Kristi Vangjeli, përplot 11 vite pritje për golin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2014 | 10:13

Kristi Vangjeli, përplot 11 vite pritje për golin

VangjeliNjë nga futbollistët më aktivë në radhët e Skënderbeut në barazimin kundër Flamurtarit ishte Kristi Vangjeli, autor i golit të barazimit për korçarët. Mund të duket e çuditshme, por pas 11 viteve karrierë në futbollin profesionist, fati e donte që mbrojtësi të shënonte në kampionatin shqiptar dhe me fanellën e skuadrës së vendlindjes. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi kujton ende humbjen e rasteve të pastra, teksa thekson se janë pikat më të dobëta të këtij Skënderbeu.
Kristi keni shënuar golin e parë në karrierën tuaj si futbollist profesionist. 11 vjet pritje, si u ndjetë?
Sigurisht që është një emocion i veçantë. Unë nuk jam shquar për gola, pasi vetë pozicioni im, bën që të jem larg portës. Megjithatë, jam krenar që golin tim të parë në futbollin profesionist e shënoj për ngjyrat e ekipit të zemrës, Skënderbeut. Mirëpo, do të isha shumë herë më i lumtur nëse goli im do të shërbente për tri pikët. Pra, më shumë se sa golin, do të preferoja pikët.
Pas golit, festimi juaj acaroi tifozët vendës. Pse ndodhi kjo?
E kam thënë edhe pas ndeshjes që ishte një gëzim i imi çka solli pakënaqësinë e tifozëve. Mirëpo, u kam kërkuar falje tifozëve të Flamurtarit dhe e përsëris sërish. Kërkoj ndjesë nëse mund t’i ketë prekur ajo gjë. Nuk është në karakterin tim të sjell të tilla acarime, pasi s’kam asnjë lidhje me të tilla gjëra.
Pas shënimit të golit, keni humbur edhe shumë raste të tjera, sidomos në dy rastet kur keni dalë përballë portierit…
E kam ende të pamundur të besoj se si i kam humbur ato dy raste të pastra për shënim. Besoj se nuk duhet të kisha gabuar, sidomos kur isha i vetëm përballë me portierin. Mirëpo, është diçka që ndodhi tashmë dhe e kotë t’i kthehesh.
Ndërkaq, vazhdon ende tabuja gati 40-vjeçare. Sërish barazim në Vlorë…
Nuk dua të merrem me statistikë dhe me histori. Për ne, e rëndësishme është e tashmja. Duhet të mendojmë vetëm për këtë dhe jo për të kaluarën. Besoj se rezultatet e kaluara shërbejnë vetëm për statistikë dhe për asgjë tjetër.
Sipas mendimit tuaj, çfarë nuk shkoi në sfidën kundër Flamurtarit?
Besoj se nuk arritëm t’i shfrytëzonim si duhet rastet e krijuara dhe kjo na penalizoi. Ne patëm shumë mundësi për të shënuar, por nuk arritëm dot të kthenim rezultatin. Besoj se kjo na ka penguar edhe në disa ndeshje të tjera, kur kemi krijuar shumë, por nuk kemi arritur të finalizojmë.
Megjithëse me një lojtar më shumë, përsëri nuk arritët të merrnit tri pikët. Ju shqetëson ky fakt?
Sigurisht që po. Mirëpo, po të shohim ndeshjen del se kemi luajtur shumë mirë, duke dominuar pothuajse pjesën më të madhe të takimit. Mund t’ju them se Flamurtari nuk doli asnjëherë rrezikshëm për të na kërcënuar dhe, pak me më shumë qetësi, mund të kishim marrë maksimumin nga ky takim.
OK, por ashtu si dhe kundër Teutës krijuat shumë, por u ndëshkuat në zbritjen e parë të kundërshtarit. Mendoni se prapavija duhet të jetë e kujdesshme në kundërsulme?
Jo, nuk mund të them se ishte një shpërqendrim në mbrojtje. Besoj se mbrojtja ka qenë gjithmonë vigjilente. Ata na goditën vetëm në një goditje standard dhe më pas nuk rrezikuan pothuajse fare portën. Ashtu sikundër e thashë më parë, po të kishim shfrytëzuar rastet që kishim, këtu flas edhe për veten time që kam humbur disa të tilla, mund të kishim dalë me fitore nga Vlora.
Tashmë shorti mund të thuhet i favorshëm për Skënderbeun, teksa në pesë ndeshje katër i luani në fushën tuaj. Sa pikë kërkoni në këto takime?
Ne gjithmonë hyjmë në fushë për të fituar si i vetmi rezultat që na bën punë. Nuk mund të flasim që tani për pesë takimet e radhës. Ne duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një. Tashmë do të mendojmë vetëm për ndeshjen kundër Vllaznisë. Duhet të punojmë me kokën ulur dhe të përqendrohemi vetëm për ndeshjen kundër shkodranëve, si ndeshjen e radhës. Jemi ende brenda objektivave dhe duhet të tregojmë se jemi kampionët e Shqipërisë.

Rikthehen tre lojtarë, por mungojnë Lilaj e Berisha
Trajnerit të Skënderbeut, Mirel Josa, do t’i duhet të bëjë sërish pa dy lojtarë në ndeshjen e radhës kundër Vllaznisë. Bëhet fjalë për Lilajn dhe Berishën, të cilët u ndëshkuan me kartonë të kuq, në sfidën kundër Flamurtarit. Numrit të lojtarëve me dy kartonë u shtohet edhe Kristi Vangjeli, pas të verdhit të marrë kundër Flamurtarit. Ndërkaq, për ndeshjen e radhës trajneri do të vendosë se cilët lojtarë do të hedhë në fushë si zëvendësues të Lilajt dhe Berishës në mesin e fushës. Për sfidën ndaj shkodranëve, nën urdhrat e trajnerit Josa, do të kthehen nga pezullimi kapiteni Shkëmbi, Radas dhe Diego Martins, teksa për Nimagën duhet pritur mesi i javës, për të thënë nëse do të jetë në listën e të grumbulluarve apo jo.

Rekord kartonësh të kuq
E çuditshme, por është fakt. Kampionët e Shqipërisë, deri më tani mbajnë rekordin në kampionat për numrin e kartonëve të kuq. Plot pesë të kuq në tetë javë kampionat janë shumë për një ekip, që nuk shquhet për ndërhyrje brutale. Pavarësisht se vetë numri një i pankinës bardhekuqe, Mirel Josa, i ka kërkuar vazhdimisht ekipit të ketë kujdes nga kartonët, sërish vazhdojnë të ketë një numër të lartë ndëshkimesh te kjo skuadër. Kështu, edhe në sfidën e fundit ndaj Flamurtarit dy lojtarë të Skënderbeut u ndëshkuan me të kuqe, që do të jenë mungesa të rëndësishme për sfidën e radhës ndaj shkodranët.

Josa habit me përzgjedhjen
Vazhdon të surprizojë me zgjedhjet trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa. Ai ka surprizuar pa fund, kur ka hedhur në sulm nga minuta e parë Ribajn- Olaynka dhe lënë në stol Sefën, sërish në një ndeshje të rëndësishme pas Partizanit dhe Tiranës. Në të tria këto takime, sulmuesi lushnjar nuk e ka nisur si titullar sfidën. Por, nga ana tjetër, një zgjedhje e çuditshme e Josës ka qenë dhe ajo e brazilianit Markoni. Mesfushori ka qenë titullar në dy miqësoret e fundit të Skënderbeut, por kundër Flamurtarit, edhe pse bëri nxehmjen, nuk u aktivizua për asnjë minutë.
LLAZI SARO

Rekord kartonësh të kuq E çuditshme, por është fakt. Kampionët e Shqipërisë, deri më tani mbajnë rekordin në kampionat për numrin e kartonëve të kuq. Plot pesë të kuq në tetë javë kampionat janë shumë për një ekip, që nuk shquhet për ndërhyrje brutale. Pavarësisht se vetë numri një i pankinës bardhekuqe, Mirel Josa, i ka kërkuar vazhdimisht ekipit të ketë kujdes nga kartonët, sërish vazhdojnë të ketë një numër të lartë ndëshkimesh te kjo skuadër. Kështu, edhe në sfidën e fundit ndaj Flamurtarit dy lojtarë të Skënderbeut u ndëshkuan me të kuqe, që do të jenë mungesa të rëndësishme për sfidën e radhës ndaj shkodranët. FORMACIONI Josa habit me përzgjedhjen Vazhdon të surprizojë me zgjedhjet trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa. Ai ka surprizuar pa fund, kur ka hedhur në sulm nga minuta e parë Ribajn- Olaynka dhe lënë në stol Sefën, sërish në një ndeshje të rëndësishme pas Partizanit dhe Tiranës. Në të tria këto takime, sulmuesi lushnjar nuk e ka nisur si titullar sfidën. Por, nga ana tjetër, një zgjedhje e çuditshme e Josës ka qenë dhe ajo e brazilianit Markoni. Mesfushori ka qenë titullar në dy miqësoret e fundit të Skënderbeut, por kundër Flamurtarit, edhe pse bëri nxehmjen, nuk u aktivizua për asnjë minutë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"