Odiseja e tifozëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2016 | 15:50

Odiseja e tifozëve

saimir demiNga SAIMIR DEMI

Gjatë kësaj periudhe dimri është folur shumë për një merkato të nxehtë të skuadrave tona, madje disave u ka mjaftuar janari për ta ndryshuar fare pamjen e tyre. Kuptohet që i gjithë ky shpenzim bëhet për të ndikuar për mirë në cilësinë e lojës.

Por, nëse flitet për këtë treg dimri kaq të frekuentuar, një tjetër arsye e rëndësishme e kësaj reklame të madhe është edhe “të blesh” sa më shumë tifozë, për t’i pasur më pas si mbështetje për pjesën e mbetur të kampionatit. Pra, me fjalë të tjera, nëpërmjet ekipeve që ofron, të ndikosh në indiferencën e tyre. “Mjafton një territor rreth 700 metra kuadrat, një top dhe 22 këmbë të talentuara për ta lëvizur…”, ky mund të jetë një përkufizim klasik, por nuk është futbolli.

Njerëzit e shkallëve janë një pjesë e painjorueshme e spektaklit. Në të kundërtën do të ishte si të ndiqje një shfaqje teatri pa spektatorë, ku nga kumbimi aktorët të dëgjonin vetëm zërin e tyre dhe asnjë duartrokitje. Edhe me këtë futboll që luhet në Shqipëri ka qytete ku nevojitet shumë pak për të ngjallur ndjenjat e vjetra, ndërsa diku tjetër nuk janë të mjaftueshme as milionat.

Rreth Vllaznisë ka filluar të shtohet ndjeshëm suporti, kuptohet me sa të lejon “Reshit Rusi”, fusha sportive ku shkodranët janë transferuar provizorisht. Dhe gjithçka ndryshoi vetëm sepse drejtuesit iu bindën opinionit të përgjithshëm për të kthyer Armando Cungun në krye të pankinës dhe t’i paguanin rrogat e prapambetura.

Më pas, pak lëvizje në periudhën e transferimeve, por që mund të ndikojnë në objektivat minimale të kësaj skuadre. Pra, mund të bësh bujë duke e ngacmuar shpirtin e tyre që i vlerësojnë maksimalisht simbolet e qytetit edhe pa folur gjithmonë për shifra të ekzagjeruara. Ndërsa tifozët e Partizanit kanë pësuar një lloj metamorfoze. Dikur (përpara viteve ’90) nga më entuziastët dhe më të shumtë në numër, të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë.

Disa vite më parë, pikërisht kur skuadra e tyre ndodhej në kategorinë më të ulët të mundshme, u bënë shembulli i sakrificës, duke e ndjekur edhe në zona rurale, për të treguar se në shpirtin e tyre vazhdonte të jetonte një legjendë. Ndërsa tani, pjesa më vitale janë komentatorët në “Facebook”, ku kushdo i jep të drejtën vetes të shajë me fjalor burgu, apo më intelektualët të sugjerojnë me ngulm ndryshime në module taktike, apo të kërkojnë herë pas here edhe ndryshime të pankinës.

Por, për ndeshjen kundër Laçit, ishin në shkallë vetëm ata më të dobishmit, megjithëse Skënderbeu ishte mundur në Shkodër, ndeshja luhej në “Qemal Stafa”, ku të çojnë të gjitha linjat urbane, madje edhe megjithëse ishte dita e fundit e çmimit të vjetër të biletës. Pothuajse e njëjta pjesëmarrje edhe një javë më pas ndaj Flamurtarit, e luajtur po në të njëjtin ambient.

E njëjta gjë vlen edhe për vlonjatët, ku investimi i klubit nuk rakordon me mbështetjen e publikut. Ndoshta në këtë rast mbështetja e tifozëve duhej të ishte edhe një lloj trysnie ndaj Bashkisë, e cila akordoi për Flamurtarin një fond qesharak, më pak se gjysma e atij për Orikumin, si duket me logjikën që të pushosh në “Plazhin e Vjetër” kushton shumë më lirë se matanë Radhimës.

Por, ka edhe arsye të tjera që të bëjnë të mendohesh dy herë për të shkuar në stadium. Një grup tifozësh të Skënderbeut, të cilët ashtu si skuadra e tyre prej vitesh janë kampionë të vërtetë të sjelljes, u sulmuan në Shkodër gjatë ndeshjes së vlefshme për Kupën e Shqipërisë dhe në takimin tjetër për kampionat që ekipi i tyre do ta luante po kundër Vllaznisë, nuk udhëtuan fare.

Por duhet theksuar se këto takime nuk u zhvilluan në “Loro Boriçi”, pasi kjo është shumë e rëndësishme. Ndërsa për ndeshjen ndaj Kukësit i gjetën portat e stadiumit të tyre të mbyllura, sepse herën e fundit që u luajt në atë impiant, një i prishur nga mendtë kishte hedhur diçka në fushë dhe kështu që për të dielën ishte e dënuar Korça me gjithë rrethinat.

Mirëpo, ka edhe raste që mund të ndodhin vetëm këtu, siç ishte ai i mbështetësve të Tiranës në transfertën e Pukës. Sipas gazetarit të terrenit, hyrja në stadium ishte vendosur të ishte e lirë, përveç 100 të ardhurve nga kryeqyteti, të cilët duhet që të paguanin për të ndjekur atë 90-minutësh.

Diçka që çedon te mikpritja, pasi ato të ardhura të mbledhura nuk ndikojnë në buxhetin e klubit, ndërsa ata tifozë fanatikë të Tiranës nuk mund të ndalohen të udhëtojnë për 3000 lekët e biletës. Duhen apo nuk duhen… kjo është çështja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"