Kukësi shkarkon Troisin, Lika dhe Duro në stol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2015 | 10:40

Kukësi shkarkon Troisin, Lika dhe Duro në stol

Troisi

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, nuk e ka përtypur dot humbjen ndaj Teutës në stadiumin “Niko Dovana” dhe ka vendosur që të shkarkojë trajnerin Marcelo Troisi nga pozicioni i trajnerit. Gjici ka telefonuar teknikun mbrëmjen e së hënës, duke i caktuar një takim në orën 09:00 të ditës së djeshme. Nuk ka pasur analizë të thellë, por vetëm një mbledhje që ka zgjatur 3 minuta, ku Troisi është njohur me vendimin, të cilin mësohet se e ka pranuar në heshtje, duke u larguar nga zyrat e klubit. Menjëherë Gjici ka vendosur që në drejtimin e ekipit të tij të jetë ish-lojtari i Kombëtares, Klodian Duro, i cili do të bashkëdrejtojë me Hasan Likën.

Deklarata

Në lidhje me shkarkimin e trajnerit brazilian, klubi i Kukësit ka dalë në një deklaratë për shtyp ku ka bërë me dije edhe arsyen e vendimit të presidentit. “Shkak ka qenë humbja e fundit në Durrës, por dhe ecuria jo e mirë e ekipit nën drejtimin e tij dhe pozicionimi në vendin e pestë në tabelën e renditjes, kur dihet se objektiv madhor i klubit është dalja kampion. Presidenti dhe klubi i kanë dhënë gjithë mbështetjen Troisit që nga qershori i këtij viti dhe deri më sot. Troisit i është dhënë mundësia më shumë se çdokujt tjetër për të përmirë- suar situatën. Madje, klubi e ka ndihmuar dhe në kualifikimet e tij. Në të ardhmen trajner i ekipit është komanduar Hasan Lika. Përkrah tij në drejtimin e Kukësit do të jetë dhe Klodian Duro, ish-futbollist i shquar i Kombëtares shqiptare. Lika dhe Duro do të jenë bashkëtrajnerë në drejtimin e ekipit. Ata kanë dhënë garanci se ekipi do të përmirësohet dhe do të ecë drejt titullit. Klubi garanton tifozërinë e tij se Kukësi do të mbetet në elitën e futbollit shqiptar dhe do të luftojë fort për dy trofetë. Me këtë rast klubi rithekson edhe një herë nevojën për mbështetje korrekte të ekipit”, lexohet ndër të tjera në deklaratën e klubit

Duro

Në 12-­të javë kampionat, Kukësi nuk arriti të fitonte qoftë dhe një ndeshje jashtë fushës së vet, situatë e cila ka bërë që Troisi të përfundojë aventurën e tij në krye të Kukësit. Gjici nuk ka humbur shumë kohë, për të gjetur drejtuesit e rinj të skuadrës menjëherë pas shkarkimit të Marcello Troisit.

Presidenti ka vendosur që drejtimin e skuadrës t’ua besojë njëkohësisht dy bashkëtrajnerëve, në timon do të jenë Hasan Lika që mban njëkohësisht rolin e Drejtorit Sportiv, ndërsa në krah të tij një emër i njohur i futbollit shqiptar, Klodian Duro. Ish-mesfushori i Kombëtares nis në këtë mënyrë zyrtarisht një karrierë të re, atë të trajnerit ku mund të mbështetet edhe në eksperiencën e madhe të Hasan Likës.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"