Opinion — 22 Qershor, 2012 12:38

Anglia “italiane” dhe “mina me sahat” e Prandelit

Nga XHANFRANKO ZOLA
Ka kaluar shumë kohë që nga 12 shkurti i 1997-ës, kur Italia mundte Anglinë në “Uembli” duke bërë një hap të rëndësishëm drejt Botërorit të 1998-ës (shënoi pikërisht Xola). Dhe unë personalisht heq një paralele me skuadrën e tanishme. Atëherë ishte koha kur kombëtaren sapo e kishte marrë në dorë Çezare Maldini pas epokës “Saki”, duke ndryshuar edhe mënyrën e lojës: mentalitet mbrojtës përkundrejt lojës sulmuese që aplikonte Glen Hodëll. Sot kanë ndryshuar kahet: Italia e Prandelit është më shumë se kurrë “spanjolle”, kurse Anglia e Hoxhsonit nuk ka thuajse asgjë nga futbolli tipik anglez. I kam parë të luajnë me një modul 4-4-2 nën një presing të madh, duke u dhënë shumë rëndësi hapësirave në mesin e fushës dhe ngushtimit të skuadrës, aq sa kur mbron nuk është çudi që të shikosh në hyrje të zonës edhe një sulmues tipik si Runi. Në fakt, pas shumë kohësh që në Angli kanë drejtuar trajnerë italianë, edhe ata e kuptuan mirë se për të fituar një ndeshje duhet të dish më së pari se si të mbrohesh. Dhe këtu shihet mjaft edhe dora e Hoxhsonit. Filozofia e tij ka qenë e tillë edhe kur ishte te Zvicra, edhe kur drejtonte Interin, por edhe kudo ku ka shkuar dhe ka drejtuar. Organizim, rregull dhe ndjekje me përpikëri të skemave, aq sa ia ka kaluar edhe një “fanatiku” si Arrigo Saki. Nga ana tjetër, Italia që pamë ndaj Irlandës surprizoi disi edhe Platininë, por dyshoj se mund të bëjë të njëjtën gjë te Hoxhson, një person ky që e njeh mjaft mirë futbollin tonë. Kjo kombëtare më kujton shumë atë gjermane në Botërorin 2010: me lojtarë të rinj, grintë dhe plot ide. Për më tepër, Prandeli ka pasur guximin që të provojë të luajë jo “alla italiana”, duke u investuar më shumë mbi kualitetet, mbi mbajtjen e topit dhe ndryshimin e mbrojtjes nga 4 në 3, duke i dhënë më shumë rëndësi mesfushës. Më pëlqeu shumë ideja e vendosjes së De Rosit në qendër të mbrojtjes, pasi e shikoj si një lëvizje të zgjuar nisjen e aksioneve pikërisht nga mbrojtja. Duke besuar se edhe ndaj Anglisë, Prandeli do të luajë me tre mbrojtës sikundër ndaj Spanjës, mendoj se loja e Italisë do të jetë shumë më e ekuilibruar. Për të ardhur te Bolateli. Unë e kam trajnuar kur drejtoja U-21 dhe po ju them me siguri se nuk kemi parë ende Balotelin më të mirë në këtë Evropian. Ai është tipiku i sulmuesit që mund të bëjë repart edhe i vetëm. Por duhet të përmirësohet tek fakti i të qenit më shumë futbollist për skuadrën. Nuk ka rëndësi se ku e vendos të luajë, në të djathtë, të majtë apo në qendër të sulmit, pasi i ka të gjitha kartat në rregull për të qenë produktiv, por këtë gjë duhet ta kuptojë më së pari vetë Baloteli. Ndërkaq, nëse Italia do të luajë si në përballjen me Spanjën, problemi do të jetë për anglezët dhe jo më për skuadrën e Prandelit. Kësaj skuadre momentalisht i mungon paksa saktësia para portës, pasi krijon shumë raste, por nuk ka shënuar edhe aq shumë. Gjithsesi, në fillim të këtij Evropiani unë pata thënë se kjo Itali është një “minë me sahat”. Le të shpresojmë që nuk kam gabuar.

Te lidhura me artikullin:

Etiketa:

1 Koment

  • per mendimin tim neqoftese Italia e kalon me sukses Angline e shoh ate finaliste pasi ndeshjeve me gjermanet ja ka mare dorenata jane si macja e zeze per ta po behen me shume se 35 vjet qe gjermanet nuk kane fituar asnje ndeshje qofte dhe miqesore

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *