Kategoria Superiore, Kryesore, Superiore, Kukësi — 19 Prill, 2013 13:07

Gjici e ka me “senatorët”: Dua 12 pikë në katër javët e mbetura

progni te KukesiKukësi e ka lënë në dorë të publikut dhe organeve kompetente gjithë situatën që ndodhi në stadiumin e Laçit dhe tashmë po sheh para me synimin e marrjes së 12 pikëve në katër ndeshjet e mbetura. Ky ka qenë dhe konkluzioni i analizës së djeshme të presidentit Safet Gjici, stafit dhe ekipit. Pa mohuar rrethanat që çuan në eliminimin e Kukësit në rrugën drejt finales së Kupës së Shqipërisë, verilindorët kanë analizuar edhe gabimet e tyre, të cilat e çuan drejt eliminimit nga një ekip që, sipas kuksianëve, është shumë poshtë nivelit të tyre. “Përsëritëm gabimet e kaluara, kur nuk arrijmë të ruajmë rezultatin. Lojtarët me emër dhe të mirëpaguar nuk ishin në formën e tyre më të mirë për të mbajtur mbi shpatulla këtë barrë të rëndë. U desh që goli të vinte nga mbrojtja dhe jo sulmi apo mesfusha. Lojtarët janë me përvojë, por nuk ditën ta administronin barazimin që na çonte në finale”, – ka vërejtur presidenti i klubit kuksian, duke thumbuar drejtpërdrejt “senatorët” e Kukësit.
Presidenti - Megjithatë, Gjici nuk e ka bërë tragjike këtë humbje paçka se, nëse nuk do ndodhte, Kukësi sot do ishte në finalen e kupës. Presidenti dëshiron ta hedhë pas krahëve këtë takim me idenë që skuadra të përqendrohet te kampionati. “Kemi përpara katër sfidat e fundit në kampionat dhe dua që të katërta të jenë fitore. Duhet të marrim 12 pikë, duke ruajtur vendin e dytë në tabelën e klasifikimit dhe duke kapur Kupat e Europës. Përndryshe do ketë penalitete dhe masa ndëshkuese. Ne nuk bëjmë llogari se kush ikën e kush vjen, por bëjmë aritmetikën e thjeshtë të katër fitoreve që duhen marrë deri në fund”, – ka thënë presidenti Safet Gjici.
Trajneri - Nga ana tjetër, edhe trajneri Armando Cungu ka pranuar faktin se ekipi duhej ta administronte barazimin deri në fund, pavarësisht ngjarjeve dhe situatave që po ndodhnin në stadium. “Kemi përpara katër javë shumë të rëndësishme, që me katër fitore ne justifikojmë shpenzimet e bëra dhe besimin e dhënë nga donatorët dhe presidenti. Kemi pasur një kalendar shumë të ngjeshur dhe përballje të forta. Nuk do lëmë të na shkojë sezoni dëm, prandaj kthesa duhet që në ndeshjen e radhës me Besën në Kavajë, ku ne do shkojmë për tri pikë”, – pohoi Cungu.

Zotohet Hallaçi: E kapim Europën
Edhe vetë lojtarët, nga ana e tyre, pranuan se duhet të ishin treguar më të vendosur në 10 minutat e fundit, të cilat rezultuan fatale për Kukësin. Kapiteni Rraman Hallaçi tha se ky eliminim duhet kompensuar menjëherë me fitore në Kavajë: “Ne ia kemi borxh presidentit Safet Gjici dhe tifozerisë kuksiane për mbështetjen që na kanë dhënë që të jemi pjesëmarrës në Kupat e Europës. Tashmë kemi një front, atë të Superiores, për çka do vëmë gjithë mundësitë dhe kapacitet tona për të arritur objektivin”.
JONUZ HALLAÇI

Te lidhura me artikullin:

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Sport Online. Moderatori

2 Komente

  • shprehja se ; kukesi u eliminua nga nje ekip shume poshte nivelit te tyre ,kam pershtypjen eshte perdorur si strategji per te mos ndikuar ne ecurine e metejshme te skuadres….

  • Kuksi do te ece perpara me plot bindje, verilindoret jane te pathyeshem

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *