Kupa “Pavarësia”, qoka e patriotizmit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2015 | 19:44

Kupa “Pavarësia”, qoka e patriotizmit

ylli-agaNga YLLI AGA

Sot është një ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët, momenti kulmor i historisë së tyre dhe pikë-takimi mes krenarisë për të kaluarën dhe premtimi për një të ardhme edhe më të mirë. Në këtë datë, që fikson rekordin e aktiviteteve në nderim të ditës së Pavarësisë, nuk mungojnë edhe ato sportive. Madje, nga viti 2009, FSHF startoi një turne, që në fillesat e tij krijoi pritshmëri maksimale dhe nxiti fantazinë për një Shqipëri të Bashkuar edhe në futbollin e klubeve. Dëshira e tifozëve për një Komb, një Kombëtare dhe një Ligë Kombëtare dukej tanimë në hapat finalë të realizimit. Megjithatë, kur kemi mbërritur në edicionin e 7-të të këtij turneu, ideja fillestare është shndërruar thjesht në një qokë për patriotizmin, pasi të gjitha palët e investuara në këtë projekt madhor kanë braktisur frymën e këtij aktiviteti. E para në radhë është qeveria. 28 Nëntori nuk është thjesht dita e Pavarësisë së shtetit shqiptar, por guri i themelit të Shqipërisë së Madhe. 103 vite më parë, kufijtë e Shqipërisë nuk janë këto që janë sot, por në të përfshiheshin të gjitha trojet ku jetonin shqiptarët. Në kujtim të asaj dite, të atij misioni, fryme dhe dëshire, sporti mund të luajë një rol të pazëvendësueshëm. Në këtë pikë mund të sillen në vëmendje edhe premtimet e politikanëve apo qeveritarëve për të zhvilluar një kampionat të përbashkët mes ekipeve më të mira shqiptare. Nëse zhvillimi i një aktiviteti të tillë zyrtar është i pamundur për shkak të kufizimeve nga institucione madhore si FIFA dhe UEFA, asgjë nuk e pengon zhvillimin e një turneu miqësor. Dhe Kupa “Pavarësia” kishte të gjithë pritshmëritë për të krijuar simbolikën e duhur dhe “brand”-in e të ardhmes. Por, edhe në këtë rast, politika mungoi në apelin e thirrur nga tifozët e futbollit mbarëkombëtar. E dyta në radhë është FSHF, që në asnjë rast nuk arriti t’i japë rëndësinë e duhur këtij turneu, duke u mjaftuar vetëm me disa shpenzime modeste dhe për të kulmuar me përplasjen e këtij turneu me ndeshjet e radhës për kampionat. Shqetësimi më i madh për sjelljen e institucionit drejtues të futbollit tonë është fakti se në asnjë rast nuk përcaktoi një formulë të qartë për organizimin e këtij turneu, kriteret që duhet të plotësonin klubet pjesëmarrëse, si dhe nuk arriti të siguronte një mbështetje financiare, nëpërmjet buxhetit të saj, sponsorëve nga të gjitha trojet për fituesin e tij. Në radhën e përgjegjësive është edhe klubi Flamurtari, që nxitoi të mbyllte dyert e stadiumit, me pretendimin se mund të dëmtohej fusha, ndonëse për të kanë investuar një shumë të konsiderueshme, nuk e kursyen kur luajtën para afateve ndaj Vllaznisë dhe mbi të gjitha në këtë ditë ekipi do të luajë në Shkodër, çka nënkupton se terreni i ri mund ta përballojë fare mirë një ndeshje në një javë. Dështimi i këtij turneu është një shuplakë për Bashkinë e Vlorës, qytetit simbol të Pavarësisë, e cila me pasivitetin e saj dëshmon se nuk i ka nën kontroll qoftë institucionet në territorin e saj dhe se në morinë e aktiviteteve, sporti për ta nuk ka asnjë rëndësi. Ndërkohë, në takimin me patriotizmin kanë vendosur të mungojnë edhe klubet tona më të mira. Projekti madhështor për të përballur me të mirët është katandisur në një turne, ku ekipet e ftuara mund të paraqiten edhe me futbollistë që nuk kanë asnjë lidhje me elitën e këtij sporti. Kupa “Pavarësia” në edicionin e 7-të të saj pritet të fiksojë të gjitha rekordet negative dhe ku në fund pyetja e të gjithë do të jetë, jo kush ishte fituesi, por a duhet të zhvillohet sërish 28 Nëntorin e vitit të ardhshëm. Nëse do të konsiderohet sërish si një qokë dhe në këto kushte druaj se më mirë do të ishte të mos zhvillohej fare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"