Kievo e zyrtarizon, Berisha: E pavërtetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 31, 2013 | 13:16

Kievo e zyrtarizon, Berisha: E pavërtetë

BerishaEtrit Berisha është objektivi i mjaft klubeve prestigjioze të Europës, por dje ka qenë skuadra e Kievos ajo që ka komunikuar në adresën zyrtare se ka siguruar shërbimet e portierit shqiptar. “A. C. Kievo Verona njofton se ka transferuar Etrit Berishën, i cili do t’i bashkohet ekipit nga 1 janari 2014. Portieri shqiptar, i lindur në vitin 1989, aktualisht është pjesë e ekipit suedez Kalmar FF, me të cilin ka kontratë deri më 31 dhjetor”, – thuhet në njoftimin e Kievos. Një komunikatë zyrtare që lë shumë pak vend për të menduar se nuk ka diçka konkrete. Por, duket se situata është më e ndërlikuar se kaq dhe ka një lojë “të egër” mes menaxherëve. Vetë Etrit Berisha ka sqaruar gjithçka, duke thënë se ka pasur një akord me Kievon, por që nuk u zyrtarizua. Kësisoj, ai nuk është një lojtar i klubit italian. Madje, është duke studiuar mundësinë për të luajtur me ekipe të tjera dhe se veronezët nuk janë më një alternativë për të. “Nuk është e vërtetë. Nuk kam arritur marrëveshje me Kievon. Kam pasur një marrëveshje, mirëpo ajo nuk shkoi deri në fund”, – ka deklaruar Berisha për “Panorama Sport”. Madje, ai e ka komunikuar një gjë të tillë edhe në profilin personal në “Facebook”, ku ndër të tjera ka shkruar: “Nuk do transferohem te Kievo, por po shikoj alternativa të tjera”. Një nga klubet që ka insistuar më tepër së fundmi ka qenë Lacio, gjithsesi është për t’u sqaruar më qartë këmbëngulja e Kievos për zyrtarizmin e marrëveshjes. Ndërkohë, media suedeze ka përmendur edhe Monakon, duke konfirmuar se zyrtarë të këtij ekipi e kanë ndjekur nga afër në disa ndeshje.
Menaxheri Portieri 23-vjeçar duket se është pre e një situate mjaft të koklavitur. Menaxheri personal i tij, Elver Raça, i cili prej 15 vitesh është licencuar nga FIFA, ka folur për “Spori1.com” duke sqaruar të gjithë situatën: “Është mjaft e komplikuar, për shkak të ndërhyrjes së dy menaxherëve të tjerë, emrat e të cilëve nuk dua t’i bëj të ditur, edhe pse dihet kush janë. Ata i kanë bërë presion Etritit që të hyjë në bisedime me Kievon dhe këtë e kanë bërë pa dijeninë time, madje me probleme të mëdha procedurale”, – tregon Raça. “Marrëveshja mes Kievos dhe Berishës është arritur më 28 qershor, pra ka më shumë se 6 muaj nga përfundimi i kontratës së tij me Kalmarin dhe kjo është e palejueshme nga rregullorja e FIFA-s që të hyjnë në bisedime pa dijeninë e klubit që zotëron kartonin. Së dyti, problemi tjetër qëndron te firmosja e kontratës, ku klientit tim nuk i është dhënë një kopje. Madje, as nuk i është përkthyer në gjuhën e tij. Ka shumë elementë që e bëjnë të pavlefshme, ndaj garantoj se portieri nuk është një lojtar i Kievos dhe nuk ka për të qenë. Klubi italian sot (dje) kërkoi të bisedojë me Kalmarin, por këta të fundit nuk kanë pranuar, pikërisht për çfarë ka ndodhur më parë”, – shtoi menaxheri. Në fund, ai pranoi interesimin e Lacios: “Klubi i Lacios ka pasur kontakte me drejtuesit suedezë dhe ka marrë lejen për të biseduar me futbollistin. Gjithsesi, ka edhe klube të tjera të interesuara. Do shohim se çfarë do ndodhë në të ardhmen”.

Akord zyrtar me Kievon
Etrit Berisha ka firmosur një akord me Kievon, për t’u transferuar tek italianët më 1 janar të vitit 2014, kur edhe i përfundon kontrata me Kalmarin. Por, marrëveshja është firmosur më 28 qershor dhe është e pavlefshme, për shkak se duhet të kryhej në më pak se 6 muaj nga përfundimi i kontratës që ka me skuadrën suedeze, ku edhe aktivizohet aktualisht.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"