Kukësi nuk ndalet, firmos portieri Argent Halili

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2012 | 13:53

Kukësi nuk ndalet, firmos portieri Argent Halili

Portieri vlonjat, Argent Halili, është blerja e re e Kukësit. Ai ka nënshkruar dje kontratën me klubin debutues në Superiore, duke e çuar në gjashtë numrin e lojtarëve që kanë zyrtarizuar marrëveshjen. Në dy sezonet e fundit Halili ka mbrojtur portën e Kastriotit, me të cilin ka bërë një paraqitje të shkëlqyer. Me afrimin e vlonjatit, shkon në dy numri i portierëve që kanë nënshkruar me Kukësin. Pak ditë më parë ishte kapiteni Ervis Koci ai që hodhi firmën për të tretin sezon radhazi. Koci dhe Halili janë dy pika të forta, ndonëse pritet edhe një portier i tretë, që jo vetëm të përmbushë organikën, por edhe të jetë në garë për formacionin. Deklarata – “Kam firmosur për një sezon me Kukësin. E pranova me kënaqësi ofertën, pasi është një skuadër që sapo është ngjitur në Kategorinë Superiore dhe vjen me shumë entuziazëm. Ka bërë investime mjaft të rëndësishme, qoftë në lojtarë, qoftë në infrastrukturë. Gjatë këtyre ditëve isha në bisedime edhe me disa skuadra, përfshirë këtu edhe Tiranën ne Besën. Unë dua t’i falënderoj këto klube për interesimin. Aktualisht po shkoj në Vlorë, por besoj se nga fillimi i muajit korrik skuadra do të nisë fazën përgatitore dhe unë do të jem gati për të mbrojtur portën e Kukësit”. Kështu u shpreh Halili për “Panorama Sport”. Portieri 28-vjeçar ka dalë nga shkolla e Flamurtarit, por ka luajtur pak kohë me kuqezinjtë. Kosovarët – Një grup me futbollistë kosovarë pritet të vijnë te Kukësi. Deri më tani merkatoja ka nisur nga porta dhe mbrojtja. Ndërkohë, me gjithë emrat e përfolur, nuk është fiksuar ndonjë sulmues, ndonëse është deklaruar se ky repart do të ripërtërihet i tëri. Listës së sulmuesve të përfolur u janë shtuar edhe emrat e Mentor Zhdrellës dhe Kastriot Rexhës. Me dy kosovarët do të nisin bisedimet të hënën. Ndërkaq, mësohet se 25 qershori është lënë si datë zyrtare kur ekipi do të prezantohet me stafin. Për shumë lojtarë nis “prova e madhe”, nëse do të fitojnë garën dhe besimin e trajnerit Armando Cungu, për të qenë pjesë e skuadrës.
Jonuz Hallaçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"