Opinion — 11 Korrik, 2012 11:52

Ulja e pagave, komardare që Milani të dalë nga kriza

Nga PIETRO MAXARA
Histori kostosh, histori rrogash, ky është argumenti kryesor për të cilin po flasin të gjithë në shtëpinë e Milanit. Adriano Galiani kishte thënë vite më parë se futbolli dhe ekonomia italiane janë në krizë. Si rrjedhojë, klubet italiane nuk mund të krahasohen (për sa i përket profilit ekonomik) me klubet evropiane: “Zotërinjtë që fitojnë 10-12 milionë euro nuk do të vijnë më në Itali”, – ka deklaruar administratori kuqezi, duke iu referuar pagës bruto prej 20 milionë eurosh të sulmuesit Zlatan Ibrahimoviç. Paga e suedezit peshon shumë në bilancin e Milanit, i cili tashmë ka ndezur llambën e kuqe. Për të dalë nga kriza Adriano Galiani kërkon të ulë në maksimum listën e pagave të futbollistëve kuqezi. Galiani është një mjeshtër në këtë sens, por duhet parë nëse Ibra me shokë do të pranonin një zgjidhje të tillë? Faktikisht suedezi nuk do të pranonte kurrë që të paguhej më pak se 6 milionë euro në sezon për katër vjet. Si rrjedhojë, nuk përjashtohet mundësia që ai të bëjë gati valixhet për t’u larguar nga Milano. Superfuqitë evropiane mund t’i garantojnë Ibrës të njëjtën pagë që merr aktualisht te Milani. Mançester Siti dhe PSG-ja janë destinacione që shikohen me sy të mirë nga sulmuesi 30-vjeçar. Gjithsesi, Ibra edhe mund të pranojë të qëndrojë te Milani duke përfituar rreth 60 për qind të pagës së tij aktuale për vitet në vazhdim. Pas vështirësive për t’ia reduktuar pagën një kampioni absolut si Zlatan, vjen radha e Robinjos, i cili përfiton rreth 6 milionë euro neto në sezon. Braziliani nuk e shikon me sy të mirë transferimin e tij te Malaga, dhe mund të marrë në konsideratë propozimin e Milanit për t’ia ulur pagën nga 6 milionë euro në 4. Gjithsesi, kuqezinjtë nuk mund ta tërheqin si shumë litarin për sa i përket uljes së rrogave. Kampionët që kanë në skuadër mund të sakrifikojnë duke parë vështirësitë ekonomike që po kalon Evropa, por nuk do pranonin kurrë ulje drastike pagash, siç synojnë drejtuesit kuqezi.

Te lidhura me artikullin:

Etiketa:

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *