“Killerat” e zonës, Eder dhe Baka mundin Mesin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2016 | 10:32

“Killerat” e zonës, Eder dhe Baka mundin Mesin

laneti Milan” ka gjetur më në fund yllin rreth të cilit mund të rrotullohet për të përftuar energji dhe dritë. Për një skuadër që prej vitesh lufton në errësirën e një rithemelimi të vështirë, energjia dhe drita janë golat. Dhe Karlos Baka ka aftësinë të shënojë me një lehtësi të jashtëzakonshme.

baka
Kolumbiani ishte kometa e kuqezinjve në fillimin e sezonit, kur Milani i shkonte nga mbrapa me synimin për të marrë ndonjë pikë, ndonëse loja linte për të dëshiruar. Ndërsa tani ai është kthyer në pikën e referimit për një ekip që është përmirësuar dhe që kërkon një vend në Champions. Baka është një specialist që jeton për të shënuar dhe çdo lëvizje në zonën kundërshtare është një rast i rrezikshëm, ndonëse është edhe i pari që sakrifikohet deri në mbrojtje.

I lindur për golin

Të mërkurën në mbrëmje, në Palermo, Baka u nervozua për “vjedhjen” e bërë sy për sy nga Niangu, pasi ishte kolumbiani që pretendoi ta godiste penalltinë në vend të francezit, një ndjenjë e pastër egoiste që karakterizon sulmuesit… Fundja, Karlos ka lindur për të shënuar dhe profesionin e tij e interpreton në një mënyrë monstruoze.

I lindur në një familje të varfër dhe i detyruar për të ndihmuar ekonominë e shtëpisë së tij (ndonëse ai ka përgënjeshtruar se ka qenë një shitës peshku, por jo atë të të qenët fatorino autobusi), ai gjithsesi nuk hoqi dorë nga shfrytëzimi i talentit që Zoti i kishte dhënë, prandaj edhe sot ai feston në gjunjë dhe me të dyja duart e drejtuara nga qielli.

Familja dhe feja

I shpejtë dhe shpërthyes në fushë, i qetë dhe i rezervuar jashtë saj. Baka ka zgjedhur që të jetojë në një shtëpi në Trexano, sepse atij i pëlqen qetësia e natyrës. Prindërit e tij, Eloisa dhe Gilberto, janë ende në Kolumbi, por me Karlosin janë bashkëshortja e tij, Shajira, dhe fëmijët, Karlos Daniel (6 vjeç) dhe Karla Valentina (3 vjeç, ditëlindje e festuar në ditën e derbit të Milanos, një festë me gol të babait). Të dy fëmijët mbajnë emrin e babait të tyre, sepse kjo ishte një zgjedhje e Karlosit për të nënvizuar rëndësinë që familja ka për të.

Baka u njoh me Shajiran në 2004-n, pasi luante në skuadrën, e cila ishte në pronë- si të xhaxhallarëve të vajzës. Mes shokëve të ekipit ishin edhe kushërinjtë e Shajiras. Çifti, i cili u ambientua mjaft mirë si në Bryzh e Sevije, përpara se të zbarkonin në Milano, është shumë besimtar. Si Karlosi, ashtu sikurse edhe Shajira janë të krishterë evangjelistë, lexojnë shpesh Biblën, por dëgjojnë edhe muzikë fetare. Kur dalin të darkojnë, zgjedhin gjithmonë një restorant peshku, ndërsa mbrëmjeve që kalojnë në shtëpi, i vogli Karlos Daniel sfidon me top në oborr, ose në “PlayStation” babain e tij.

Në gjurmët e Ibrës

Thuhet se Baka ka kapacitetin e Inzagit për t’iu shmangur markimit në zonë, lëvizjet e Krespos dhe goditjen e thatë dhe precize të Shevçenkos e kështu me radhë… Ai po bën të ëndërrojë tifozët e Milanit, siç kanë bërë në të kaluarën bomberat e tjerë të Milanit, si Zlatan Ibrahimoviç, për shembull, i fundit i kuqezinjve që shënonte në 5 ndeshje radhazi. Ibra, mes kampionatit dhe Champions-it, arriti që serinë e tij të golave ta çonte në 7 takime radhazi, ndërsa Baka shpreson që mes Kupës së Italisë dhe kampionatit, ta barazojë këtë rekord të suedezit, në pritje të dy ndeshjeve të radhës, me Udinezen dhe Xhenoan, skuadra që nuk duken aq të vështira për t’u “shpuar”.

Pesha e golave

Pastaj ekziston një tjetër aspekt, aspak dytësor. Sulmuesit janë njësoj si koleksionistët, çdo gol tregon një histori, çdo portë kundërshtare është një sekret për t’u zbuluar. Me roveshatë apo me portën e boshatisur, me finte apo thjesht duke e shtyrë 1 centimetër larg vijës fatale, goli është gjithmonë shumë i bukur për atë që e feston.

Por ndërkohë, klubet duhet të nisin dhe t’i peshojnë, për të zbuluar sesa ndikim ka një lojtar në rezultatet e skuadrës. Dhe Baka është nga ata që ndikon shumë, realisht shumë. Deri tani ka shënuar 12 gola në Serisë A; 8 kur ndeshjet kanë qenë në barazim 0-0, një me rezultatin 1-1 dhe një kur shifrat kanë qenë 2-2, përveçse dy të tjerë “të padobishëm”, duke qenë se Milani ka qenë në avantazh. Por, a mund të jetë i padobishëm goli i minutës së 65-të në një derbi, i cili dërgoi shifrat në 2-0, duke i dhënë garanci skuadrës?! Absolutisht jo, prandaj i vetmi gol “i padobishëm” i kolumbianit mund të quhet ai në “Olimpiko”, kundër Lacios, e cila ndërkohë kishte marrë shuplakat e Bertolaçit dhe Meksesit. Për Bakën, edhe dy gola në Kupën e Italisë, ku rëndësia sërish nuk ndryshon; dyfishim i rezultatit ndaj Sampdorias dhe goli i fitores kundër Karpit që theu baraspeshën e barazimit 0-0.

E pamundur “ta godasësh”

Nga analizimi i të dhënave të Bakës dallohet qartë efikasiteti i pakundërshtueshëm i tij: 12 gola të shënuar në vetëm 24 goditje në portë (vetëm 9 herë nga këto 24 goditje, topi nuk ka qenë brenda kuadratit). Në raportin goditje-gola, Baka me 50 për qind saktësi mposht jo vetëm bomberat në Serinë A (me përjashtim të interistit të sapoardhur, Eder, që e ka 52 përqindjen), si Higuain (43% saktësi), por edhe fenomenët botërorë si Mesi (32%) dhe Ronaldo (35%). Por Baka jo vetëm që di të shënojë, por në të njëjtën kohë është edhe i pakapshëm për mbrojtësit, ku edhe ata më agresivët e kanë të pamundur që ta frenojnë.

Kolumbiani pëson 0.74 faulle për ndeshje (më pak se një faull), dy herë më pak se cilido sulmues tjetër në Europë. Kjo, sepse Baka “bredh” nëpër fushë në kërkim të hapësirave dhe të vetmisë. Në këtë mënyrë, ai del nga radarët e mbrojtësve, por kur rishfaqet, është vdekjeprurës për kundërshtarin. Jo më kot të gjithë golat e tij kanë lindur brenda zonës, shumica e të cilëve mes pikës së penalltisë dhe vijës fatale të portës. Pikërisht aty ku diferencën nuk mund ta stërvitësh, por ajo është një cilësi e brendshme, e quajtur më thjesht talent…

RAPORTI GODITJE-GOLA
NË SERINË A
1. EDER (INTER)
Përqindja realizuese: 52
Gola të shënuar: 12
2. NIKOLA KALINIÇ (FIORENTINA)
Përqindja realizuese: 52
Gola të shënuar: 11
3. KARLOS BAKA (MILAN)
Përqindja realizuese: 50
Gola të shënuar: 12
4. PAULO DIBALA (JUVENTUS)
Përqindja realizuese: 46
Gola të shënuar: 12
5. GONZALO HIGUAIN (NAPOLI)
Përqindja realizuese: 43
Gola të shënuar: 23
NË EUROPË
1. XHEMI VARDI (LEISTËR)
Përqindja realizuese: 47
Gola të shënuar: 18
2. ZLATAN IBRAHIMOVIÇ (PSG)
Përqindja realizuese: 43
Gola të shënuar: 20
3. KRISTIANO RONALDO (REAL M.)
Përqindja realizuese: 35
Gola të shënuar: 19
4. ROBERT LEVANDOVSKI (BAJERN M.)
Përqindja realizuese: 33
Gola të shënuar: 19
5. LIONEL MESI (BARCELONA)
Përqindja realizuese: 32
Gola të shënuar: 12

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"