Partizanit apo Flamurtarit, cilit i vodhën portofolin?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 8, 2016 | 15:31

Partizanit apo Flamurtarit, cilit i vodhën portofolin?

Gezim SinematiOPINION Nga GËZIM SINEMATI

Një gol i anuluar për Partizanin, mu në mes të “Qemal Stafa”-s, në një ndeshje të sikletshme me Flamurtarin, s’duhet marrë vetëm si shans për t’iu vërsulur arbitrave, por edhe një shuplakë për ata që predikojnë se “demat” janë të paprekshëm dhe perënditë kanë bekuar sezonin e tyre.

Edhe Flamurtari nuk tregohet i lumtur pas një barazimi heroik, ngaqë i duket sikur “ari” i kësaj ndeshjeje është vjedhur, sapo ata mbetën me 10 veta. Të dyja palët nuk u besojnë syve që nuk kanë fituar dhe, sipas zakonit tonë të vjetër, u duket sikur dikush u ka futur dorën në xhep për t’i “avulluar” portofolin e pikëve.

Ndihet i vjedhur trajneri vlonjat, Ramadani dhe qorton fatin që ishte me të kuqtë dhe jo me futbollistët e tij. E quan privilegj të fatit edhe kur ndeshja privohet nga një gol i pastër. Në anën tjetër, trajneri Agostineli tenton të reformojë shijet e publikut, duke u shtirur i kënaqur me misionar- ët e tij, futbollistët, ndërsa peng i mbetën vetëm arbitrat.

Nuk ndihet fajtor që “demat” treguan mungesë të inteligjencës kolektive, harron me zell të kujtojë se luajti kundër 10 vetave gati një pjesë loje. Që trajnerët paguhen për të zbukuruar lojën e ekipit të tyre, kjo është një e vërtetë që duhet ta meritojmë nga fusha dhe jo nga intervistat.

Në një ndeshje të përzier me emocione dhe gabime, Flamurtari ka të drejtën morale ta heqë i pari maskën e të zhgënjyerit. Historia e kësaj ndeshjeje nuk matet me një pikë, nuk matet as me kartonin e verdhë të nxituar ndaj Telushit, por me konfidencën e shpejtë që krijoi grupi, kur kujton se në janar gjysma e ekipit nuk njihte gjysmën tjetër.

Ky është goli që nuk pritej nga Flamurtari dhe që ia nxiu jetën edhe Partizanit, për një ndeshje të menduar më fjollë. Kujtoni euforinë e ditëve të javës, ku përballja u përgatit mes përkëdhelisë se “do të fitojmë kampionatin” dhe keqardhjes për Flamurtarin, ekipi që do të paralizohej nga thesi me gola që do të pësonte.

Që futbolli ynë ka më shumë fjalë se vepra, kjo pëlqehet nga të gjithë protagonistët, ngaqë edhe Kombëtarja ka investuar në vite për këtë zakon. Kjo na shtrëngon që, fill pas ndeshjes, të dyja ekipet tregojnë me gisht arbitrin Pashaj, pa pasur kurajën të tregojnë se me një bilbil nuk mund të fshihet muzika e 98 minutave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"