Lushnja “heq qafe” Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2015 | 14:09

Lushnja “heq qafe” Dinamon

Dinamo-Lushnja 1-0, Turdiu ne aksion

LUSHNJA – DINAMO 1-0
GOLI: Topi 27′ LUSHNJA: Spaho, E.Sula, Byzhyti, Bakiasi, Ndoni, Ruço (V.Gjyla 65′), Gjoni, Topi, Dervishi (Allkanjari 87′), Çela (Baze 80′), Canka. Trajner: A.Bano
DINAMO: Kotorri, Rexhepi, Turtulli (E.Tafaj 46′), Shkalla, Shazivari (Ferraj 57′), Allmuça (Capa 67′), Thana, Arifaj, Imami, Turdiu, D.Xhafaj. Trajner: D.Mehmeti GJYQTARË: A.Koçi, F.Elezi, H.Lisaku (Durrës);
KARTONË TË VERDHË: Bakiasi 41′, Gjoni 56′, Canka 74′, Dervishi 79′ / Arifaj 40′, Turdiu 79′
KARTON I KUQ: Canka 76′ (2v)
VËZHGUES: F.Haxhiaj (Tiranë)
DELEGAT: D.Bastari (Tiranë)

Lushnja ka “hequr qafë” një nga rivalët e drejtpërdrejtë për ngjitjen në Superiore, Dinamon, të cilën e ka mposhtur me rezultatin 1-0. Në një ndeshje me shumë grintë, ka qenë mesfushori Topi që ka bërë diferencën me atë gol të shënuar, duke i dhënë tri pikët skuadrës dhe shkëputjen +4 nga ndjekësit më të afërt, që janë pikërisht blutë. Mirëpo, duhet thënë që java ka qenë e mbarë për verdhejeshilët, pasi dhe rivalët e tjetrë kanë humbur. Nga ana tjetër, shije e hidhur për Dinamon, që prezantoi në mënyrën më të keqe rikthimet e “gardës së vjetër” në shtëpinë e bluve.

Pjesa e parë – Në një atmosferë tejet të elektrizuar, ku të pranishëm në “Roza Haxhiu” kanë qenë më shumë se 3 mijë tifozë, prej të cilëve 50-60 kishin ardhur nga kryeqyteti, ka nisur me vrull sfida me “aromë” Superioreje, LushnjaDinamo. Vendësit janë shumë të rrezikshëm që në minutat e para, ku rastet e tyre janë të një- pasnjëshme. Në një prej tyre, pikërisht të 27-ën, topi i krosuar nga Çela në një goditje dënimi ka mbetur në zonë duke i shkuar “me porosi” mesfushorit Topi. Diagonalja nga rreth 7-8 metra pak djathtas është tejet e saktë, duke e nxjerrë Lushnjën në avantazh. Në të 43, sulmuesi Daniel Xhafaj ka një rast, por goditja e tij pritet nga Spaho. Në fund ka një moment për moviolë dhe i gjithë stadiumi “Roza Haxhiu” ngrihet nga vendi kur shikon një kontakt të Cankës me Turtullin. Nuk ka penallti për kryesorin Koçi dhe skuadrat shkojnë në pushim.
Pjesa e dytë – Sulmuesi Mikel Canka rikthehet në protagonist absolut të pjesës së dytë, duke ngacmuar shumë, madje në minutën e 58-të ka çarë midis dy qendrave të Dinamos, por Kotorri ka dalë shpejt dhe ka zotëruar topin. Loja e sulmuesit lushnjar e shkartis mbrojtjen e bluve, që organizohet me vështirësi dhe duken larg barazimit. Në të 74 ka sërish një moment për moviolë, kur Canka pretendon për një faull të pastër, por kjo i kushton kartonin e kuq në dy minuta. Kësisoj, Canka e nis me të kuq. Miqtë i afrohen barazimit vetëm në minutën e 90-të, kur pas krosit nga e djathta, Arifaj është i zbuluar shumë pranë Spahos dhe arrin të devijojë me kokë, por topi përfundon jashtë. Madje, Arifaj dëmtohet dhe nuk mund të luajë më. Edhe pse luhet deri në minutën e 96-të asgjë nuk ndryshon. Lushnja merr tri pikë të arta, falë golit të shënuar nga eksperienca e Fatjon Topit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"