Një debutues në Superiore likujdon Kukësin, Lushnja e fillon me fitore rikthimin në elitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2013 | 12:04

Një debutues në Superiore likujdon Kukësin, Lushnja e fillon me fitore rikthimin në elitë

Lushnja-Partizani 2-2, lagunaret festojne golin

LUSHNJA-KUKËSI  1-0
GOLAT: Trashi 54′
LUSHNJA: Spaho, Cimili, Bjelankoviç (Ndoni 17′), E.Sula, Gjyla, E.Korreshi, Topi, Mihani, Trashi (S.Çela 64′), Canka, G.Çela (Hysko 81′). Trajner: A.Bano
KUKËSI: Halili, Smajli, Malota, Brahja, Hallaçi, Progni (Hysa 69′), Bratiç, Manuka (Hoxha 77′), Allmuça, Musolli (Cikalleshi 58′), Popoviç. Trajner: A.Cungu
KARTONË TË VERDHË: Gjyla, Mihani, Cimili, Musolli
GJYQTARET: B.Pashaj, G.Qirici, D.Rexha (Tiranë)

MINUTAT
15′ Erlind Korreshi hyn në zonë, por ndalet nga mbrojtësi kundërshtar Hallaçi. Lushnjarët pretendojnë për penallti, por gjyqtari Pashaj vazhdon lojën.
24′ Canka pason me gjoks për te Korreshi, i cili godet fort, por portieri Halili neutralizon gjithçka.
36′ Lushnjarët pretendojnë sërish për një 11-metërsh pas një inkursioni të Gjylës në zonën e Kukësit dhe kontaktit të tij me Brahjen, por për Bardhyl Pashajn ka simulim nga lojtari vendës, të cilin e ndëshkon me karton të verdhë.
39′ Aksion nga e majta e sulmit të Kukësit me protagonist Allmuçën që kroson, Popoviç i vetëm në shtyllën e dytë e dërgon topin me kokë mbi traversë, duke humbur një rast të pastër.
48′ Goditje dënimi e ekzekutuar nga Progni, por reagon mirë Spaho, Popoviç që ndjek aksionin gjuan sërish, por pret prapë portieri.
54′ Gentian Çela kroson nga e djathta e sulmit të Lushnjës dhe topi shkon në të majtë te Trashi, i cili godet fluturimthi dhe realizon një gol të bukur duke kaluar verdhejeshilët në avantazh.

Sfida e parë sezonale e Lushnjës në Superiore, në rikthimin e këtij ekipi pas 4 vitesh mes më të mirave të futbollit shqiptar, është kthyer në një festë, pasi verdhejeshilët kanë arritur të fitojnë me shifrat 1-0 kundër Kukësit. Lushnjarët kthejnë me këmbë në tokë kuksianët, të cilët vinin në këtë sfidë pas magjisë që arritën në Ligën e Europës duke kaluar tri ture. Gjithashtu, suksesi i lushnjarëve mund të konsiderohet një “hakmarrje” për sfidën e dy sezoneve më parë në “play out”, kur nuk arritën të fitonin dot ndaj kuksianëve dhe, në këtë mënyrë, nuk u ngjitën në Superiore. Një sukses shumë i rëndësishëm i vendësve përpara një numri të madh tifozësh, që e kanë mbështetur skuadrën në çdo moment. Takimi në “Roza Haxhiu” është vendosur nga një gol i Lorenc Trashit në fillimin e pjesës së dytë. Lojtari debutoi në Superiore dhe nuk e kishte menduar asnjëherë një start të tillë në elitën e futbollit shqiptar. Në tërësi takimi ka qenë i ekuilibruar, me Lushnjën që ka dominuar në mbajtjen e topit, por Kukësi ka pasur 2-3 momente shumë të mira për të realizuar, edhe pse nuk ia ka dalë mbanë. Skuadra e Artan Banos, edhe pse me jo shumë bujë, ka treguar një shpirt të lartë gare gjatë të gjithë 90 minutave. Ndërsa Kukësi, pavarësisht rasteve të Popoviç, të neutralizuara nga Spaho në superformë, nuk është ngjitur dot në nivelin e sfidave të realizuara së fundmi në turet kualifikuese të Ligës së Europës. Vlen të evidentohet fakti se përballja u karakterizua nga duelet e forta sidomos në mesfushë, me ndërprerje të shpeshta të lojës, por me shumë pak shenja nervozizmi nga të dyja ekipet.
Pjesa e parë Skuadrat u paraqitën në fushë me disa mungesa, teksa te Lushnja, trajneri Bano nuk kishte të gatshëm lojtarë si Bizhyti, Dervishi dhe Fataki. Cungu nuk kishte shërbimet e Malakarnes dhe aktivizoi nga minuta e parë Manukën në vend të Hoxhës. Vendësit e nisën më mirë takimin, duke qarkulluar më shumë topin, por rastet për gol mungojnë. Lushnjarët pretendojnë për një 11-metërsh në minutën e 15-të pas rrëzimit në zonë të Korreshit, por gjyqtari nuk mendon kështu. Ky i fundit, 10 minuta më vonë, pati rastin më të mirë në pjesën e parë për të shënuar në portën e Halilit, por pa rezultat. Në minutën e 36-të, Gjyla hyn në zonë dhe pas përplasjes me një mbrojtës mik rrëzohet në zonë dhe vendësit kërkojnë penallti, por për gjyqtarin Pashaj është simulim dhe e ndëshkon lojtarin vendës me karton të verdhë. Kukësi vuan disi presingun e Lushnjës, por në minutën e 39- të Popoviç ka rastin më të artë për miqtë, por gabon rëndë përpara Spahos. Skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes me rezultatin e bardhë 0-0.
Pjesa e dytë Fraksioni i dytë nis me ndryshime në organikë dhe Kukësi është më aktiv. Pas katër minutash lojë, miqtë shpërdorojnë një rast shumë të pastër me Prognin e Popoviç, që godasin nga një herë, por portieri Spaho shndërrohet në hero. Ligji i pashkruar i futbollit: kur nuk shënon, do të pësosh; gjen vend në këtë moment. Në minutën e 54-t, Gentian Çela jep një pasim të bukur për Trashin, i cili me të majtën godet fluturimthi dhe realizon një gol të bukur. Pritej një reagim i fortë i skuadrës kuksiane, por mesfusha mike nuk prodhon dot lojë. Deri në fund loja zhvillohet kryesisht në mesfushë me Lushnjën, që mbrohet me shumë forca, ndërsa Kukësi nuk arrin të shënojë.

MË I MIRI
Debutim ëndrrash në Superiore për Lorenc Trashin. 21-vjeçari që nuk kishte luajtur asnjëherë më parë në elitën e futbollit shqiptar, i ardhur nga Gramshi gjatë merkatos së verës, arriti të shënojë në sfidën e djeshme dhe t’i jepte fitoren Lushnjës. Jo vetëm se shënoi, por gjatë gjithë kohës ishte i rrezikshëm për mbrojtjen mike. Gjithashtu, edhe Viktor Gjyla shkëlqeu me lojën e tij duke qenë një motor i vërtetë në krah.

MË PAK AKTIVI
Nëse Kukësi do të analizojë me detaje shkaqet e humbjes që pësoi në Lushnjë, një prej arsyeve sigurisht që do të jetë edhe sulmuesi Lazar Popoviç. Serbi nuk ishte në ditën e tij më të mirë në sfidën e djeshme duke shpërdoruar 2-3 raste flagrante. Në këtë mënyrë, ai i hoqi mundësinë skuadrës së tij që minimalisht të kishte marrë një barazim. Megjithëse trajneri Cungu e la në fushë për 90 minuta, Popoviç nuk arriti të shënonte.

Bano: Ishte një start perfekt
Trajneri i Lushnjës, Artan Bano, ka qenë shumë aktiv gjatë të gjithë ndeshjes së djeshme. Në fund ka festuar si i çmendur së bashku me lojtarët, ndërsa është shprehur: “Ishte një fitore shumë e rëndësishme jo vetëm sepse e kemi nisur me këmbën e mbarë kampionatin, por mbi të gjitha se luanin ndaj një kundërshtari të fortë që vinte me moral të lartë pas suksesit në Europë. Jam i kënaqur me skuadrën, për çka dua t’i falënderoj lojtarët për shpirtin e lartë të garës dhe për faktin që besuan deri në fund te fitorja. Falënderoj gjithashtu edhe publikun tonë të zjarrtë për mbështetjen e vazhdueshme dhe korrektësinë që tregoi. Tani do ta shfrytëzojmë periudhën e pushimit për të kolauduar edhe më shumë ekipin, pasi na presin takime shumë të fortë në vazhdim. Do të synojmë që ta ruajmë këtë ecuri dhe të besojmë te forca e grupit”, – përfundon Artan Bano.

Cungu: Sulmi la për të dëshiruar
Për skuadrën e tij, kampionati ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme. Pas mrekullisë që bënë në Europë duke kaluar tri ture, Kukësi i Armando Cungut është mundur në ndeshjen e parë të kampionatit në Lushnjë. Tekniku i kuksianëve, në deklaratën e tij pas ndeshjes, ka thënë: “Kishim ardhur me synime të tjera në këtë transfertë, por nuk arritëm që të realizonim objektivin. Më duhet të them që ndeshja ishte episodike. Faktikisht, gjithçka në këtë 90- minutësh u zgjidh nga rastet e veçanta. Ne patëm 2-3 raste të mira për shënim dhe nuk arritëm të realizojmë, ndërsa Lushnja shfrytëzoi në maksimum rastin që iu paraqit. Theksoj që loja para portës kundërshtare la për të dëshiruar dhe duhet të punojmë për këtë aspekt që të korrigjohemi menjëherë që në sfidën e radhës. Tashmë, kemi këtë periudhë pushimi dhe do punojmë shumë fort gjatë kësaj periudhe”, përfundon Cungu.
ARMAND NEZHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"