Magani: Gabova me Frashërin, humbje e rëndë, tani do rishoh pozicionin tim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2015 | 12:19

Magani: Gabova me Frashërin, humbje e rëndë, tani do rishoh pozicionin tim

Magani dhe Bulku

Trajneri i Tiranës, Gugash Magani, është parë shumë i mërzitur pas ndeshjes. Kjo ndoshta ishte mënyra më e shëmtuar për të festuar 50-vjetorin, me një humbje dhe me një paralajmërim të fortë për dorëheqje. Gjatë intervistës së dhënë për mediat u shpreh se mban përgjegjësi për humbjen me Partizanin, ndonëse pohoi se portieri Stivi Frashëri gaboi rëndë.

Magani, çfarë ndodhi në mbledhjen që zhvilluat në dhomat e zhveshjes?

Unë jam i ndërgjegjshëm dhe e pranoj se ishte një humbje e rëndë. Këtë sezon kam humbur dy derbi dhe e kuptoj zhgënjimin e tifozëve të Tiranës. Për këtë motiv, unë do ta rishoh pozicionin tim.

Çfarë nënkuptoni me “rishoh pozicionin”?

Nuk mund të jap dorëheqjen pa u konsultuar më parë me Halilin, por gjithsesi do ta rishoh pozicionin. Unë e kam marrë një vendim, por nuk mund ta bëj publik pa u konsultuar më parë me presidentin. Kjo, për hir të marrëdhënieve që kam me presidentin e këtij klubi dhe me tifozët. Përgjegjësinë për këtë humbje e marr unë, edhe pse u mposhtëm për faj të portierit.

A mos është i nxituar ky vendim i juaji?

Unë vendimin nuk e kam marrë ende. Të mos keqkuptohemi. Thjesht po them se do të rishoh pozicionin. Në respekt të tifozëve të Tiranës, të cilët presin shumë dhe në raste të tilla sulmohet vetëm trajneri, unë do ta rishoh pozicionin tim. Megjithatë, nuk kam marrë ende një vendim të formës së prerë apo të parevokueshëm.

Pse nuk shërbyen lojtarët për Bushiçin?

Tani unë kam nja dy gjëra që më kanë ngelur peng sepse mund të kisha bërë zëvendësime të tjera, por gjithsesi tani i bie të jetë gjyq pa fund… Futbolli kështu është, nuk ke se çfarë bën. Sa i përket portierit, unë gabova. Stivi (Frashëri) nuk e përballon dot presionin në të tilla ndeshje.

Jeni penduar që keni besuar te Frashëri?

Kjo nuk ka më vlerë. Frashëri është investimi i klubit, por edhe një portier i ri, ndaj dhe besimi që i jap atij është për një arsye logjike. Ndoshta nuk bëra zgjedhjen e duhur, sepse Stivi nuk e përballon dot presionin në të tilla ndeshje. Por sërish po i jap një shans, pasi po marr gjithë përgjegjësinë e humbjes, që ai të ulë kokën dhe të punojë. Nuk është ai lojtar që ne prisnim të ishte.

Si mund ta shpjegoni këtë disfatë, çfarë ndodhi me Tiranën?

Futbolli është i paparashikueshëm, të ndëshkon dhe të nderon aty kur nuk e pret. U ndëshkuam për një vendosje të gabuar të mbrojtjes në golin e parë dhe, për faj të portierit, në të dytin. Skuadra dha gjithç- ka në fushën e lojës, por rezultati nuk më jep të drejtën të them se luajtëm më mirë se Partizani.

Deklarata që bërë sot (dje) a mos është pak e nxituar dhe jo e menduar mirë?

Ndoshta, ndonëse nuk ka shumë kohë që u mbyll ky 90- minutësh. Por jemi bërë edhe pak tifozë. Kjo është një humbje që djeg shumë si tek unë ashtu edhe te skuadra.

Ky vendim i juaji mos erdhi ndoshta prej kontestimit të tifozëve në stadium?

Nuk e di se çfarë kanë thënë tifozët, sepse ndodhesha në dhomat e zhveshjes. Di që nuk kam pasur kurrë asnjë problem me tifozët e Tiranës dhe më kanë respektuar gjatë gjithë kohës.

Ja fjalimi i Maganit në dhomat e zhveshjes

“Këto që do jua them tani, kam në plan që t’i them publikisht edhe para mediave. Kam kaluar shumë mirë me ju dhe nuk kam kurrfarë ankese. Mirëpo, nuk mund të vazhdoj dot më, nuk u dal dot përpara tifozëve dhe as presidentit. Nuk e kam dhënë ende dorëheqjen, të qartësohemi për këtë, pasi nuk dua që të tregohem burracak. Fillimisht do të flas me presidentin dhe, më pas, do ta vendos zyrtarisht. Edhe pse nuk ka kthim pas. Nuk po u jap as dorën tani, pasi kjo s’është hera e fundit që do të shihemi. Do vi që t’ju takoj sërish”

Përgatiti: Adela Merko

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"