Kielini injoron Tevezin: Dibala është më i mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2015 | 11:12

Kielini injoron Tevezin: Dibala është më i mirë

juventus kieliniXhorxhio Kielini nuk e ka humbur besimin, pavarësisht se Juventusi gjendet nëntë pikë larg vendit të parë. Mbrojtësi bardhezi shpreson ende te fitorja e titullit, por fillimisht kërkon përqendrim maksimal në Ligën e Kampionëve. Në një intervistë për “Sky”, numri 3 i “Zonjës” krahason Paolo Dibalën dhe Tevezin duke thënë se kanë të përbashkët vetëm faktin që janë argjentinas dhe zgjodhën të luanin për Juventusin.

Mund të themi se Juventusi beson ende te titulli kampion. Çfarë mendimi keni ju?

Mendoj se në pozitën që kemi, nuk mund të flasin për titullin, por do të shohim hap pas hapi. Kemi rikuperuar disa pozicione në tri ndeshjet e fundit. Më e rëndësishme është që të kemi vazhdimësi deri për Krishtlindje.

Drejtuesit kanë thënë se një ndër tre vendet është objektivi kryesor…

Nuk duhet ta harrojmë këtë fakt. Një nga tre vendet e para është objektivi ynë, por për momentin ne duhet të ngjitemi sa më lart të jetë e mundur. Shpresojmë që edhe disa nga skuadrat që janë sipër nesh në renditje të lënë pikë sepse po bëjnë vërtet një kampionat shumë të bukur.

A është Dibala si Tevez?

Për mendimin tim, janë lojtarë shumë të ndryshëm. Nga mënyra si godasin, nga karakteristikat fizike dhe teknike nuk ngjasojnë. Ata i bashkon vetëm fakti që janë argjentinas dhe kanë zgjedhur të luajnë për Juventusin. Në fakt, Dibala është më shumë teknik sesa Tevez.

Çfarë duhet të bëjë Juventusi për të mposhtur Mançester Sitin?

Duhet të bëjmë një ndeshje të madhe sepse na duhet patjetër të kualifikohemi për në raundin tjetër të Ligës së Kampionëve. Do të më pëlqente që Siti të mos e kishte arritur kualifikimin, sepse tani do të jetë më i qetë dhe më i sigurt. Në rast se do të kishin presion, mundësitë tona do të rriteshin më shumë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"