Kristi Vangjeli rikthehet tek Aris i Selanikut, Valmir Berisha firmos 4.5 vjet me Romën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2014 | 15:36

Kristi Vangjeli rikthehet tek Aris i Selanikut, Valmir Berisha firmos 4.5 vjet me Romën

VangjeliAris i Selanikut ka njoftuar përmes faqes së vet zyrtare në internet blerjen e Kristi Vangjelit. Në fakt kemi të bjmë me një rikthim në këtë klub grek të ish-mbrojtësit të kombëtares kuqezi, korcarit 29-vjeçar. Pasi bëri “divorcin” me Cernomorets Odesa të Ukrainës, skuadër ku vuajti nga dëmtimet dhe gjeti pak hapësirë aktivizimi, cka i kushtoi edhe formacionin e kombëtares, ku ka qenë titullar, mbrojtësi vendosi t’i bashkohet sërish kampionatit grek, aty ku spikati dhe zhviloi pjesën më të rëndësishme të karrierës deri më tani. Vangjeli ka nënshkruar një kontratë për gjashtë muajt e ardhshëm, pra deri në fund të këtij sezoni futbollistik. Ai u bashkua me klubin e Arisit në mars të vitit 2003, por shpejt u promovua në ekipin e parë . Me fanellën e verdhë Vangjeli ka luajtur deri në vitin 2011 (106 ndeshje në total), para se të transferohej te Cernomorets Odesa në Ukrainë. Atje tashmë ka mbetur Elis Bakaj, ndërsa ndërkombëtari shqiptar, që ka luajtur 33 ndeshje me fanellën kuqezi, do të riveshë ngjyrat e verdha të Arisit të Selanikut. “Jam shumë i lumtur që do të luaj përsëri tek Aris. Ndjehem mirë, sepse jam kthyer përsëri në shtëpinë time. Pjesa tjetër i mbetet fushës së lojës. Nuk është me të vërtetë koha për fjalë, por për veprime,” – tha korcari pas nënshkrimit të kontratës së tij.

Berisha ValmirValmir Berisha kalon te Roma
Një hap i madh në karrierë për kosovarin e Halmstadit, Valmir Berisha, i cili ka zyrtarizuar transferimin tek kryeqytetasit e Romës. Mediat suedeze dhe ato italiane konfirmojnë se futbollisti shqiptar i kombëtares U-17 të Suedisë arriti marrëveshje me skuadrën italiane, që rivalizon me Juventusin për titullin kampion në Seria A. Klubi i Romës ka paguar 500 mijë euro për kartonin e tij te skuadra suedeze. Tashmë, pas 75 vitesh, në radhët e Romës do të luajë një tjetër shqiptar. Më pare do të bënte karrierë te ky klub i madh italian një tjetër futbollist nga Kosova, legjendari Naim Kryeziu, i cili i solli titullin e parë të kampionit këtij ekipi. Atë ka rastin ta zëvendësojë Valmir Berisha, i cili nënshkroi një kontratë prej 4.5 vitesh me Romën. Sulmuesi është cilësuar si “Ibrahimoviçi” i ri, teksa ra në sy gjatë Botërorit të fundit U-17, kur fitoi “Këpucën e Artë”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"