Manaj drejt Xhenoas, Tramexani: Më mirë në stol tek Interi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2016 | 12:38

Manaj drejt Xhenoas, Tramexani: Më mirë në stol tek Interi…

E ardhmja e Rei Manajt nuk është saktësuar ende. Burime të besueshme për gazetën “Panorama Sport” kanë bërë me dije se skuadra e Xhenoas është shumë pranë shërbimeve të sulmuesit shqiptar. Edhe pse nuk ka dalë ende asgjë në “skenë”, drejtues të Xhenoas janë duke punuar në qetësi dhe fshehtësi për të bërë lëvizjen në dy ditët e fundit të merkatos.manaj rei Me afrimin e Eder tek Interi, hapësirat në repartin e avancuar janë më pak se minimale për Manajn, prandaj një huazim i mundshëm deri në fund të sezonit do të ishte në të mirë të të gjitha palëve. Përveç kësaj, vijojnë që të jenë në garë edhe Frozinone e Sporting Gijon, ndërkohë që pista e Xhenoas është serioze dhe më shumë konkrete se këto të fundit.

Nga ana tjetër, Paolo Tramexani ka dhënë një deklaratë për “FC.Internews” në lidhje me të ardhmen e Manajt. Megjithatë, duke qenë se e gjithë “zhurma” bëhet për t’i dhënë mundësinë shqiptarit 18- vjeçar që të luajë për të merituar Europianin, numri dy i pankinës shqiptare, pavarësisht se ruan staturën zyrtare, lë të kuptohet se shanset e sulmuesit janë të pakta që të jetë në Francë.

Gjatë intervistës për faqen e lajmeve të dedikuara për skuadrën dhe lojtarët zikaltër, Paolo Tramexani ka qenë i qartë, të paktën për zgjedhjen që duhet të bëjë sulmuesi i Interit. Sipas tij, për momentin, shqiptari duhet të përfitojë sa më shumë nga fakti që është pjesë e një skuadre të madhe si Interi dhe me lojtarët kampionë e me shumë eksperiencë, ndërkohë që në të ardhmen do të mund të mendojë për minutat në këmbët e tij.

Italia apo Spanja: Cila është më mirë për Manajn?

Unë mendoj se edhe fakti që të qëndrojë tek Interi, së bashku me shumë kampionë, mund të jetë pozitive për të dhe që mund t’i shërbejë në aspektin e rritjes si lojtar. Sigurisht që në optikën e së ardhmes, duhet të mendojë që të luajë.

Duke parë nga Europiani?

Për të mirën e tij dhe të të gjithë të tjerëve, nuk mund të lejojmë që ne të shkojmë në Europian me lojtarë që nuk janë të gatshëm fizikisht.

Çfarë këshille do t’i jepni aktualisht: Interin, Spanjën apo Frozinonen?

Nuk e di. Ai ka një agjent shumë të zotin që e njoh. Xhimi Fontana është një njeri me të cilin flasim shpesh. Djaloshi ka cilësi të jashtëzakonshme. Shpresa jonë është që ai të fillojë të luajë dhe të mund të shënojë edhe me Interin.

Kështu që është e thjeshtë, pasi do të jetë i grumbulluar edhe pa shumë minuta të luajtura?

Këto janë vendime që i merr trajneri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"