Dy klube spanjolle në finalen e Ligës së Evropës, e cila do zhvillohet sot në stadiumin “National Arena” të Bukureshtit. Forca fizike, shpirti luftarak i baskëve të Bilbaos, përballë shpejtësisë e teknikës së yjeve madrilenë. Një duel me dy stile të ndryshme loje, me dy trajnerë argjentinas dhe me dy klube që kanë një rivalitet të ashpër në histori. Bilbao nuk ka triumfuar kurrë në një kompeticion evropian, ndërsa kjo është hera e dytë që shkojnë deri në finale. Një shans për të mos u humbur për djemtë e Marselo Bielsës, i cili e ka drejtuar ekipin te një sezon mbresëlënës. “Është një ndeshje historike për klubin, pasi kemi shansin e artë për të siguruar një trofe, të cilin Atletiko nuk e ka fituar kurrë. Jemi vetëm një hap larg triumfit dhe nuk duhet ta shpërdorojmë këtë mundësi. Përballë kemi një skuadër tepër të fortë, të cilën e njohim mirë. Kanë një kundërsulm të rrezikshëm, lojtarë me mjaft teknikë dhe një finalizues si Falkao. Duhet të jemi maksimalisht të kujdesshëm, edhe pse unë mendoj se, nëse luajmë me zemër në fushë, do ia dalim mbanë”, – deklaroi tekniku i Bilbaos. Ndërkohë Diego Simeone, i cili në karrierën si futbollist është drejtuar edhe nga Bielsa, u shpreh: “Në ndeshje të tilla, aspekti psikologjik është vendimtar. Ne duhet të jemi të qetë, të evitojmë presionin dhe të hyjmë me besim të madh te suksesi. Vetëm kështu mund të bëjmë pak gabime dhe të bëjmë diferencën në fushë. Bilbao ka një përgatitje fizike të jashtëzakonshme dhe luajnë me një ritëm të lartë për më shumë se 90 minuta. Gjithsesi, ne duhet të mundohemi që t’i shfrytëzojmë maksimalisht rastet që do krijojmë për shënim dhe të jemi të vëmendshëm në mbrojtje. Kemi pasur një ecuri tejet pozitive në Ligën e Evropës dhe duhet ta mbyllim me sukses, pasi e meritojmë këtë trofe”, – deklaroi trajneri i madrilenëve, Simeone. Atletik Bilbao nuk ka asnjë mungesë të rëndësishme për këtë ndeshje, ndërkohë që madrilenët do të bëjnë pa Luis Perean, Silvion dhe Tiagon, i cili mori karton të kuq në ndeshjen e kaluar.
“Dua gol dhe trofe”
Ylli i Atletikos së Madridit, Radamel Falkao, ka deklaruar se synon të shënojë dhe t’i dhurojë fitoren skuadrës së tij. “E di që të gjithë presin nga unë që të shënoj dhe kam besim se do ia dal mbanë. Kam arritur të shënoj më parë në finalen e Ligës së Evropës, por këtë herë dua që goli im t’i dhurojë një trofe Atletikos së Madridit”, – u shpreh Falkao, i cili drejtoi Porton te triumfi në kompeticionin evropian, një vit më parë.
“Baskët janë më favoritë”
Ish-futbollisti i Atletikos së Madridit dhe Atletik Bilbaos, Andoni Goikoetxea, ka parashikuar një finale spektakolare. “Të dyja skuadrat kanë një stol mahnitës, ndaj në finale do të ketë me të vërtetë spektakël. Gjithsesi, unë mendoj se Bilbao është paksa më e favorizuar, për shkak të përgatitjes fizike dhe motivimit më të madh. Ajo nuk ka fituar kurrë në Evropë”, – u shpreh Goikoetxea.
”E kam parë në ëndërr”
Talenti i Bilbaos, Iker Muniain, shpreson që t’i realizohet ëndrra që ka parë. “Finalen e kam parë në ëndërr dhe të them të drejtën, më ka dhënë më shumë besim te suksesi. Kam parë në ëndërr sikur unë shënoja gol dhe skuadra ime fitonte në finale. Jam tepër optimist se do të realizohet, kam një ndjesi të fortë”, – u shpreh 19-vjeçari, i cili kërkohet në merkato nga klubet më prestigjiozë të Evropës.
Në finale arbitron bankieri Volfgang Shtark
Arbitri që do të gjykojë finalen e Ligës së Evropës është gjermani Volfgang Shtark. Në jetën e tij jashtë futbollit, gjermani punon në bankë, ndërkohë që është një nga “bilbilat” më të vlerësuar në vitet e fundit. Ai ka arbitruar deri në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, në Kupën e Botës dhe shumë ndeshje të një rëndësie të lartë. Kjo është hera e parë që i besohet finalja e një kompeticioni evropian. Në karrierën e tij ai ka një mesatare prej 3.7 kartonësh të verdhë për ndeshje, 0.25 për kartonët e kuq dhe 0.19 që akordon 11-metërsh.
Shifra dhe kuriozitete mes dy Atletikove
- Atletiko e Madridit shkon në finale pas një serie prej plot 11 fitoresh radhazi në Ligën e Evropës, që nga koha kur u mund 2-0 prej Udinezes në fazën në grupe.
- Madrilenët dhe Bilbao nuk janë përballur asnjëherë me njëri-tjetrin në kompeticionet evropiane, ndërsa në 150 ndeshjet mes tyre në histori, 64 janë fituar nga kryeqytetasit dhe 59 nga baskët.
- Radamel Falkao kryeson renditjen e golashënuesit të Ligës së Evropës me 10 gola, po aq sa Klas-Jan Huntelar.
- Baskët fituan ndaj Atletikos 3-0 në ndeshjen e tetorit në kampionat, ndërsa u mundën 2-1 në Madrid gjatë muajit mars.
- Atletik Bilbao nuk ka asnjë triumf evropian në histori, por ka arritur të shkojë deri në finalen e Kupës UEFA në vitin 1977, kur u mund nga Juventusi.
- Marselo Bielsa ka qenë trajner i Diego Simeones gjatë kohës që drejtonte përfaqësuesen e Argjentinës, nga viti 1998 deri në Kupën e Botës 2002.


Pesë “ishujt” e kampionatit të Shqipërisë