Partizani mund Tiranën, tifozët e kthejnë në arenë boksi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2016 | 17:36

Partizani mund Tiranën, tifozët e kthejnë në arenë boksi

Partizani U-19 është shpallur fitues i Kupës së Shqipërisë, pasi ka mundur në finale Tiranën me rezultatin 2-1, takim i cili u zhvillua në stadiumin “Qemal Stafa”.

12729157_473017739559294_6033075873938572660_nIshte hera e parë që mbahej një turne i tillë për këtë grupmoshë, kupë e cila u zotërua nga Partizani. Ka qenë një fitore më se e merituar e të besuarve të trajnerit Genc Tomori, të cilët, pas fitimit të trofeut të titullit kampion në sezonin e kaluar, dje kanë bërë të tyre edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë.

Derbi final i Kupës dhuroi lojë dhe emocione në fushën e lojës dhe, në fund, trofeun e ngritën lart “demat e kuq”, falë golave të Vllacajt në minutën e 19-të dhe të Bajramit në të 61-ën. Ndërsa golin e nderit për bardheblutë e shënoi Prendi në minutën 82.

Takimi

 

Pas vonesës gati 20- minutëshe në fillimin e finales, minutat e para të takimit ishin të qeta. Shkëndija e parë vjen nga Tirana në minutën e 6-të, por gjuajtja e Grend Halilit përfundoi në shtyllë.

Pas kësaj mundësie, loja merr më shumë ritëm dhe në çdo minutë krijohen raste nga të dyja skuadrat. Në minutën 19, të kuqtë e zhbllokojnë rezultatin.

Lika pason te Bardhi, i cili, pasi i shpëton mbulimit të mbrojtjes, del i lirë. Por kapiteni preferon që të japë një asist për Vllacajn në të djathtë, që me portën e gjysmëboshatisur ia kalon topin mes këmbëve të portierit, 1-0 për Partizanin.

Në minutën e 28- të, Prendi mundohet të përfitojë nga një gabim i portierit Dajsinani, por në fund rikuperon “gardiani” i kuq. 1-0 mbyllen 45 minutat e para.

Pjesa e dytë është disi më e bukur, pasi Tirana mundohet të ushtrojë presion që në nisje. Në minutën e 48-të, Halili, i cili nuk e pati fatin me vete dje, krijon një mundësi, por pa rezultat. Pas një 10-minutëshi konfuz, Partizani ridel në lojën e tij dhe në të 61-ën minutë realizon edhe golin e dytë me Bajramin (pas krosimit të Bardhit, topi devijohet nga portieri Shehri dhe sulmuesi i të kuqve me kokë e dërgon në rrjetë).

Ky gol sjell qetësi te Partizani, ndonëse ndikon negativisht te lojtarët, pasi lëshojnë terren duke kujtuar se ia dolën. Në minutën e 82-të, bardheblutë përfitojnë nga ky moment përgjumjeje i të kuqve dhe ngushtojnë rezultatin.

Prendi, lojtari që krijoi disa raste për Tiranën në këtë finale, pasi ka dalë i vetëm me Dajsinanin godet bukur duke e mposhtur për herë të parë portierin e kuq, gol i cili ishte i pari për Partizanin në këtë veprimtari. Gjithçka u mbyll në shifrat 2- 1 për “demat”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"