Nxënësi sfidon profesorin, ja çfarë thonë para ndeshjes Duro e Josa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2016 | 9:28

Nxënësi sfidon profesorin, ja çfarë thonë para ndeshjes Duro e Josa

Klodian Duro sfidon Mirel Josën. Sot nuk është vetëm një duel mes dy skuadrave që kanë katër vite që rivalizojnë, por edhe mes dy trajnerëve. Duro, që në rastin konkret është nxënësi, po udhëheq Kukësin drejt një ecurie fantastike në kampionat dhe Kupë.skenderbeu - kukesiSkuadra verilindore synon të blindojë vendin e tretë, në një kohë që ka bërë një hap të madh në Kupën e Shqipërisë, duke qenë pranë finales. “Për ne do të jetë një ndeshje e vështirë, për vetë ekipin që ka Kukësi dhe jo për shkak të formës që kjo skuadër po kalon. Do të varet edhe se si do të interpretohet nga dy ekipet, por edhe nga trajnerët”, lëshon sfidën e tij Mirel Josa në bisedën për “Panorama Sport”.

Trajneri i Skënderbeut, i njohur për deklaratat e tij diplomatike, nuk ngurron të theksojë se ky takim s’vendos për titullin. “Asgjë nuk mbyllet pas këtij takimi, cilido qoftë rezultati. Janë edhe shumë ndeshje në lojë dhe gjithçka mbyllet kur matematika ta thotë një gjë të tillë”, theksoi trajneri që ka fituar tri herë titullin kampion me korçarët. Josa nuk lë pas sa ironitë, kur pyetet nëse skuadra e tij është nën presion.

“Ne nuk kemi luajtur asnjë takim me presion deri tani. Ka qenë më shumë preokupim i ekipit për ndeshjen e radhës, sesa një presion kundrejt nesh. Imagjinoni pak çfarë duhet të ndodhë me ekipet e tjera, nëse do të kemi presion edhe ne që jemi të parët”.

Besimi – Klodian Duro është i sigurt se Kukësi i tij do të vijojë ecurinë pozitive ndaj kampionëve. Në intervistën për gazetën, trajneri i Kukësit e argumenton bindjen e tij në formën që po kalon skuadra. “Me këtë ritëm do të vazhdojmë edhe në ndeshjen me Skënderbeun. Kukësi ka bërë shumë hapa para në gjithçka dhe janë faktet që e tregojnë.

Skënderbeut i mungon Salihi? Ok, ai është një lojtar që bën diferencën në çdo ndeshje, por unë nuk dua të mendoj për këtë. Unë dhe skuadra ime nuk i druhemi askujt, kjo gjë vlen dhe për Skënderbeun. Thjesht i respektojmë korçarët”, ka thënë ndër të tjera Duro, i cili ka marrë drejtimin e Kukësit në fundvitin e kaluar.

Gradualisht trajneri i ri shqiptar ka arritur të injektojë frymën e besimit në grupin e lojtarëve, duke e kthyer Kukësin në skuadrën më në formë. Gjithsesi, sot është një provë e madhe ndaj kampionëve, që gjithsesi Duro & CO janë të sigurt se do ta kalojnë duke marrë tri pikët.

duroDuro: Nuk ndalemi, korçarët do t’i mposhtim me tifozët

Trajneri i Kukësit, Klodian Duro, pas dy fitoreve në katër ditë kundër Bylisit për kampionat dhe Flamurtarit për Kupën e Shqipërisë, pret sot tri pikët kundër Skënderbeut. Në një intervistë për “Panorama Sport”, tekniku që po rezulton i suksesshëm me Kukësin, thekson se nuk u druhet korçarëve. Duro i qëndron deklaratës së bërë pak ditë më parë, se është fatkeqësi për skuadrat që do të përballen me Kukësin në këtë moment. Kreu i pankinës nuk kënaqet me barazimin, por sot pret vetëm fitore, teksa u bën thirrje tifozëve që të mbështesin skuadrën në këtë moment fantastik që po kalon. “Do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën lojë, ndaj jam më se i bindur që do të fitojmë edhe kundër korçarëve”, ka thënë dje nder të tjera për gazetën trajneri i verilindorëve.

Duro, keni thënë pas ndeshjes në Vlorë se është fatkeqësi për ekipet që do të përballen me Kukësin në këtë moment. E njëjta gjë vlen edhe për Skënderbeun?

Vijmë pas dy fitoreve radhazi në transfertë me rezultate të njëjta 0-2, si në kampionat, ashtu edhe në Kupë, ku kemi bërë një hap të madh drejt finales. Me këtë ritëm do të jemi edhe në ndeshjen me Skënderbeun. Kukësi ka bërë shumë hapa para në gjithçka dhe janë faktet që e tregojnë. Gjithsesi, ne vazhdojmë të përmirësohemi dhe të punojmë akoma më fort për të arritur atë që dëshirojmë.

Ju kënaq edhe një barazim ndaj kampionëve në fuqi?

Unë kënaqem vetëm me fitore ndaj Skënderbeut. Ne do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën lojë, ndaj jam më se i bindur që do të fitojmë edhe kundër korçarëve. Besoj te skuadra ime dhe nga loja që bëjmë.

Keni zhvilluar 2 ndeshje në 4 ditë, mos ndoshta vini pak të lodhur në këtë sfidë?

Është e vërtetë që kalendari ka qenë i ngjeshur, por, përkundrazi, ne kemi hyrë në fushë në të dyja ndeshjet, si në Ballsh, ashtu edhe në Vlorë, për ta fituar ndeshjen dhe ia kemi arritur. Ndaj Skënderbeut vijmë të plotë dhe me shumë energji për të marrë sërish triumfin. Edhe pse kemi zhvilluar denjësisht dy takime, kemi forcën të luftojmë në të dyja frontet, kështu që pas ndeshjes me Flamurtarin, kemi bërë një program rikuperues dhe me ritmin që duhet kundër Skënderbeut. Qëllimi është që të përmbyllim me sukses këtë javë të rëndësishme.

Kundërshtari juaj la pushim 7 lojtarë në Kupë, duke i ruajtur për takimin ndaj Kukësit. Ju bëri ndopak përshtypje kjo?

Nuk më intereson çfarë bëjnë të tjerët, shoh vetëm skuadrën time.

Fakti që korçarëve u mungon sulmuesi Salihi, jua bën më të lehtë?

Salihi është një lojtar që bën diferencën në çdo ndeshje, por unë nuk dua të mendoj për këtë. Rëndësi ka që ne jemi të plotë si ekip.

A është kjo ndeshje si barometër për forcën e Kukësit?

Kjo është një ndeshje radhe, ku ne duhet të bëjmë detyrën, atë që kemi bërë në të gjitha këto javët e fundit. Ne s’kemi çfarë t’u tregojmë të tjerëve për forcën tonë, pasi kjo është parë që nga janari e në vijim. Kemi nisur një rrugë të gjatë dhe të vështirë, por do t’ia dalim.

Çfarë i druheni më shumë në këtë sfidë?

Unë dhe skuadra ime nuk i druhemi askujt, kjo gjë vlen dhe për Skënderbeun. Thjesht i respektojmë korçarët, kaq.

Mendoni se titulli kampion kalon nga Kukësi?

Ne do të luajmë për t’i fituar të dyja ndeshjet me Skënderbeun dhe Partizanin, kjo është e sigurt. Nga Kukësi kalon vetëm Kukësi.

Keni një mesazh për tifozët?

Pas dy fitoreve të vështira jashtë fushe, tani erdhi momenti që edhe tifozët të vijnë dhe të mbështesin skuadrën në shtëpi, ku së bashku në fund të dalim me tri pikët. I ftoj që të jenë sa më të shumtë në numër, për të mbështetur ekipin e tyre të zemrës kundër Skënderbeut.

Çfarë u keni thënë lojtarëve në prag të ndeshjes?

Ne si staf bëjmë të gjithë më të mirën për të arritur sukseset, por janë lojtarët ata që luajnë në fushë, janë ata aktorët dhe faktorët kryesorë në rrugën drejt suksesit. Kam skuadër e lojtarë me karakter dhe ata po bëjnë gjithçka për fanellën e Kukësit.

Josa1Josa: Titulli s’vendoset në Kukës, të mësohemi pa Salihin

Ndeshja e sotme kundër Kukësit pritet të jetë takimi më i rëndësishëm i gjithë sezonit për Skënderbeun, prej ku do të vendosë një pjesë të titullit kampion. Por, ndonëse do të përballet me një ekip që po gëzon formën më të mirë në kampionat, për trajnerin Mirel Josa ky takim nuk është aspak përcaktues. Në një intervistë për “Panorama Sport”, dje numri një i pankinës vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, duke e cilësuar një përballje të fortë, për vetë faktin se do të luajnë ndaj njëra-tjetrës dy ekipet që kanë qenë rivale në vitet e fundit. Gjithsesi, Josa nuk pranon që ky takim është vendimtar për titullin kampion. Trajneri theksoi se skuadra e tij duhet të mësohet edhe me mungesa si ajo e Hamdi Salihit, që ka prishur jo pak planet e Josës.

Josa, a jeni gati për një takim kaq të rëndësishëm?

Jemi munduar të vijmë sa më të gatshëm për këtë takim, duke parë se kemi luajtur edhe në mesjavë, por një pjesë të lojtarëve i kemi mbajtur pushim enkas për këtë ndeshje. Pavarësisht problemeve me mungesat, besoj se skuadra është gati për këtë takim.

Përballë do të keni ekipin më në formë të kampionatit, i druheni?

Normalisht që pritet të jetë një takim i fortë, kjo edhe për vetë faktin se do të përballen dy ekipe që kanë qenë rivale të titullit në këto katër vitet e fundit. Do të jetë e vështirë për vetë ekipin që ka Kukësi dhe jo për shkak të formës që po kalon. Do të varet se si do të interpretohet nga dy ekipet, por edhe nga trajnerët.

Është kjo transferta më delikate e Skënderbeut në fazën e katërt?

Ndeshja kundër Kukësit është e rëndësishme, por kurrsesi nuk mund të themi që është më e rëndësishmja e sezonit. Nuk është një ndeshje përcaktuese, për vetë faktin se ka edhe shumë takime të tjera. Do të jetë një ndeshje trepikëshe, si për ne që luftojmë për titull, si për Kukësin që ka objektiv Europën. Normalisht do të ketë takime të tjera, që mund të jenë më vendimtare, qoftë për ne, qoftë për të tjerët.

Do të mungojë Salihi, mendoni se ndikon shumë mosprania e tij?

Është një mungesë e rëndësishme për ne, jo vetëm e Salihit, por edhe e Nimagës e Shkëmbit. Pavarësisht këtyre mungesave, ne duhet të mësohemi të luajmë edhe me probleme të tilla dhe të japim më të mirën tonë. Në një sezon mungesat janë gjithmonë të pranishme dhe ma merr mendja se jemi mësuar me të tilla situata. Më e rëndësishme do të jetë që ne të dimë si t’ia dalim mbanë për të zëvendësuar mungesat që kemi.

Duke parë intensitetin e lojës në ndeshjet e fundit, jeni i kënaqur nga paraqitja e ekipit?

Duke lënë mënjanë ndeshjen e Kupës, në kampionat besoj se kemi ardhur duke e rritur nivelin e lojës. Natyrisht që në disa takime kam pasur edhe momente që nuk kam qenë i kënaqur nga lojtarët e mi. Loja kundër Vllaznisë nuk më kënaqi, pasi duhej të bënim diçka më shumë. Megjithatë, mund të them se ka edhe momente kur ekipi nuk punon si duhet, pasi edhe lojtarët nuk janë makineri.

Keni gjashtë pikë diferencë nga vendi i dytë. A është e mjaftueshme për ta interpretuar pa shumë presion takimin e sotëm?

Dua të saktësoj diçka. Ne nuk kemi luajtur asnjë takim me presion deri tani. Ka qenë më shumë preokupim i ekipit për ndeshjen e radhës, sesa një presion kundrejt nesh. Imagjinoni pak çfarë duhet të ndodhë me ekipet e tjera, nëse do të kemi presion edhe ne që jemi të parët.

Duke parë këtë diferencë, kënaqeni edhe me barazim në Kukës?

Futbolli është mjaft kapricoz dhe prandaj që nuk dua të jap asnjë parashikim për këtë ndeshje apo diçka të tillë. Mund të them se ne do të përpiqemi të bëjmë lojën tonë, atë që dimë të bëjmë më mirë dhe të jemi sa më të përqendruar në këtë takim. Se çfarë rezultati do të dalë nga kjo ndeshje, kjo mbetet diçka që do të vlerësohet pas përfundimit.

Nëse Skënderbeu fiton në Kukës, është e mbyllur çështja e titullit?

Shikoni, në futboll nuk mund të flasësh me nëse. Por megjithatë, meqë e bëtë si pyetje, mund të them që asgjë nuk mbyllet pas këtij takimi, cilido qoftë rezultati. Janë edhe shumë ndeshje në lojë dhe gjithçka mbyllet kur matematika ta thotë një gjë të tillë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"