Kombetarja, Lajme Flash — 6 Qershor, 2013 11:08

Renditja e FIFA-s, Shqipëria e 38-ta për qershorin

shifratEshtë publikuar renditja zyrtare e FIFA-s për muajin qershor. Kombëtarja e Shqipërisë ka vijuar të ngjisë sërish shkallë, duke vendosur tjetër rekord në këtë drejtim. Nga vendi i 43-të për muajin e kaluar, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri De Biazi e shohin veten të 38-t për qershorin, me 690 pikë, një sukses që vjen një ditë para kualifikueses me Norvegjinë në Tiranë. Katër vendet e para mbeten të pandryshuara, me Spanjën në krye, që ndiqet nga Gjermania, Argjentina dhe Kroacia. Nëse i referohemi kësaj renditjeje në tre muajt e fundit, vërejmë ngjitjen si me “ashensor” të kombëtares shqiptare të futbollit. Fillimisht, në prill vendosëm një rekord historik, duke ngjitur 16 vende njëherësh dhe pozicionuar të 48-t në botë, pastaj në maj kemi superuar edhe 5 vende të tjera. E njëjta gjë ka ndodhur edhe për qershorin, cka shënon një sukses të padiskutueshëm në llojin e vet, sepse vendin e 38-të (as të 43-tin, sa ishim në maj, as të 48-n, sa ishim në prill) as mund ta kishim ëndërruar më parë. Rivali ynë i radhës, skuadra norvegjeze, është ngjitur me dy vende për muajin qershor, duke u pozicionuar e 29-të me 794 pikë, ndërsa Zvicra, kryesuesja e grupit tonë kualifikues, mban vendin e 14-të, me 1010 pikë, pa ndryshuar pozicion në dy muajt e fundit radhazi. Një arritje mbresëlënëse kjo, që gëzon tërë shqiptarët, por kënaqësisë i shtohet edhe njëfarë krenarie dhe motivimi për eliminatoren e radhës, më 7 qershor në “Qemal Stafa”, ndaj Norvegjisë, e cila do të jetë një ndeshje delikate dhe përcaktuese për fatet tona kualifikuese në grup. Meritat i shkojnë pa diskutim trajnerit De Biazi, nën drejtimin e të cilit kombëtarja jonë renditet në vendin e tretë të Grupit E kualifikues për momentin, pas Zvicrës dhe Islandës (me këtë të fundit kemi pikë të barabarta), teksa ka luajtur 5 ndeshje eliminatore dhe i kanë mbetur edhe pesë të tilla deri në fund, me shpresën se ëndrra e madhe, shkuarja në finalet e Botërorit 2014, mund të bëhet realitet.
Rekordi i renditjes para tri pozicioneve më të larta të tre muajve të fundit ishte vendi i 50-të, i arritur në prill-maj 2011, në kohën kur drejtoheshim nga Josip Kuzhe. Kombëtarja pati fituar një superndeshje (paçka se jo me shumë gola) ndaj Bjellorusisë, çka i dha shumë pikë. Më pas, kombëtarja kuqezi njohu vetëm ulje, aq sa në tetor, nëntor, dhjetor 2012, shkuam në vend të 84-t. Nga ky moment nisi ngritja, me arritjen deri në rekordin aktual, vendin e 38-të për muajin qershor 2013.

 

Te lidhura me artikullin:

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Sport Online. Moderatori

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *