Besa, Kategoria Superiore, Kryesore, Superiore — 8 Qershor, 2012 10:39

Bizhdili konfirmon 3 largime nga Besa e Superiores

Te Besa, në pamje të parë, duket sikur kanë rënë në “gjumë” dhe askush nuk po punon sa i përket të ardhmes së skuadrës. Por jo, është krejt e kundërta, takimet e numrit një të presidencës, Nexhat Bizhdili, duket se vijojnë “nën rrogoz” larg syrit të medias. Një fakt të tillë, presidenti u detyrua ta pranojë, pas pyetjes se: çfarë po bëhet te Besa në lidhje me merkaton? “Mendoni se unë po fle gjumë? Në asnjë mënyrë. Ka ditë që kam nisur kontaktet me lojtarë të ndryshëm. Janë futbollistë pa shumë emër, por shumë me dëshirë për lojë. Mund të them se do të ketë shumë ndryshime nga grupi i sezonit të kaluar, kryesisht në ata që ju i quani shpesh titullarë. Disa prej tyre kanë dëshmuar vetëm emrin e CV-në dhe asgjë në fushë”, – ishte përgjigjja e presidentit. Por, pavarësisht ngacmimit tonë për t’i vjedhur ndonjë emër nga këto kontakte, presidenti u tregua i ngurtë, ndërsa ajo që mësuam kishte të bënte me mosqenien në planet e Besës së re të Ziambos, Dragushës dhe portierit maqedonas Mancevski. Sa për emrat e lakuar nën zë, si portieri Halili, apo të tjerë, Bizhdili saktësoi se vetëm rreth datës 15 qershor do të mësojmë emrat e parë të merkatos: “Nuk dua të nxitohem. Kjo, sepse sot për sot mjaft lojtarë kërkojnë kontrata milionëshe, sikur të ishin Rronaldo e Mesi dhe në fushë dëshmojnë se nuk meritojnë as formacionin. Prandaj prisni, sepse pas datës 15 qershor do t’ua jap një e nga një emrat që do të plotësojnë grupin për sezonin e ri”.
Feriz Ferizaj

Te lidhura me artikullin:

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *