Largohet Frroku, sot mbledhje te Tërbuni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2015 | 17:53

Largohet Frroku, sot mbledhje te Tërbuni

grandi-frrokuLargohet Grand Frroku. Administratori i Tërbunit ka lënë detyrën e tij për motive personale. Sakaq, pritet që sot të ketë një analizë të detajuar në radhët e pukjanëve për ecurinë e deritanishme.

Në këtë mbledhje do të jetë i pranishëm kryetari i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj, bashkë me shefin e klubit, Dritan Frroku. Drejtori teknik, Alket Kruja, në një prononcim për “Panorama Sport” nuk e bën dramë humbjen me Skënderbeun. Gjatë një deklarate të dhënë për gazetën, ai thotë:

“Nuk është turp të mundesh nga 5 herë kampionët e vendit. Ekip ky që ka bërë historinë në Europë dhe po ndeshet me emra të mëdhenj të futbollit europian. Lojtarët tanë deri në minutën e 17-të të pjesës së parë zhvilluan një lojë të barabartë me korçarët, më pas në fushë u pa lodhje, sidomos mbrojtja dhe porta. Shumë pasiguri në prapavijë”. Më tej drejtori shpjegon se në mbledhjen që do të zhvillohet do të analizohet me detaje ecuria e deritanishme e ekipit.

“Nesër (sot) kemi një analizë me ekipin dhe të gjithë ne si drejtues të tij, ku i pranishëm do të jetë kryetari i Bashkisë së Pukës, bashkë me shefin e klubit, Dritan Frrokun, do të diskutojmë rreth ecurisë. Në këtë takim do të pasqyrohet puna e fazës së parë dhe fillimi i fazës së dytë të kampionatit. Ecuria është shumë larg pritshmërive në fakt dhe kjo duket nga pikët, ku në 12 javë kemi vetëm 7 pikë. Ky ekip i ka mundësitë për të bërë kthesën, pasi kualitete nuk i mungojnë. Në prag kemi Teutën, ndeshje e cila ka marrë që të gjithë vëmendjen tonë. Presim një ekip më të përqendruar dhe shpresojmë që këtë herë mos t’i zhgënjejmë tifozët. Nëse marrim pikë ndaj durrsakëve, atëherë pozitat tona do të jenë më të mira dhe sigurisht që do të hedhim një hap për të besuar te mbijetesa. Falënderojmë kryetarin e bashkisë që ka garantuar financat e ekipit të Tërbunit”, përfundoi Kruja.

Përgatiti: Ditmir Pema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"