UKRAINË-SHQIPËRI 3-0
SHQIPËRIA (4-2-3-1): Frashëri, Sallaj, Dita, Premçi, Matoshi, Bajraktari, Dosti, Gashi, Delia, Deliallisi, Bala. U AKTIVIZUAN: Strakosha, Hysenbelliu, Batha, Hasani, F.Hoxha, Fejzullahu, Marku, Tahipi, Shtini, Guri, Merko. Trajner: Skënder Gega
Kombëtarja U-21 e Shqipërisë është mundur me rezultatin 3-0 në miqësoren kundër Ukrainës, e zhvilluar në Austri. Ekipi i drejtuar nga trajneri Skënder Gega ka zhvilluar një lojë dinjitoze, sidomos në pjesën e parë, por prej dy gabimeve në mbrojtje kundërshtari ka arritur të shënojë dy gola, duke iu afruar suksesit. Kuqezinjtë patën mundësinë të ngushtojnë diferencën, kur Fabio Hoxha ishte i vetëm përballë portierit kundërshtar, mirëpo nuk arriti ta dërgojë topin në rrjetë. Ukrainasit shënuan saktësisht në minutat 61, 78 dhe 82, duke vulosur kështu një fitore 3-0, rezultat që në fakt nuk tregon realisht rivalitetin e zhvilluar në fushë. Në 45 minutat e para, Kombëtarja U-21 luajti me skemën 4-2-3-1, me Balën të vetëm në repartin e avancuar, i mbështetur nga pas prej Gashit, Delias dhe Deliallisit. Pjesa e parë përfundoi në barazim pa gola, ndërkohë që në pjesën e dytë trajneri Skënder Gega aktivizoi të gjithë pjesën e mbetur të skuadrës, me futbollistë si Fabio Hoxha, Strakosha, Fatmir Hysenbelliu, Ariel Shtini, Arbnor Fejzullahi, Antonio Marku etj. Edhe pse disa lojtarë shfaqën një rendiment të mirë, kjo nuk mjaftoi që të evitohej humbja.
Skënder Gega Trajneri i përfaqësueses U-21, Skënder Gega, i kontaktuar nga “Panorama Sport ka pranuar se humbja erdhi pas gabimeve fatale në mbrojtje dhe se mund të kishin arritur një rezultat pozitiv ndaj Ukrainës. “Kundërshtari nuk ishte i një niveli shumë më të lartë se ne dhe si rrjedhojë pati një rivalitet të fortë në fushë. Në fakt, fitoren ua dhuruam vetë, sepse ata shënuan dy gola, prej gabimeve tona fatale në mbrojtje. Kjo u dhuroi një avantazh të dyfishtë, por që ne mund të kishim rihapur sërish lojën nëse do shfrytëzonim saktësisht rastet e shkëlqyera që patëm. Nuk mund të them se jam i kënaqur nga të gjithë futbollistët, gjithsesi tani duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës me Maqedoninë, ku duhet të marrim një fitore”, – u shpreh Gega.
Shpresat, ndaj Maqedonisë vetëm për fitore
Shpresat do kërkojnë të realizojnë një fitore tepër sinjifikative në miqësoren e radhës që do zhvillohet në Austri, kundër Maqedonisë. Djemtë e teknikut Gega do kërkojnë një sukses motivues, para dy sfidave të rëndësishme eliminatore. Dueli ndaj maqedonasve më 25 maj, do jetë testi i fundit para ndeshjes kundër Portugalisë më 6 qershor dhe asaj kundër Rusisë më 12 qershor. Kombëtarja U-21 e Shqipërisë do luajë shanset për kualifikimin në këto dy përballje, duke qenë se janë edhe skuadrat që kryesojnë grupin. Ndërkohë, në ndeshjen e fundit, kuqezinjtë do luajnë ndaj Moldavisë, më 6 shtator. Aktualisht, Shqipëria U-21 renditet e parafundit në grup, në kuotën e katër pikëve, pas pesë ndeshjeve të zhvilluara.


Kur arbitrat shqiptarë sillen si pasha