Motosport — 19 Gusht, 2012 11:33

Pedroza niset i pari, panik për Stonerin dhe Hejdenin

Dani Pedroza do të niset sot i pari në Çmimin e Madh të Indianapolisit në Botërorin e MotoGP-së, i cili starton në 20:00. Spanjolli i Hondës realizoi kohën 1’38″813, përpara Horge Lorencos (Yamaha), i cili u ndal vetëm me +0.100 dhe Andrea Doviciozos (Yamaha) +0.422. Koha e katërt dhe radha e dytë për Ben Spajs (Yamaha). Nga radha e dytë do të niset edhe gjermani Stefan Bradl (debutimi i tij me Hondën) dhe Kejsi Stoner, i cili realizoi kohën e gjashtë me gjithë rrëzimin e frikshëm fluturimthi që pësoi në pistë. Një moment ngrihet në këmbë, pastaj bën shenjë nga bokset se ndjen shqetësime. Menjëherë pas aksidentit australiani iu drejtua qendrës mjekësore në cirkuit, ku iu nënshtrua një radiografie që konstatoi frakturë në kaviljen e djathtë. Një vend i tetë për Niki Hejden. Edhe piloti i Dukatit u rrëzua në kualifikueset e djeshme amerikane, çka pezulloi për të dytën herë garën dhe ku komisarët e pistës nxorën flamurin e kuq. Hejden ka rrëshqitur me motorin e tij në kthesën e fundit para vijës së drejtë. Amerikani duket se ka humbur vetëdijen pas kontaktit me asfaltin. Ambulanca ka mbërritur menjëherë në vendngjarje për t’i ardhur në ndihmë pilotit. Vazhdojnë paraqitjet zhgënjyese për Valentino Rosin, i cili sot do të niset i 11-ti. Në përpjekje për të bërë një xhiro të mirë, italiani ka pasur probleme me gomën e pasme. Mbështetja – Niki Hejden ka mbështetur kandidaturën e Andrea Doviciozos për të pilotuar sezonin e ardhshëm me Dukatin, duke thënë se italiani është “zgjedhja më e mirë”. Sipas thashethemeve në bokset e MotoGP-së, piloti i Yamaha Tech 3 u ka komunikuar bosëve të ekipit se nuk do të jetë pjesë e kësaj skuderie sezonin e ardhshëm. Por nëse do të ndodhë, Hejden pohon se Dukati do të bëjë zgjedhjen e duhur. “Nëse do të jetë Dovi, unë mendoj se ai është ndoshta alternativa më e mirë, – tha amerikani. – Ai është një pilot me përvojë, ndaj jam i lumtur. Ai ka kaluar vite te Honda, pastaj te Yamaha dhe ja tani është shumë pranë akordit me Dukatin. Jam i mendimit se përvoja e tij mund të jetë e dobishme për inxhinierët tanë. Pastaj se si do të shkojë te Dukati, ne duhet të presim e të shohim. Natyrisht, unë mendoj se një nga gjërat më të mira të kësaj zgjedhjeje është se Dovi nuk bën shumë gabime në garë. Ai është tepër i saktë, dhe kjo është e rëndësishme. Sepse nëse bën shumë gabime në motorin japonez, kur drejton Dukatin bëhet dyfish. Mbase tamam dyfish jo, por shumë. Pra, shpresojmë se ai mund të sjellë diçka nga përvoja e tij dhe të na ndihmojë të jemi më kompetitivë. Mezi po pres të kem një shok të fortë skuadre”.

Radha e nisjes
PILOTI   KOHA
1. D.Pedroza 1’38.813
2. H.Lorenco 1’38.913
3. A.Doviciozo 1’39.235
4. B.Spajs 1’39.279
5. S.Bradl 1’39.437
6. K.Stoner 1’39.465
7. K.Kraçlou 1’39.549
8. N.Hejden 1’39.748
9. A.Bautista 1’40.072
10. R.DE Puniet 1’40.437
11. V.Rosi 1’40.763
12. A.Espargaro 1’40.803
13. Xh.Hernandez 1’41.197
14. K.Abraham 1’41.295
15. M.Pazini 1’41.370

Te lidhura me artikullin:

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *