Kategoria Superiore, Kryesore, Superiore, Luftëtari — 13 Shtator, 2012 14:25

Dede: Më e lehtë me tifozë ndaj Vllaznisë

Për trajnerin Nevil Dede Luftëtari i ka të gjitha mundësitë për të marrë rezultat edhe në Shkodër. Gjatë një bisede për “Panorama Sport”, tekniku tiranas, mes të tjerash, i mëshon faktit se të dielën ndaj Vllaznisë bluzinjtë i pret një sfidë e vështirë, por jo e pamundur për t’u kapërcyer me sukses. “Java që shkoi ishte intensive, gjatë të cilës përkushtimi ishte maksimal. Sakaq, ndeshja miqësore me PAS Janinën pati anët pozitive dhe negative, pasi mendoj se ishte në funksion të ndeshjes së radhës me Vllazninë. Ditët e lëna pas nuk kanë folur për ne, pasi të jemi realistë kemi pasur dy dëmtime serioze, ato të Bocit dhe Raboshtës. Rikuperimi në kohë i këtyre dy lojtarëve të rëndësishëm për formacionin tonë do të jetë dhe synimi ynë si staf teknik”, – u shpreh fillimisht Dede. Fakti që ndeshja e së dielës do të luhet pa tifozë nuk përbën ndonjë avantazh për Deden. Madje, ai thekon se do të ishte pozitive prania e spektatorëve në shkallët e stadiumit. “Vendësit do të mbajnë mbi supe presionin e mungesës së tifozëve që, sipas mendimit tim, është një thikë me dy presa. Pozitive për ekipin tonë është dhe fakti se tifozët shkodranë përkrahin dhe kundërshtarin kur ai luan mirë. Personalisht do të kisha dëshirë që kjo ndeshje të luhej me tifozë. Jemi një ekip me personalitet, ndërsa një numër i madh tifozësh do të na karikonte më tepër për të synuar një tjetër rezultat pozitiv. Përballë kemi një sfidë shumë të vështirë, në të cilën kundërshtari kërkon fitore. Kjo është shumë pozitive për ne, pasi do mundohemi ta godasim kundërshtarin në pikat më të forta. Nisur nga vlerat, të dy ekipet i shoh të barabartë, por jo të tillë në investime. Megjithatë, ne jemi skuadër serioze, ku si klubi dhe lojtarët punojnë në mënyrë serioze dhe sistematike”, – ka përfunduar Dede.

KATËR SHKODRANË KUNDËR “SHTËPISË”
Ndeshja me Vllazninë rezervon një sfidë mes shkodranëve, teksa katër bluzinjtë e Dedes (Selimaj, Boci, Raboshta, Ramadani), produkt i shkollës së Vllaznisë, do të mbrojnë fanellën e gjirokastritëve për të dytin sezon radhazi. Lidhur me performancën e pritshme të katër shkodranëve, Dede do të theksonte: “Është e vërtetë që në radhët tona janë katër lojtarë me potencial. Është e vërtetë që kanë ndërruar fanellë, por ata e duan Shkodrën, ndërsa mbi të gjitha ata respektojnë vetveten, profesionin e tyre”.
Tomorr Shehu

Te lidhura me artikullin:

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *