Peqini: Duro më afroi te Kukësi dhe pastaj më hodhi në rrugë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2016 | 10:00

Peqini: Duro më afroi te Kukësi dhe pastaj më hodhi në rrugë

Roland Peqini nuk është më pjesë e Kukësit dhe largimi i tij ka qenë shumë i beftë, pas vetëm 14 ditëve stërvitje. Është folur shumë dy ditët e fundit për këtë çështje, por asnjë nga palët nuk ka preferuar të bëjë komente.

peqiniGjithsesi, i kontaktuar nga “Panorama Sport”, Peqini ka pranuar të flasë jo shumë gjatë, për më tepër të mos tregojë arsyen e vërtetë të largimit.

“Ka qenë trajneri Duro ai që më telefonoi për të firmosur me Kukësin dhe jo unë atë. Kam firmosur një kontratë për dy vite e gjysmë dhe nuk isha në provë te Kukësi, sepse unë po vazhdoj të luaj futboll gjatë gjithë kësaj kohe, pavarësisht problemeve që kam pasur. Ai që është në provë në skuadër është trajneri Duro”, ka thënë lojtari, i cili ka luajtur për Dinamon dhe Tërbunin në gjysmën e dytë të kampionatit. Mbrojtësi duket i zhgënjyer për eksperiencën e tij të tretë te verilindorët me të cilët pak vite më parë arriti suksesin jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit.

“Çdo ditë e më shumë që kalon, po vërtetoj se vendi ku jetojmë dhe futbolli ynë nuk kërkon djem të mirë që sakrifikojnë, por tipa të tjerë që rezistojnë shumë mirë”, ka vazhduar lojtari.

Arsyet

Në prononcimin e tij, lojtari nuk tregon arsyet, duke thënë se ato do t’i tregojë koha.

“Nuk di të them më shumë. Trajneri Duro ishte ai që më afroi dhe po ai që më hodhi në rrugë. Arsyen e largimit tim nga Kukësi ndoshta do ta merrni vesh më vonë, pasi koha i tregon të gjitha. Gjithsesi, e falënderoj shumë trajnerin Duro për këtë që më bëri mua”, ka mbyllur Peqini. Ky i fundit në rrjetet sociale ka pasur edhe mjaft komente mbështetëse nga tifozët verilindorë, të cilët nuk e kanë pritur mirë largimin e tij nga skuadra. Peqini u rikthye në fushë pas një periudhe të gjatë dëmtimi dhe tregoi një formë të mirë në dy fazat e para të kampionatit me skuadrën e Tërbunit, ndërsa vendosi të bashkohej me Kukësin, siç thotë vetë pas një ftese të trajnerit Duro. Ky i fundit rreth dy ditë më parë ka marrë edhe besimin e presidentit Gjici për të drejtuar skuadrën deri në fund të sezonit dhe për të vendosur për lëvizjet e merkatos. Por, objektivi i Gjicit për ekipin dhe trajnerin është vendi i tretë në klasifikim dhe fitimi i Kupës së Shqipërisë.

Përgatiti: ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"