Partizani, 20 mijë euro premio për tri fitoret e radhës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2016 | 11:45

Partizani, 20 mijë euro premio për tri fitoret e radhës

Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, ka vendosur një tjetër premio të majme për lojtarët e tij në rast se arrijnë të fitojnë tri ndeshjet e radhës. gaz-demi20 mijë euro do të jetë shuma nëse të kuqtë marrin nëntë pikë të plota në takimin ndaj Laçit në transfertë, me Flamurtarin po jashtë fushe, si dhe me Vllazninë në shtëpi. Një gjë e tillë lojtarëve u është bërë me dije ditët e fundit, duke rritur edhe më shumë karikimin në radhët e tyre.

Kampionati ka hyrë në një fazë finale dhe drejtuesit e kuq po mundohen t’u qëndrojnë afër lojtarëve në të gjitha mënyrat, përfshi këtu edhe aspektin financiar. Nuk duhet të harrojmë se barazimin me Skënderbeun presidenti Demi e konsideroi fitore dhe u dha lojtarëve 15 mijë euro premio, siç u pati premtuar. Madje ai shtoi të njëjtën shumë për fitoren ndaj Teutës.

Pas trepikëshit që të kuqtë morën në Durrës, drejtuesit shpërndanë 30 mijë euro për skuadrën. Burime pranë klubit bëjnë me dije se Demi do të vazhdojë të motivojë lojtarët e tij deri në fund të kampionatit me shuma të ndryshme shpërblimesh për ndeshjet që do të luajnë në këtë fazë të katërt të kampionatit.

Titulli kampion është objektivi final i Partizanit në këtë sezon futbollistik dhe katër pikë diferencë nga vendi i parë shihen si të rikuperueshme nga të kuqtë. Por, duhet pranuar se dy transfertat e para të skuadrës që drejtohet nga Agostineli nuk janë aspak të lehta, duke parë se luhet ndaj kurbinasve dhe vlonjatëve, që nuk kanë pozita shumë komode në tabelën e renditjes dhe rrezikojnë objektivat e tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"