Mihajloviç kriset me Galianin, Berluskoni kërkon ballafaqim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2015 | 11:09

Mihajloviç kriset me Galianin, Berluskoni kërkon ballafaqim

mihajlovicHumbja kundër Juventusit në Torino ka rikthyer “retë e zeza” në “Milanelo”, ku klima nuk është aspak e qetë. Trajneri i Milanit, Sinisha Mihajloviç, ishte i pari që ngriti zërin duke thënë në prag të sfidës kundër bardhezinjve: “Ka një atmosferë shumë të keqe përreth ekipit”. Fjalët e serbit është munduar t’i deshifrojë e përditshmja italiane “La Repubblica”, e cila raporton për një krisje të marrëdhënieve mes administratorit kuqezi, Adriano Galiani dhe teknikut, Sinisha Mihajloviç. Ky i fundit flitet se nuk e ka pritur mirë reagimin e Galianit, i cili u largua menjëherë pas humbjes kundër Juventusit duke kritikuar lojën e kuqezinjve.

Mihajloviç mësohet se nuk e ka “kafshuar gjuhën” dhe i ka vënë në dukje administratorit dështimin gjatë merkatos. Gjatë darkës së famshme në Arkore, ku Berluskoni dhe Galiani i ofruan ish-trajnerit të Sampdorias stolin kuqezi, dy krerët e Milanit i kanë premtues 46-vjeçarit edhe një merkato të pasur: Zlatan Ibrahimoviç, Xhekson Martinez, Miranda, Xhefri Kondogbia dhe Aksel Vitsel ishin emra në “menu”, mirëpo askush prej tyre nuk i kaloi kurrë kangjellat e “Milanelo”-s dhe këtë fakt Mihajloviç mësohet se ia ka vënë në dukje Galianit.

Berluskoni- I kënaqur me punën e bërë deri më tani nga serbi nuk është as numri një i Milanit, Silvio Berluskoni. Presidenti nuk ka dashur ta komentojë disfatën në Torino. I pyetur në lidhje me ndeshjen, ai ka përdorur shprehjen e preferuar të Galianit: “Kur fiton ke të drejtë të flasësh, kur humbet duhet të heshtësh”. Sakaq, Berluskoni pritet që të premten të ketë një ballafaqim me Mihajloviçin. 79-vjeçari do prezantohet në “Milanelo” i shoqëruar nga vajza e tij, Barbara, për të prezantuar sponsorët e rinj, por ky takim do të shërbejë edhe për një sqarim mes tij dhe trajnerit. Mihajloviç ka humbur terren dhe nuk gëzon më besimin e Berluskonit, të cilit nuk i ka pëlqyer filozofia defensive dhe mungesa e lojës që ka treguar ekipi në daljet e fundit. Mbërritur në këtë pikë, drejtuesit kuqezi po mendojnë një shkarkim të mundshëm të teknikut, por kontratat e Sedorf dhe Inzagit, që paguhen nga Milani, frenojnë vendimin drastik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"