Miqësore me Gjermaninë? De Biazi: Ja e vërteta e negociatave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2016 | 21:21

Miqësore me Gjermaninë? De Biazi: Ja e vërteta e negociatave

Shqipëria do të luajë një ndeshje miqësore me Kanadanë më 5 qershor. Burime në FSHF treguan dje për gazetën se është arritur marrëveshja me Federatën e Futbollit të Kanadasë dhe mbetet për t’u përcaktuar vetëm vendi i zhvillimit të ndeshjes.

deKjo miqësore do të jetë si provë gjenerale për skuadrën e Xhani De Biazit, vetëm gjashtë ditë përpara startit të Europianit, kur dhe Kombëtarja do të luajë ndaj Zvicrës më 11 qershor. Nga ana tjetër, Shqipëria synon edhe një miqësore luksi me Gjermaninë në qershor.

Lajmin e ka konfirmuar dje për mediat italiane vetë trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi. Në një bisedë për “Nuova Venezia”, ai e ka bërë fakt të kryer ndeshjen me gjermanët.

Mirëpo, i kontaktuar nga “Panorama Sport”, De Biazi ka saktësuar se nuk e ka dhënë për të sigurt ndeshjen miqësore me Gjermaninë. “Kam thënë ‘mund’, jo se është zyrtare. Ka pasur negociata dhe nuk e di se sa do të realizohet.

E di që është e vështirë”, deklaroi trajneri kuqezi për gazetën. Ndërkohë, nga ana e institucionit të futbollit shqiptar nuk është dhënë asnjë sqarim për negociatat që FSHF po bën me Gjermaninë.

Gjithsesi, një Kombëtare si Gjermania kurrsesi nuk mund t’ia lërë rastësisë planifikimit të miqësoreve në datat e lira të FIFA-s.

Në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Gjermanisë, janë tashmë zyrtare miqësoret që kampionët e botës do të zhvillojnë përpara finaleve të Europianit të Francës, që nis në muajin qershor. Gjermania do të luajë më datat 26 dhe 29 mars, respektivisht ndaj Anglisë dhe Italisë.

Ndërsa për datat 29 maj dhe 4 qershor, ka planifikuar miqësore kundër Sllovakisë dhe Hungarisë. Kësisoj, shanset janë zero që kuqezinjtë të luajnë me “pancerat” para ndeshjeve të Europianit.

Trajneri

De Biazi ka treguar dje gjatë një seminari mjeko-sportiv, ku ishte i pranishëm në Venecia, arsyet përse zgjodhi Shqipërinë dhe suksesin që arriti me kuqezinjtë.

“Më kryesorja është se nuk duroja dot futbollin italian. Kishte shumë hipokrizi dhe ndërhyrje nga presidentët e klubeve për çështjet teknike. Kjo, së pari, është mungesë edukate dhe natyrisht të krijon vështirësi për të punuar i qetë.

Thashë mjaft më kur më larguan nga Udineze pa nisur ende kampionati. Më pas zgjodha Shqipërinë dhe nuk jam penduar, madje jam shumë i lumtur.

Tashmë jemi gati për Europianin, ku do të luajmë shanset tona. Prania jonë në Francë është një ëndërr e bërë realitet, që ne do të mundohemi ta zgjatim sa më shumë. Në Europian nuk është vetëm ekipi, por kemi një popull të tërë me vete”, rrëfen De Biazi.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"