Meha, gol dhe asist në Turqi: De Biazi merr lojtarë që nuk luajnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2015 | 10:17

Meha, gol dhe asist në Turqi: De Biazi merr lojtarë që nuk luajnë

mehaaaaa

12 ndeshje, 4 gola dhe 5 asiste! Një tregues i qartë se Alban Meha ka rigjetur vetveten në kampionatin turk. Një ekzekutim mbresëlënës nga goditja e dënimit në minutën e 86-të ka mrekulluar të gjithë të pranishmit, kur shqiptari e ka përplasur topin në cepin e trekëndëshit dhe më pas topi ka përfunduar brenda vijës fatale. Realizim me vlerën e tri pikëve për Koniasporin që ka triumfuar 3-2 ndaj Eskisehirsporit. Mesfushori ka qenë protagonist edhe në golin e parë të ekipit, duke qenë asistuesi. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Meha nuk ka shumë përgjigje për të dhënë, ndërkohë që ngre shumë të tilla.

“Kam luajtur vetëm pak minuta kundër Serbisë dhe kur ishin dy ndeshje miqësore, atëherë kur unë mund të kisha një shans për të treguar veten në Kombëtare, nuk mora ftesë. Çfarë duhet të bëj më shumë përveçse të jap maksimumin me ekipin tim, duke asistuar dhe duke shënuar gola rregullisht, për të qenë në Kombëtare”, shprehet ndër të tjera mesfushori i Koniasporit.

Alban, ke shënuar një tjetër gol, në mënyrën siç di ti, dhe ke dhënë edhe asist…

Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe goli i shënuar në minutat e fundit më gëzoi shumë. Jo vetëm mua, në aspektin personal, por të gjithë skuadrën, që nga trajneri dhe të gjithë shokët e ekipit. Fatmirësisht, unë personalisht dhe skuadra po kalojmë një moment të mirë dhe shpresoj që të vazhdojmë kështu. Duket se je ambientuar mjaft mirë në kampionatin turk.

Çfarë ndryshimesh vë re në krahasim me kampionatin gjerman?

Në Turqi janë afruar shumë lojtarë cilësorë, që kanë qenë pjesë e ekipeve më të mira nëpër Europë. Është një kampionat i fortë dhe i luftuar, jo vetëm për titullin, por edhe për të zënë një vend në kompeticionet europiane apo edhe te skuadrat që mbyllin klasifikimin. Sa i përket Gjermanisë, nuk mendoj që është shumë i krahasueshëm, pasi atje është një kualitet tjetër, megjithatë e përsëris që edhe në Turqi është një kampionat shumë cilësor.

Për të kaluar te Kombëtarja, pak minuta ndaj Serbisë dhe i pagrumbulluar në dy ndeshjet miqësore. Pse ka ndodhur kjo?

Kisha shumë dëshirë që të luaja në miqësoren me Kosovën, por sidomos doja që të kisha një shans që të tregoja veten. Dihet që miqësoret janë një mundësi e artë për çdo futbollist që të mund të tregojë vlerat me Kombëtaren, por unë nuk mora ftesë. Prita shansin tim në këto dy ndeshje.

A ke biseduar me trajnerin pse nuk të ftoi?

Jo. Për të vazhduar, madje do të më pëlqente edhe një bisedë me të për të më thënë përse nuk isha në Kombëtare në këto dy ndeshje. Kjo, sepse edhe në dy takimet kundër Portugalisë dhe Serbisë kisha vetëm pak minuta në fund. Megjithatë, është trajneri ai që vendos për çdo gjë.

Në një deklaratë të tijën, De Biazi është shprehur se “nuk do të ftohen ata lojtarë që mërziten kur qëndrojnë në tribunë”…

Së pari, unë nuk e di se për kë e ka adresuar trajneri këtë. Së dyti, unë nuk di të ketë një futbollist në botë që qesh dhe feston kur ngjitet në tribunë. Nëse do të ketë një të tillë, atëherë nuk besoj se ka të bëjë me futbollin. Një lojtar do të ketë minuta në fushën e lojës, që të tregojë se sa vlen. Për këtë e prisja një ftesë në ndeshjet miqësore, sepse po luaj rregullisht, po bëj mirë për ekipin tim dhe po shënoj. Megjithatë, unë nuk isha në Kombëtare, ndërkohë që ishin edhe lojtarë që nuk po luajnë rregullisht. Dhe unë këtë nuk di ta shpjegoj përse ndodh, kur e di që De Biazi ka thënë që do të jenë ata lojtarë që kanë më së shumti minuta me ekipet e tyre.

A e pret një ftesë për dy miqësoret e radhës?

Nuk di çfarë të them. Është trajneri ai që vendos për çdo gjë.

Ke biseduar me të?

Jo, prej një kohe nuk më ka kontaktuar apo që të vijë për të ndjekur ndeshjet e mia. Nuk kam bërë asgjë të keqe dhe as nuk kam shprehur asgjë që të mund të ndikojë që unë të mos jem në Kombëtare.

Do ta doje një ftesë në Europian?

Kjo është një pyetje që e ka përgjigjen brenda kur i drejtohet një futbollisti. Megjithatë, unë dua të theksoj që për momentin jam i fokusuar te skuadra ime dhe te ndeshjet e përjavshme. Po luaj dhe po shënoj. Kjo është detyra ime dhe këtë dua ta bëj më së miri. Më shumë se kaq, nuk e di se çfarë mund të bëj për të qenë në Europian.

Në rast se nuk të vjen një ftesë nga Shqipëria, do ta marrësh në konsideratë ftesën e trajnerit të Kosovës?

Me gjithë respektin, nuk po mendoj për këtë gjë. E theksoj që jam i fokusuar me ekipin tim që të shënoj rregullisht për ta ndihmuar.

Intervistoi: Olsi Tujani

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"