Kukësi firmos me Edon Hasanin, rinovon kontratën edhe Shameti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2014 | 14:27

Kukësi firmos me Edon Hasanin, rinovon kontratën edhe Shameti

Edon Hasani, talenti shkodran që synohet nga Partizani

Edon Hasani, talenti shkodran që synohet nga Partizani

Listës zyrtare të lojtarëve të Kukësit i shtohet edhe emri i mesfushorit shkodran, Edon Hasani. Pas bisedimesh të shumta, dje lojtari ka nënshkruar me klubin verilindor një kontratë 1-vjeçare me të drejtë rinovimi për dy vite të tjera. Në verën e vitit tjetër, kjo kontratë mund prishet vetëm me miratimin e dy palëve ose duke zbatuar penalitete. Mesfushori që ka provuar të luajë për Liteksin në Bullgari dhe së fundmi me Poli Timishoarën në Rumani, vjen për të tretën herë te Kukësi, por vetëm dje ka nënshkruar. Me të klubi pati bisedime edhe në janar dhe para disa ditësh, por nuk u arrit akordi. Lojtari kërkonte më shumë sesa i dha klubi, por gjithsesi nuk kaluan shumë ditë dhe vetë Hasani është bindur nga kontrata. Jo pak ndikim në këtë rikthim ka pasur dhe shoku i tij, Roland Peqini, i cili u rikthye te Kukësi vetëm para pak ditësh.
Shameti
Ndërkohë, është zyrtarizuar dhe rinovimi i kontratës me mbrojtësin gjirokastrit Ylli Shameti. Pas një sezoni të shkëlqyer me veriorët, 30-vjeçari rinovoi edhe për një vit. Shameti ka luajtur më së shumti si mesfushor shkatërrues në sezonin e tij të parë te Kukësi, duke bindur trajnerët. Ardhja e Hasanit dhe rinovimi i kontratave me Musollin, Allmuçën, Shametin, pa harruar këtu brazilianin Xheferson, e forcon repartin e mesfushës, duke futur një konkurrencë të madhe. Duket se merkatoja është plotësuar dita-ditës, por presidenca ende nuk e ka mbyllur “derën” e afrimeve. Në klub ende ka vende për lojtarë që bëjnë dallimin me pjesën aktuale. Titullarë të provuar mund të zënë vende në mesfushë dhe në sulm, ku klubi ende mendon të bëjë përforcime. Stafi teknik synon që të ketë të paktën 18 lojtarë që do jenë gati për formacionin e parë. Kalendari shumë i ngjeshur i Superiores dhe Kupa e Shqipërisë, ku Kukësi synon dy trofetë, është një aktivitet shumë i ngjeshur që kërkon lojtarë.
Jonuz Hallaçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"