Lestëri po shokon Anglinë, ja cilat janë 10 “Hirushet” e Europës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2016 | 10:44

Lestëri po shokon Anglinë, ja cilat janë 10 “Hirushet” e Europës

Rrugëtimi i çmendur i Lestërit drejt titullit konsiderohet si një nga surprizat më të mëdha në historinë e futbollit anglez.

lester sitiTë vlerësuar si kandidatë për të rënë në Championship në fillim të këtij sezoni (pasi vetëm shpëtuan edicionin e shkuar), ata kryesojnë bindshëm në 13 javët e mbetura.

Disa e kanë krahasuar Ranierin me Brajën Klafin në stolin e Notingem Forestit, që konsiderohet ende surpriza më e bukur e historisë së futbollit anglez. Por emri i Lestërit do të shkruhej gjithashtu me germa të arta, ashtu siç ka ndodhur më parë te këto skuadra…

Ipsuiç 1962

Kur Alf Ramsej mori drejtimin e Ipsuiçit (1955), klubi ishte në Divizionin e 3-të, pasi ra nga kategoria që në vitin e parë në Divizionin e 2-të. Trajnerit iu deshën 2 sezone për ta ngjitur sërish skuadrën në Divizionin 2 dhe 4 të tjera për t’i ngritur për herë të parë në elitë. Por titullin e fituan që në vitin e debutimit të udhëhequr nga 33 golat e Rei Kroford dhe Ted Filips (28 gola). Ai mbetet i vetmi titull i skuadrës që në sezonin pasardhës përfundoi e 17-ta.

Verona 1985

Në një kampionat me yje të vërtetë si Platini te Juve dhe Maradona te Napoli, Verona nuk konsiderohej kandidate me ekipe si Milan dhe Inter në garë. Ishin renditur të 6-t një sezon më parë dhe nuk kishin fituar kurrë një Skudeto. Por transferimet e të huajve Hans-Peter Brigel dhe Preben Elkjaer shtruan rrugën e titullit kampion me 4 pikë diferencë falë edhe Xhuzepe Galderisit (11 gola). Vitin pasardhës përfunduan të 10-t.

Sampdoria 1991

Po të kthehemi pas në ekipin e Sampdorias, në fillim të viteve 1990, vështirë t’i konsiderosh ata surprizë. Në portë kishin Paljukën, në mesfushë Lombardon dhe sulmi udhëhiqej nga Mançini-Viali. Por ata nuk ishin renditur kurrë më lart se vendi i 4-t në historinë e tyre, kështu që fitorja e Skudetos me 5 pikë diferencë ishte një sukses i jashtëzakonshëm. Sezonin tjetër përfunduan të 6- t, 18 pikë larg kampionëve, por arritën në finalen e Kupës së Kampioneve, ku u mundën nga Barcelona.

Blekbërn 1995

Shuplakë të pasurve, në kuptimin që 5 vite më parë Blekbërni ishte vetëm një klub i Divizionit të Dytë. Por investimi i Xhek Uokerit i bën ata më të krahasueshëm me ngritjen e fundit të Mançester Sitit sesa atë të Ipsuiçit në fund të viteve 1950. Duke qenë se ishin ngjitur në elitë vetëm 3 vite më parë dhe sezonin e shkuar ishin renditur 8 pikë larg kampionëve Junajtid, ata nuk i priste askush kampionë në fillim të sezonit. Por ajo që bën trioja e famshme sulmuese SAS, e udhëhequr nga Shirer dhe Saton, por edhe shtylla kurrizore e skuadrës Tim Flauers, Kolin Hendri dhe Tim Sherud, është një kryevepër. Një vit më vonë u renditën të 7-t, ndërsa në vitin 1999 ranë në Championship.

Okserr 1996

Kur Gi Ru e udhëhoqi ekipin drejt titullit të parë kampion në Francë, ai kishte 32 vite në stolin e Okserrit. Ekipi që përfundoi 4 pikë përpara PSG-së, kishte emra si kampionët e ardhshëm të botës, Loran Blank, Stefan Givarsh dhe nigerianin Taribo Uest. Ata fituan edhe Kupën e Francës, por vitin tjetër përfunduan të 6-t dhe nuk iu afruan kurrë më këtij suksesi. Ru e la klubin në vitin 2005.

Deportivo La Korunja 2000

Të thyesh dypolshin Real-Barcelona ka qenë gjithnjë një detyrë e vështirë. E bëri Atletiko në 2014 dhe Valencia 2002 dhe 2004. Por Deportivo, klubi që vinte nga qyteti prej vetëm 250 mijë banorësh, nuk e kishte shkruar kurrë emrin në histori. Ata u shndërruan në një forcë në futbollin spanjoll për një dekadë dhe Djalminja, Pauleta dhe Makai u bënë të paktën për një periudhë të shkurtër yje në futbollin europian. Në dy sezonet pasardhëse ata përfunduan të dytët, por një dekadë më vonë ranë nga kategoria.

Boavista 2001

Ekipi i dytë i qytetit të Portos, Boavista udhëhiqej nga Ervin Sançez, 3 herë kishte qenë ish-lojtar dhe tani rikthehej për herë të dytë në stol si trajner. Për herë të dytë në histori (mbi gjysmë shekulli) titulli në Portugali nuk fitohej nga Porto, Sportingu ose Benfika.

Shtutgart 2007

Shtutgarti erdhi në sezonin 2006-2007 me skuadrën më të re të Bundesligës. Humbi ndeshjen e parë 3-0 dhe renditeshin në 3 vendet e fundit, pasi u mundën nga Dortmundi 2 javë më vonë. Por 14 golat e Mario Gomezit, 13 të braziliano-gjermanit Kakau dhe me të riun premtues Sami Khedira dhe Tomas Hiclesperger në mesfushë, Shtutgarti fitoi titullin e parë pas 15 vitesh. Dhe duke qenë se ata ishin renditur të 9-t një sezon më parë dhe të 6-t në pasardhësin, kjo është një arritje me të vërtetë e shkëlqyer.

Volfsburg 2009

Nën drejtimin e Feliks Magat dhe me Xhekon e brazilianin Grafite që formuan një nga dyshet sulmuese më vrasëse në historinë e futbollit gjerman, “ujqërit” shokuan në sezonin 2008- 2009. Në 34 ndeshjet e tyre, ata shënuan 80 gola, 54 mbanin firmën e sulmuesve (28 Grafite dhe 26 Xheko). Në fund fituan titullin vetëm me 2 pikë më shumë se kampionët në fuqi të Bajernit, por përfunduan të 8-t një vit më vonë. Nuk iu afruan kurrë më kaq pranë titullit, edhe pse u renditën të dytët sezonin e shkuar (10 pikë pas Bajernit).

Montpelie 2012

Me PSG-në që kishte investuar tmerrësisht shumë dhe Lilën që sapo kishte zbuluar talentin e Eden Hazardit, Montpelie nuk duhej të kishte asnjë shans. Me kapitenin Mapu Janga-Mbiua në zemër të mbrojtjes, të dështuarin te Totenhemi, Benxhamin Stambuli, i cili ishte lojtari kyç në mesfushë, dhe të riun, Olivie Zhiru, i cili udhëhiqte sulmin, ata nuk mund të krahasoheshin me organikën e asnjë pretendenteje në Europë. Por sulmuesi i ardhshëm i Arsenalit shënoi 25 gola dhe Montpelie, ekip që nuk ishte ngjitur kurrë në elitë përpara 2009-s, rrëmbeu titullin. Ëndrra nuk zgjati shumë, vitin pasardhës u renditën të 9-t.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"