Opinion — 11 Janar, 2012 10:56

Çaushi: Ja skandali me konkursin në Universitetin e Sporteve

Doktore e Shkencave, Alketa Çaushi, ka thyer heshtjen duke denoncuar, sipas saj, parregullsitë e konstatuara gjatë procesit të konkursit për vendin vakant të një punonjësi mësimor shkencor (lektor) pranë Fakultetit të Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit, Departamenti i Organizimit dhe Menaxhimit të Universitetit të Sporteve. Në një intervistë për “Panorama Sport”, asistentja e zëvendësministrit të Sporteve, Dashnor Bajaziti, deklaroi se intervista e bërë përpara komisionit ka qenë një paçavure dhe e inskenuar dhe se kriteret kanë qenë qëllimisht të përcaktuara për të shpallur fitues një kandidat tjetër.
Pse ankoheni për konkursin e përzgjedhjes për pedagoge pranë Universitetit të Sporteve?
Edhe pse prej vitesh si Doktore e Shkencave kam tentuar të bëj konkurs, më në fund dosja ime e dokumenteve arkivohet dhe protokollohet nga komisioni përkatës. Por, që në momentin kur hymë në konkurs, mund të them se fitues ishte përcaktuar kandidati që ishte edhe rrogëtar pranë këtij universiteti. Sa për dijeni, nuk ishte publikuar se për çfarë lënde do të konkurronim. Si procedurë unë mund të konkurroj me një Doktor Shkencash, por kurrsesi nuk mund të më marrë në pyetje një i tillë. Gjatë intervistës konstatova se komisioni nuk kishte si qëllim të maste njohuritë e mia, por çuditërisht vuri në pikëpyetje nëse dokumentacioni që unë u kisha vënë në dispozicion ishte i vërtetë apo jo. Në fakt, dëshmia e gjuhës së huaj është e përcaktuar qartazi nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, njohuritë e mia për kompjuterin janë përcaktuar nga kursi që unë kam ndjekur, etj. Në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik ishte publikuar njoftimi për shpalljen e konkursit për vendin vakant të një punonjësi mësimor shkencor (lektor) pranë Fakultetit të Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit, Departamenti i Organizimit dhe Menaxhimit të Universitetit të Sporteve, ndërkohë që minimumi në përzgjedhje është që kandidati duhet të ketë master. Për këtë çështje, edhe vetë kryeministri Berisha e ka ngritur me të madhe që Doktorët e Shkencave të mos lihen jashtë stafeve akademike. Në kriteret e publikuara në buletin për të interesuarit konstatohej një ulje e standardeve, pra kërkohej që kandidati të kishte mbaruar studimet e larta pranë UST-së apo të kishte notë mesatare për studimet e larta jo më pak se 8, ndërkohë që kishte edhe notë mesatare 9.5 apo 10.
Sa ishte numri i kandidatëve që hynë në garë?
Ka pasur mjaft emra, por shumë prej tyre ditën e konkurrimit nuk janë paraqitur. Madje, edhe ne na është bërë një telefon 24 orë përpara, ndonëse me ligj lihet në dispozicion një afat kohor më i gjatë apo dhe në rregulloren e brendshme të shkollës (neni 24, pika 15), taksative thuhet që lajmërimi duhet bërë zyrtarisht me shkresë apo nëpërmjet email- it, që një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ditën e konkurrimit bashkë me mua ishin edhe dy zonja të tjera, në profilin e fitnesit, pra pikërisht në fushën përkatëse. Pra, kjo treshe ishte në kualifikimin më të lartë.
Pse pretendoni që ka devijim në përzgjedhjen e kandidaturës prej komisionit përkatës?
Mjafton të hapësh faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik e të shohësh se çfarë kriteresh janë vënë për të interesuarit e këtij konkursi. Me pak fjalë, kriteret janë vënë në shërbim të personit që do të përzgjidhej nga komisioni. Ka qenë një lloj interviste, ku vetëm për lëndën nuk flitej, ndërkohë që kërkoheshin detaje nga më të ndryshmet, statistikë, departamentin e marrëdhënieve me jashtë e ku di unë çfarë. Kjo ishte hera e parë që konkursi zhvillohej në këtë lloj forme. Pjesë e komisionit ka qenë zëvendësrektori (Doktor Shkencash), një pedagog i fushës përkatëse dhe dekani i fakultetit.
Në korrespodencën që keni pasur me anëtarët e komisionit pas konkursit, çfarë ju kanë komunikuar?
Asgjë tjetër përveçse një telefonate të thatë që nuk keni fituar. Se kush ka fituar, asnjë prej aplikantëve nuk e di, sikurse asnjë prej nesh nuk e di se kush është skualifikuar. Minimalisht rregullorja na jep të drejtën që të informohemi, ndërkohë që e përsëris: si ditën e konkurrimit dhe pas saj më kanë vënë në dijeni vetëm me anë të telefonit.
Ju personalisht si do ta përkufizonit këtë procedurë të ndjekur nga autoritetet e universitetit?
Edhe sot e kësaj dite nuk e kuptoj. Të jesh Doktore Shkencash dhe nga ana tjetër të përzgjidhet dikush i sapodiplomuar, është e pavend dhe jashtë logjikës. Gjithçka që unë kam arritur deri tani, e kam bërë duke sakrifikuar si materialisht dhe moralisht nga vetja dhe familja ime. E them me bindje se në fushën për të cilën kam investuar jashtëzakonisht jam më e mira dhe do të ballafaqohesha me cilindo. Realisht tendenca e anëtarëve të komisionit ka qenë që unë të mbetesha jashtë listës. Mund t’ju them se kemi zhvilluar një intervistë paçavure, një intervistë të inskenuar ku unë e kam ndier veten në inferioritet. M’u duk vetja si mësuese e një shkolle 8-vjeçare, ndërkohë që mësues ishte dikush tjetër që hyri në garë me mua dhe fitoi. Pra, ishte një injorim. Ditën e konkursit nuk u përmend asnjëherë nëse kemi botime shkencore, kualifikime brenda apo jashtë. Personalisht kam disa vite që jam aktive në botimet shkencore, sikurse dhe në kualifikimet si brenda dhe jashtë vendit, madje duke mos qenë edhe pjesë e institutit. Pra, gjithçka e kam realizuar në mënyrë individuale. Duhet ta dini se nëse je pjesë e universitetit mund të përfitosh me lehtësi mjaft kualifikime, si doktoraturë, master evropian etj, etj. Me pak fjalë, ishte një injorim karshi figurës sime. Për këtë çështje kemi vënë në dijeni ministrin, dy zëvendësministrat, si dhe komisionin parlamentar për edukimin dhe mjetet e informimit publik. Në fakt, për ministrinë nuk e dimë se sa akses kanë për ta marrë në konsideratë shqetësimin tonë, pasi universitetet mbrojnë tezën që janë të pavarura si institucione. Gjithashtu, me këtë çështje do të vëmë në dijeni edhe Kryeministrinë.
Kujt ia faturoni këtë që ka ndodhur me ju?
Rektorit, dekanit, personit që ka nxjerrë kriteret për këtë proces konkurrimi. Nuk e kuptoj se kush është qëllimi i kësaj, nuk duan konkurrencë apo nuk duan femra. Nuk di si t’ia vë emrin, dhe ndihem shumë e fyer. Edhe kur hymë në intervistë, na dukej vetja sikur na drejtoheshin se çfarë donim aty.
Në rast se kjo çështje nuk gjen zgjidhje sikurse ju pretendoni, ekziston mundësia ta ndiqni në rrugë ligjore?
Sigurisht që edhe ne këtë po kërkojmë. Madje edhe vetë rektori na ka thënë që mund t’i drejtoheni Gjykatës së Lartë. Këtë çështje e kemi apeluar dhe presim përgjigje brenda pesë ditëve. Gjithashtu, dosjen e kemi vënë në dispozicion edhe të senatit.

Asistente në MTKRS
Veç angazhimeve me studimet shkencore, Alketa Çaushi punon edhe në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Prej vitit 2010, Çaushi është asistente e zëvendësministrit të Sporteve, Dashnor Bajaziti. Po prej këtij viti, Doktore e Shkencave, Çaushi, është edhe anëtare e Komitetit të Antidopingut në institucionin e sportit më të lartë në vend.

KUSH ËSHTË
Alketa Çaushi ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Sporteve “Vojo Kushi”, me titullin “Mësuese e edukimit fizik”. Në vijim ka përfunduar SHPU-në dyvjeçare pranë këtij universiteti, si dhe masterin me vlerësimin maksimal. Njëherësh ka përfunduar dhe ka marrë gradën Doktore Shkencash mbi fitnesin dhe shëndetin. Nga vitet 1982-1988 Çaushi ka qenë atlete e klubit të Skënderbeut, ndërsa në 1983 ka thyer rekordin kombëtar të moshave në garën e 400 metrave me kohën 1’08″6. Një vit më vonë ka barazuar rekordin e 100 metrave me 13 sekonda. Gjatë karrierës së saj sportive, Çaushi, përkatësisht nga 1990-1993, është aktivizuar edhe në radhët e kryeqytetaseve të Studentit. Prej 2000 e në vazhdim është gjyqtare pranë Federatës Shqiptare të Atletikës dhe asaj të Notit.

DOSJA PËRFUNDON NË PARLAMENT
Tri prej kandidateve të regjistruara në konkurrim, Doktore e Shkencave Alketa Çaushi, Mcr. Adriatike Mara dhe Mcr. Elvia Baze, i janë drejtuar Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ku shprehin shqetësimin për procesin e zhvillimit të konkursit. “Pas shpalljes së vendeve të lira në Agjencinë e Prokurimeve Publike nga Universiteti i Sporteve, në dy fakultetet vihen re paqartësi dhe jokorrektësi që në shpalljen e kritereve, që janë në kundërshtim me rregulloren e brendshme të vetë universitetit. Ndërsa për këto parregullsi njëri fakultet kthen datën për të ristandartizuar dhe rregulluar në bazë të ligjeve kriteret për konkurrim, fakulteti tjetër e zhvillon konkursin, a thua se të dyja punojnë me 2 rregullore të brendshme”.

Kaçurri: Presim vendimin e komisionit
Zëvendësrektori i Universitetit të Sporteve të Tiranës Arben Kaçurri u shpreh se çështja “Çaushi” do të marrë përgjigje zyrtare brenda kësaj jave, ku do të shqyrtohet edhe ankimimi i kandidates. I kontaktuar mbrëmjen e djeshme në telefon nga “Panorama Sport” Dr.Kaçurri, njëherësh anëtar i komisionit për shpalljen e konkursit për vendin vakant të një punonjësi mësimor shkencor (lektor) pranë Fakultetit të Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit, Departamenti i Organizimit dhe Menaxhimit të Universitetit të Sporteve, do të sqaronte: “Për momentin nuk mund të jap një reagim zyrtar veçse mund t’iu informoj se kandidatja në fjalë do të marrë përgjigje përfundimtare pasi të bëhet shqyrtimi i ankimimit të kërkuar prej saj. Duhet të pritet vendimi, kësisoj nuk mund të paragjykoj vendimin e komisionit, i cili besoj se do të zbardhet brenda kësaj jave”, u shpreh për gazetën zëvendësrektori i Universitetit të Sporteve të Tiranës Arben Kaçurri. Konkursi – Veç konkursit për vendin vakant në Fakultetin e Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit, në buletinin e Agjencisë të Prokurimit Publik, që daton më 19 dhjetor të 2011-ës është bërë publik njoftimi edhe për shpalljen e konkursit për vendin vakant të një punonjësi mësimor shkencor (lektor) pranë Fakultetit të Shkencave të Lëvizjes, Departamenti i Mjekësisë Sportive në Universitetin e Sporteve të Tiranës. Sikurse mësohet, për momentin ky konkurs është anuluar.
OLGERT SERANI

Te lidhura me artikullin:

Etiketa:

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Sport Online. Moderatori

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *