet nga distanca. Kur nuk kishin kaluar 13 minuta lojë, Josës i prishen planet, pasi Osmani i dëmtuar e ka të pamundur të vazhdojë. Mbrojtësin e zëvendëson Abazi dhe qendra e prapavijës ribëhet me Radasin e Arapin. Për të parë daljen e parë të Kukësit në sulm u deshën 23 minuta, kur mbrojtësi Dushku për pak sa shënoi. Korçarët dominojnë në lojë, por humbasin shumë raste dhe janë të pafat. Progni lëshon një predhë dhe topi përplaset në shtyllë, në një kohë që në momentet e tjera është Halili heroi i Kukësit. Sidoqoftë, Lushtaku ka mundësinë më të mirë për të ndëshkuar Skënderbeun, por përballë Shehit nuk shënjestron si duhet pas një kundërsulmi perfekt të Kukësit. Gjithçka për këtë pjesë mbyllet me rrjeta të paprekura.

Pjesa e dytë

Takimi rinis me ndryshime te Kukësi, pasi Shaqiri aktivizon brazilianin Pit, duke larguar Lushtakun. Mici, nga krahu i majtë i mesfushës spostohet më në qendër, në mbështetje të Zeqirit. Skënderbeu është po i njëjti si në formacion, ashtu edhe në lojë. Start thuajse perfekt dhe pas shtatë minutash vjen goli si rrjedhë logjike e lojës. Progni kombinon bukur me Vangjelin dhe ky i fundit pason tek Abazi, që i ndihmuar edhe nga devijimi i Smajlit kalon në avantazh Skënderbeun. Pas pësimit të golit, Kukësi është sërish në gjumë, por Shaqiri vendos të fusë “kartën” Hoxha, duke nxjerrë Hysën, i cili ishte jashtë forme. Zeqiri lufton si bishë në mesfushë, duke dhënë sinjale pozitive, por vetëm vlonjati nuk mjafton. Kukësi është me shumë fat, pasi korçarët humbasin raste të pastra, ku më vendimtari ishte ai i Alikajt në minutën e dytë shtesë nga katër të akorduara. Pritja e Halilit bën me krahë Kukësin, që në aksionin pasardhës fiton një penallti dhe Zeqiri me golin e tij i jep një pikë të artë ekipit.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"