Presidenti i klubit të Palermos, Mauricio Zamparini, edhe dje ka deklaruar për mediat vendëse se beson shumë te Ujkani dhe se ai do të jetë titullari i skuadrës për sezonin e ardhshëm. Megjithatë, ai ka lënë të hapur një spirale se portieri i Kombëtares shqiptare mund të përfundojë edhe te Sampdoria ose te Torino, në rast se merr prej tyre ndonjë ofertë të parezistueshme. “Viviano mund të mbetet te Interi, pasi zikaltrit mund të largojnë Hulio Sezarin gjatë verës. Ne jemi mirë në portë, sepse kemi një futbollist shumë të talentuar si Samir Ujkani. Kemi besim tek ai dhe mendoj se do të jetë titullari i portës për vitin tjetër. Gjithsesi, nëse Interi nuk e mban Vivianon, atëherë ka shumë të ngjarë që Ujkani të përfundojë te Torino ose Sampdoria, pasi ato po na luten për të. Kjo ka pak gjasa të ndodhë, ndaj mendoj se portieri ynë vitin tjetër do të jetë futbollisti shqiptar që prej tri vitesh po shkëlqen”, ka thënë numri një i klubit sicilian. Ndërkaq, media italiane aludon se kjo është një manovër e stërholluar e Zamparinit për t’i rritur vlerën sa më shumë portierit shqiptar, me qëllim që ta shesë atë më pas te Torino. Kujtojmë se pak javë më parë Palermo pagoi rreth 1 milion euro te Novara për gjysmën e kartonit të portierit 23-vjeçar. Ujkani ka thënë se dëshiron të qëndrojë te Palermo, vetëm në rast se do të ketë të sigurt vendin e titullarit.
Elis Bakaj gol, shkëlqen në miqësore
Mesfushori shqiptar i Çernomorets Odesës, Elis Bakaj, ka shkëqlyer në miqësoren kundër skuadrës moldave, Nistru. Ekipi ukrainas ka fituar me rezultatin e thellë 5-0, teksa Bakaj e ka nisur ndeshjen si titullar. Në minutën e 34-t, fantazisti ka marrë një top nga e majta dhe në hyrje të zonës ka goditur në gjysmëlartësi, duke shënuar një eurogol. Në pjesën e dytë Çernomorets ka bërë disa zëvendësime, në një kohë që edhe Bakaj e ka lënë fushën. Lojtari tjetër i Kombëtares shqiptare, Kristi Vangjeli, i cili gjithashtu është pjesë e Çernomorets, e ka ndjekur gjithë ndeshjen nga pankina. Pas dëmtimit të rëndë që pësoi gati 5 muaj më parë, tashmë Vangjeli ka nisur fazën e riaftësimit, por nuk është ende gati për të luajtur. Dy futbollistët e Kombëtares shqiptare janë pjesë e padiskutueshme e Çernomorets. Në shkurt të këtij viti, Bakaj u transferua si i huazuar nga Dinamo e Bukureshtit, por pas paraqitjes së shkëlqyer në fazën e dytë të kampionatit ukrainas, drejtuesit e Çernomorets blenë kartonin e lojtarit. Bakaj ka firmosur një kontratë 3- vjeçare, por gjithashtu edhe Vangjeli, i cili iu bashkua ukrainasve në verën e vitit të kaluar, duke u larguar nga Arisi.


Bilanci që nuk na pëlqen