Flamurtari largon Hysën, Cikalleshi huazohet te Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2012 | 13:48

Flamurtari largon Hysën, Cikalleshi huazohet te Tirana

Sulmuesi Vilfor Hysa nuk është më pjesë e Flamurtarit. Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga shefi i klubit vlonjat, Geri Çipi. Nga ana tjetër, dje është bërë fakt i kryer transferimi i mesfushorit Gentian Muça te kuqezinjtë. Ndërkohë, një tjetër çështje që përflitet prej ditësh te Flamurtari, ajo e kapitenit Artan Sakaj, i cili ka kërkuar largimin, duket se ende nuk mund të quhet e mbyllur. Gjithsesi, dje trajneri Shkëlqim Muça deklaroi se mbrojtësi do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës. Zhvillimet e fundit në merkato, të cilat janë bërë publike nga vetë drejtuesit e klubit, kanë konfirmuar gjithçka është shkruar në ditët e kaluara në “Panorama Sport”. Pak ditë më parë gazeta paralajmëroi largimin e Hysës dhe dje drejtuesit u detyruan të heqin dorë nga shërbimet e sulmuesit tiranas. Ky i fundit, edhe pse është shprehur se nuk ka asnjë pengesë dhe do të vazhdojë të qëndrojë te Flamurtari, duket se ka dalë blof, pasi në rastin konkret kontrata me Laçin i ka prishur punë. Në fakt, gjatë kësaj periudhe, dy klubet kanë negociuar për të arritur një akord, por nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Hysës i përfundonte huazimi nga Laçi në muajin janar të vitit 2012, kështu që duhet ta rishikonte kontratën. Në këto kushte, klubi vlonjat mori një vendim, duke nxjerrë jashtë planeve futbollistin 22-vjeçar. Në lidhje me largimin e sulmuesit, trajneri Muça deklaroi: “Kam diskutuar me drejtuesit e klubit dhe tashmë kemi marrë një vendim. Gjithsesi, skuadrës nuk i prishet asnjë plan pas këtij largimi. Kemi alternativa të tjera për sulmin”.
G.Muça Gentian Muça është zyrtarisht blerja e tretë e Flamurtarit në merkaton e janarit. Mesfushori tiranas nënshkroi dje një kontratë 6-mujore me të drejtë rinovimi edhe për një vit tjetër. Nga sa mësohet, lojtari pritet të përfitojë 15 milionë lekë gjatë aktivizimit me Flamurtarin në fazën e dytë. Ka qenë vetë trajneri kuqezi, i cili ka insistuar për afrimin e mesfushorit. Tashmë, me ardhjen e Muçës, i cili ka qenë pjesë e Vllaznisë në fazën e parë, shtohet rivaliteti në mesfushën kuqezi. Pritet që tiranasi të luftojë për një vend në formacion me vlonjatin Kuqi. Ndërkohë, dje Muça ka kryer edhe seancën e parë si lojtar i kuqezinjve.
Sakaj Për trajnerin Muça, kapiteni i Flamurtarit, Artan Sakaj, do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës edhe për fazën e dytë. Mbrojtësi vlonjat ka kërkuar largimin, por gjithsesi klubi nuk dëshiron ta lërë të lirë, në një kohë që 31-vjeçari është pranë transferimit te Tirana. Trajneri Muça ka zhvilluar një takim kokë më kokë me Sakajn pas stërvitjes së djeshme, në një kohë që më parë kishte diskutuar në lidhje me ndryshimet e fundit me presidentin Shpëtim Gjika. “Kam zhvilluar një takim me drejtuesit, në të cilin kemi folur për çështje të ndryshme. Kemi rënë dakord që mbrojtësi Sakaj të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës, pasi është një ndër lojtarët tanë më të mirë. Ndër tjera, ai është edhe kapiten i Flamurtarit. Ekipi ka nevojë për të dhe unë mund t’ju them se asnjëherë nuk e kam dashur largimin e tij. E cilësoj si një element mjaft të rëndësishëm për arritjen e objektivave tona në këtë sezon”,- ka thënë kreu i pankinës.

Reagon Hysa: Do gjej konsensus me Laçin
Drejtuesit e Flamurtarit e shikojnë si të larguar nga skuadra sulmuesin Vilfor Hysa, mirëpo ky i fundit nuk mendon kështu. Në një bisedë për “Panorama Sport”, ai sqaroi se pret të zgjidhë çështjen e kontratës me klubin e Laçit. “Më vjen keq që dëgjoj se drejtuesit e klubit kanë njoftuar largimin tim. Unë jam ende në Vlorë dhe dje jam stërvitur normalisht me skuadrën. Ndoshta drejtuesit janë të shqetësuar për faktin se unë nuk po gjej ende konsensusin me presidentin e Laçit. Gjithsesi, besoj se do të gjejmë një zgjidhje me zotin Laska”,- është shprehur Hysa, i cili ka ardhur në verën e vitit të kaluar te Flamurtari në formë huazimi.

Kuqezinjtë rinisin me dy seanca në ditë
Pas përfundimit të minifazës përgatitore në Turqi, dje skuadra kuqezi u është rikthyer përgatitjeve në qytetin e Vlorës. Pas një dite pushimi, dje stafi teknik ka kryer dy seanca. Në atë të paradites, grupi është drejtuar nga numri dy i pankinës, Johan Drizaj, pasi trajneri Muça ishte në një takim me kryebashkiakun Shpëtim Gjika. Ndërkohë, në seancën e pasdites ekipi është drejtuar nga trajneri Muça, teksa ajo që binte në sy, ishte mungesa e mbrojtësit Rajoviç dhe mesfushorit Lena, të dy të dëmtuar. Ky i fundit mendohet të rikthehet në fushë javën e ardhshme, për të qenë gati në ndeshjen e kupës ndaj Skënderbeut.

Sakaj: Unë pres të marr lejen e kalimit
Artan Sakaj pret të marrë lejen e kalimit te Flamurtari për t’u zyrtarizuar si lojtar i ri i Tiranës. Pavarësisht deklaratës së trajnerit Shkëlqim Muça, i cili bënte me dije se është vendosur që mbrojtësi të qëndrojë te Flamurtari, të kundërtën deklaron vetë lojtari. I kontaktuar dje në mbrëmje nga “Panorama Sport”, Sakaj shkurtimisht u shpreh: “Po pres të marr lejen e kalimit nga Flamurtari dhe më pas të firmos për Tiranën”. Me sa duket, lojtari është i bindur për t’u larguar nga skuadra. Ndërkohë, tifozët kuqezinj kanë reaguar ashpër ndaj klubit në lidhje me largimin e mundshëm të kapitenit. Sipas komenteve të tyre në rrjetin social “Facebook”, nëse ikën Sakaj, Flamurtari humbet shumë. Tifozët i bëjnë thirrje klubit ta mbajë mbrojtësin.
ALTIN PAVLLO

Tirana “rrëmben” Cikalleshin
Tirana i “rrëmben” Skënderbeut talentin kavajas, Sokol Cikalleshi. Kur pritej firma nën kontratë e këtij të fundit, situata ka ndryshuar, pasi lojtari nuk ka pranuar ofertën e kampionëve në fuqi. Lajmi konfirmohet për “Panorama Sport” nga presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, por gjithashtu edhe nga vetë futbollisti. Në fakt, Cikalleshi është nën kontratë me klubin kavajas dhe tashmë pritet të luajë si i huazuar për 6 muaj te bardheblutë. “Kam biseduar me presidentin e Skënderbeut, Agim Zeqo, dhe fillimisht ramë dakord që Cikalleshi të luante si i huazuar për fazën e dytë te Skënderbeu. Mirëpo, sot (dje) qenka mbledhur stafi teknik i korçarëve dhe i paska kërkuar futbollistit të firmosë për 1 vit e gjysmë. Kjo është absurde, pasi kurrsesi Cikalleshi nuk mund të prishë kontratën me Besën për t’u transferuar te Skënderbeu. Mund t’ju konfirmoj zyrtarisht se kam arritur marrëveshjen me klubin e Tiranës dhe Cikalleshi do të luajë për bardheblutë në fazën e dytë. Edhe vetë lojtari e pëlqeu këtë alternativë”,- është shprehur dje Bizhdili.
Lojtari I kontaktuar dje në mbrëmje nga gazeta nëpërmjet telefonit, edhe vetë lojtari konfirmoi se nuk do të jetë pjesë e Skënderbeut. Cikalleshi ka që prej datës 7 janar që po stërvitet tek ekipi korçar, teksa aktualisht ndodhet në Antalia të Turqisë, ku bardhekuqtë po kryejnë minifazën. “Me keqardhje mund të them se nuk kam rënë dakord me klubin e Skënderbeut për të firmosur një kontratë 18-mujore. Kjo nuk është në interesin tim. Erdha me shumë dëshirë te skuadra korçare për të luajtur këto 6 muaj, pasi e ndjeja si detyrim moral, nisur edhe nga dëmtimi që pësova në vitin e kaluar. Megjithatë, nuk ishte e thënë që të luaja sërish për Skënderbeun”,- deklaroi 21-vjeçari kavajas, i cili është nën kontratë me Besën deri në verën e vitit 2013. Ndërkohë, të hënën pritet që mesfushori me tipare sulmuese të nisë stërvitjen me skuadrën bardheblu. Kësisoj, Tirana bën një goditje të bujshme në merkato, aq më tepër që i merr një lojtar Skënderbeut, ekipit rival në luftën për titull. Në Korçë e konsideronin afrimin e Cikalleshit si fakt të kryer, mirëpo gjërat morën rrjedhë tjetër.
FERIZ FERIZAJ

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"