Kushta nostalgjik: Unë, vlonjati që bëj tifo për Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2016 | 12:09

Kushta nostalgjik: Unë, vlonjati që bëj tifo për Partizanin

Sokol Kushta edhe pse në zemër është ku qezi, kur luan Partizani është i kuq.

Kushta ne BeogradNë një prononcim për “Panorama Sport”, para ndeshjes Partizani-Flamurtari, Kushta thotë se bën tifo për Flamurtarin gjatë kampionatit, por kur luan Partizani është me “demat”. Legjenda e futbollit vlonjat uron që sot të fitojë më i miri.

Ai shprehet se Partizani i ka të gjitha mundësitë për të fituar kampionatin. “Unë jam vlonjat dhe bëj tifo për Flamurtarin, por kur luan Partizani, jam me të kuqtë. Uroj të fitojë më i miri. Për sa i përket titullit, them se çdo gjë është e mundur, por Partizani nuk duhet të gabojë. Bashkë me Skënderbeun, Partizani është në luftë për titull”, shprehet Kushta.

Nostalgjia

Legjenda e futbollit vlonjat shprehet nostalgjik kur bëhet fjalë për të shkuarën, në vitet kur ka fituar kampionatin me “demat”. “Unë vajta te Partizani në një moment deciziv për jetën sportive. Kisha pothuajse tre vjet me Flamurtarin dhe pa mbushur 19 vjeç më del shkolla e lartë e fizkulturës.

Trajneri Gjergji Thaka bëri të pamundurën që të më mbushte mendjen të vija aty, duke më thënë për një plan rinovimi të Partizanit të vjetër dhe me të vërtetë aty gjeta shokë të ekipeve kombëtare të të rinjve dhe Shpresës, si: Gega, Muça, Alite, Ocelli, Bilbili dhe më vonë Ramadani, Shehu, Kaçaçi, Millo, Agalliu.

Të gjithë ishin 19-20-vjeçarë dhe u bë një ndërthurje me të rriturit, si: Musta, Lame Tomori, Kasa, Duro etj. Në Francë, kur kishim ndeshje miqësore me Shpresat, Demollari më tha: ‘Hajde te Dinamo’, por më tërhoqi më shumë Partizani dhe trajneri Thaka. Ingranimi im ishte i shpejtë dhe i menjëhershëm me të gjithë lojtarët dhe ekipin.

Për sa u përket ndeshjeve kundër Flamurtarit, unë luaja me shpirt për ekipin që isha. Golin e parë me Partizanin e bëra në Vlorë, 0-1, dhe anasjelltas, pasi golin e parë kundër Partizanit, kur u ktheva në Vlorë, e bëra në “Qemal Stafa” nga 50 metra. Kam vetëm gjëra fantastike për vitet që kalova aty dhe pa diskutim ishte përkrahja e madhe e gjithë tifozëve të Partizanit, kudo isha dhe luaja”, shprehet ishsulmuesi i dy ekipeve.

Krahasimi

Kushta bën edhe një krahasim mes Partizanit të atyre viteve dhe skuadrës aktuale. Futbollistët e sotëm, sipas Kushtës, janë të dhënë pas parave dhe nuk e ndiejnë fanellën. “Me Partizanin fitova kampionatin. Krahasimet nuk janë për sot, pasi sot ekipet janë më heterogjene dhe më kapitaliste, me më pak shpirt dhe me shumë mendim pas parasë.

Ne, kur humbëm Kupën e Republikës, qamë. Këta futbollistë sot nuk kanë shans ta mendojnë, jo ta ndiejnë. Unë i uroj gëzuar 70-vjetorin, pavarësisht se klubi duhet të bënte një takim, pasi dihet që shumë nga ne i kemi dhënë dhe kemi marrë famë nga ai ekip dhe nuk duhet të kalonte kaq tangent kjo datëlindje.

Duhet të ishte realizuar një takim me brezat për të kuptuar sot këta të rinj ç’do të thotë Partizani dhe bashkë me tifozët duhet të ishte një mbrëmje e bukur. Por nuk ka gjë, ne ato që kemi dhënë nuk na i harrojnë tifozët dhe njerëzit që na ndiqnin në shi dhe në diell”, përfundon Kushta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"