Një tifozëri që lind nga sirtari dhe jo nga… stadiumi!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2016 | 11:35

Një tifozëri që lind nga sirtari dhe jo nga… stadiumi!

Gezim SinematiNga GËZIM SINEMATI

Në ditët kur quhej çmenduri të premtoje se Shqipëria do të ishte në finalet e Francës, dashuria për tifozët e Kombëtares i kalonte kufijtë e hipokrizisë.

Për zyrtarët tanë, Leo Mesi i vërtetë nuk ishte një futbollist në fushë, por lojtari i 12-të. Ishin ata që “shënonin”, ndërsa ekipi në fushë humbiste dhe zhgënjente. Prej vitesh kishim shënjuar një binom paradoksal: tifozët duhet të mbanin gjallë frymën e shenjtë të futbollit, kurse ekipi kombëtar, si një gënjeshtër e bukur, të mbante gjallë iluzionin e një suksesi historik.

Tani që jemi në Francë, edhe pse kemi bërë një sforcim moral për të qenë midis më të mirëve, prapëseprapë nuk jemi të lumtur. Trajneri shfaqet i prerë në besë nga shefat sapo publikohen shifrat e parave që do të përfitojë, futbollistët kanë vënë maskën e lumturisë ngaqë senatorët do të ndajnë premion, kurse tifozët, që kujtonin se do të zaptonin stadiumet e Francës, sapo kanë marrë një shuplakë të hidhur. FSHF, ajo që kishte premtuar se Europianin do ta gëzonim bashkë, ka krijuar në “epruvetë” një tifozëri imagjinare, “Fun-Club”, duke injoruar tifozët jetikë të Kombëtares.

Cili vend debutues në Europian do të guxonte të sajonte tifozëri që nuk lind në stadiume, por nga sirtarët e shefave? Fjalë fyese të tifozëve kuqezi në adresë të atyre që tentojnë të fabrikojnë popullin e stadiumit: “Po mundohen që të vjelin frytet e kualifikimit të Kombëtares në Francë dhe të bëjnë pazar për gjithçka që kalon nga duart e tyre”.

Një deklaratë që do të kujtohet gjatë edhe për një arsye të thjeshtë: biletat e Europianit i meritojnë ata që kanë vuajtur më shumë se vetë ekipi gjatë gjithë sezonit. Kemi dëgjuar shpesh se “Elbasan Arena” është stadium i vogël dhe nuk mund t’i kënaqë të gjithë tifozët, por duket se po zvogëlohen edhe stadiumet e Francës. Kjo “magji” ndodh për shkak të stilit të dyshimtë të ndarjes së biletave. Krijohen alibi me vendimet dhe rregullat e UEFA-s, por loja e biletave është kaq ndjellëse, sa nuk do të skuqet njeri për një pabesi të radhës ndaj tifozëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"