Lutaj: Te Flamurtari ka drejtues që duhet të ishin zhdukur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2016 | 14:00

Lutaj: Te Flamurtari ka drejtues që duhet të ishin zhdukur

Edmond Lutaj ka qenë ndër të parët ish-tra jnerë që paditi klubin e Flamurtarit në kohën kur drejtohej nga Shpëtim Gjika.

lutaj-ne-stol
Dje, në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, 48-vjeçari flet për kaosin në klubin vlonjat, arsyet që sipas tij i kanë çuar gjërat deri në këtë pikë, por jo vetëm.

Lutaj mendon se në Vlorë ka ende drejtues që duhet të ishin zhdukur me kohë, pasi mbajnë përgjegjësi për këtë situatë.

Sipas ish-trajnerit, nuk është vetëm faji i ish-kryebashkiakut Gjika.

Zoti Lutaj, ju jeni një prej ish-trajnerëve që keni fituar gjyqin me klubin vlonjat për shkak të mosrespektimit të kontratës. Na tregoni pak historinë e katër viteve më parë.

Ka qenë një moment që nëse klubi do të kishte treguar interes për t’u ulur në bisedime për zgjidhjen e kontratës, kurrsesi gjërat nuk do të shkonin ashtu siç shkuan.

Sjellja e drejtuesve të Flamurtarit më detyroi t’i padisja fillimisht në FSHF, e më pas në FIFA. Çështja ime u injorua krejtësisht, por, me hapat që ndërmora, u tregova drejtuesve të klubit që nuk mund të talleshin me mua. Fitova të drejtën që më takonte, ndërsa drejtuesit duket se kishin bërë të tjera llogari.

Bashkia aktuale akuzon ish-drejtuesit se kanë firmosur dy kontrata me trajnerë dhe lojtarë. Si ka qenë kontrata juaj me zotin Gjika?

Jo, jo absolutisht. Unë kam pasur vetëm një kontratë me klubin Flamurtari, fjala bashki nuk ka ekzistuar në marrëveshjen që kam bërë. Ka qenë 100% e rregullt, me ato shifra që unë kam rënë dakord. Ajo është depozituar edhe në FSHF, të jeni të sigurt për këtë.

Sa kohë zgjati çështja juaj?

Më mori shumë kohë, sepse fillimisht u ankova në FSHF, ku nuk u zgjidh gjë. Më pas, avokatët e mi fatkeqësisht iu drejtuan UEFA-s dhe humbëm kohë. Pra, u gabua, pasi duhet t’i drejtoheshim direkt FIFA-s. Në këto kushte, u ankova në KAS-in e Lozanës dhe aty fitova gjyqin.

Pse ish-drejtuesit e Flamurtarit i kanë çuar gjërat deri në këtë pikë, duke lënë borxhe të shumta prej kontratave që nuk kanë arritur të zgjidhin me konsensus. Cili është gjykimi juaj?

E thashë edhe më lart, është çështje injorimi dhe mosrespekti. Nuk mund të flakësh një trajner apo lojtar duke e injoruar totalisht për kontratën që është firmosur me vullnetin e të gjitha palëve. Nëse mua dhe shumë lojtarëve të tjerë ish-drejtuesit e Flamurtarit do të na ftonin për një zgjidhje me konsensus, puna nuk do të shkonte deri këtu. E përsëris, ka qenë një injorim total që ka sjellë këtë situatë skandaloze. Kjo është më shumë një çështje mentaliteti. Në Shqipëri ka pasur raste kur janë larguar lojtarë e trajnerë dhe kanë ulur kokën, duke i toleruar klubet. Një kontratë është për të dyja palët dhe në rastin e klubit, Flamurtari i ka fyer lojtarët dhe ish-trajnerët.

Ju vetë, çfarë i keni thënë Gjikës në atë periudhë përpara se të padisnit klubin?

Gjika mendonte se puna po ecte keq, sepse ne kishim marrë dy-tre barazime. Unë nuk isha dakord me këtë dhe i thashë që duke qenë se jemi në fundvit dhe kemi probleme me sulmuesit, e riparonim këtë defekt në janar. Mirëpo, Gjika nuk më dëgjoi. Gjithsesi, me çfarë pashë, largimi im nga Flamurtari ka qenë punë konjukturash.

Më konkretisht, kush ishin konjukturat?

Njerëzit afër Gjikës dhe gojëra të këqija që bënin presidentin të ndikohej. Unë nuk u bëra palë me asnjë grup në Vlorë, në një kohë që afër skuadrës qëndronin ndërtues, biznesmenë etj.

Tashmë që dëgjoni se shumë ish-lojtarë dhe ish-trajnerë fitojnë gjyqet me klubin vlonjat, çfarë ju bën më shumë përshtypje?

Është një situatë shumë e keqe, aq më tepër që tashmë bashkia del dhe flet me terma juridike. Ajo që më bën përshtypje janë sjellja në vazhdimësi e drejtuesve. Nëse ti e do klubin tënd, atëherë kur ikën një lojtar, menjëherë mundohesh të zgjidhësh sa më parë kontratën, duke evituar kostot financiare. Tashmë, askush nuk mban përgjegjësi në këtë moment. Një keqmenaxhim i paparë, skandal i vërtetë!

Bashkia aktuale nuk njeh borxhet, si e shikoni tashmë të ardhmen?

Më duket një kaos i vërtetë. Nëse nuk ndërhyn bashkia, Flamurtari do të falimentojë. Duhet një zgjidhje e shpejtë, sepse rrezikohet katastrofa. Edhe Bashkia duhet të mbajë përgjegjësinë e saj. Me sa kuptoj unë, tashmë bashkia thotë: ‘Ia kam lënë Idrizit dhe vrisni veten’. Bashkia nuk duhet të presë buxhetin, sepse nëse ndodh kështu, atëherë ekipi do të jetë zhdukur. Nëse ka vullnet, gjërat zgjidhen. Kostoja i mbetet Flamurtarit në gjithë këtë histori. Administratori aktual mundohet të ndërtojë një mur dhe nga ana tjetër i prishet.

Si kryebashkiaku, ashtu edhe administratori fajësojnë Gjikën për gjithë këtë situatë. Ju si mendoni?

Nuk është faji vetëm i Shpëtimit. Unë mendoj se te Flamurtari ka ende drejtues që duhet të ishin zhdukur. Ata persona që vazhdojnë të drejtojnë, nuk mund ta heqin veten nga përgjegjësia. Gjika ka bashkëpunuar, nuk është faji vetëm i tij. Ka pasur drejtues të tjerë me menaxhim dhe administrim.

Për cilët drejtues e keni fjalën?

Dihet kush është, por nuk dua ta individualizoj. Presidenti i ri duhet të shikojë një herë me cilët po punon ende në klub. Ata që kanë pasur dhe kanë të drejtë firme kanë përgjegjësi për këtë katastrofë. Pra, nuk mund t’ia hedhin fajin vetëm Shpëtim Gjikës.

Intervistoi: Jorgis Memo

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"