Për analistët “shqiptarë” të Italisë, Gianni De Biasi dhe Paolo Tramezzani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2016 | 15:47

Për analistët “shqiptarë” të Italisë, Gianni De Biasi dhe Paolo Tramezzani

tramezani

Nga BESNIK DIZDARI

Edhe kjo më duket e bujshme. Kujtoj ndërkaq se, deri më sot, njerëz të futbollit shqiptar që kanë qenë protagonistë në Itali, janë shumë pak. Ka qenë Naim Kryeziu – Kampion i Italisë me klubin Roma më 1942. Ka qenë Riza Lushta, fitues i Kupës së Italisë me Juventusin po më 1942. Është Igli Tare drejtor teknik i Lacio të Romës. Është deri diku edhe Elseid Hysaj – “Kampion i Dimrit” 2015-’16 me klubin Napoli.

Dhe nuk di më. Tash, më 2016, “papritmas” Shqipëria i blaton Italisë dy protagonistë të tjerë, si të thuash publikë, në rolin e analistëve të shquar të futbollit: trajnerët e Kombëtares së saj Gianni De Biasi dhe Paolo Tramezzani. Kështu, të dielën, trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Gianni De Biasi, ishte analist i rubrikës më popullore të televizionit të parë të Italisë, RAI – ndër më të respektuarit në gjithë Europën – rubrika e famshme “Novantesimo minuto”.

Mandej, në mbrëmje, në emsionin tjetër po aq të famshëm “La Domenica Sportiva”, në rolin e analistit, në këtë rast atij teknik, ishte trajneri tjetër i Kombëtares së Shqipërisë, Paolo Tramezzani. Ky është një sukses jo i vogël i jehonës dhe rëndësisë së futbollit të Kombëtares së Shqipërisë. Sepse nuk di që dy trajnerët tonë De Biasi dhe Tramezzani të kenë arritur më parë në të këtillë role prej protagonistësh publicistikë në ekranin e RAI-t. Të qetë, të sigurtë, kompetentë, jopak edhe në stilin e gazetarëve pra, ndonëse kishin përballë dy gazetarë të shquar të Italisë si Gianpaolo Ormezzano apo Ivan Zazzaroni, dy trajnerët “tanë” qenë kompetentë të plotë në ato çka thoshin.

Sa të sigurtë, them se po aq ata ishin të matur, lakonikë, të lirshëm e të ditur, përmes një fjalori të pasur dhe, mbi të gjitha, falë një mendimi prej kompetenti thuajse të pagabueshëm. Dhe e merrni me mend se në qendër të komentit përimtues (analitik) të tyre nuk kishte si të ishte as Kampionati i Shqipërisë, as lojtarët e skuadrat e Shqipërisë, as problemet e futbollit të brendshëm shqiptar, as dukuritë e këtij futbolli. Në qendër të vemendjes e komentit të tyre, vetvetiu do të ishin ndeshjet e Serisë A të Kampionatit të Italisë, skuadrat e saj, dukuritë e ndeshjeve të saj, ecuria, parashikimet dhe përcaktimet për to.

Madje, Tramezzani me aftësitë e tij të analistit tekniko- taktik, të dukej sikur vinte vulën. Them se Kombëtarja e Shqipërisë nuk ka pasur ndonjëherë trajnerë të tillë të saj, të cilët të shfaqen rregullisht kaq bujshëm në televizionin kombëtar publik të Italisë në një mënyrë të tillë kaq shprehëse e të një kompetence. A duhet të krenohet Shqipëria meqë trajnerët e Kombëtares së saj po marrin kaq bukur e mirë vend deri në “filozofinë” e Serisë A të Italisë?

“Ke harruar se ata të dy nuk janë shqiptarë, por italianë”, do të më turren shqiptarët e mi me ironi, teksa do të më kujtonin se të dy ata më sëpari janë njerëz të futbollit italian, ku kanë një jetë të tanë. Mirëpo, përse RAI nuk i thirri më parë, pra para se të bëheshin trajnerë të Kombëtares së Shqipërisë?… Dy vjet më parë, duke parashikuar deri diku frytet jo të vona të një pune të vërtetë profesionistësh, më lindi mendimi që të bëja një shkrim disi të gjatë për De Biasin e nismës së bukur të tij me Kombëtaren e Shqipërisë, duke e lidhur doemos edhe me marrëdhëniet e hershme sportive Itali-Shqipëri.

“La Gazzetta dello Sport” as që u merakos për ta botuar. Siç më thoshte një koleg italian, arsyeja ishte mosbesimi i plotë ndaj këtij rifillimi të bukur kombëtar shqiptar. Nuk e di a qe vërtet kjo arsyeja apo se unë nuk kisha shkruar siç duhet si gazetar. Në të vërtetë e vëreja se në shtypin italian, De Biasi dhe puna e tij në kthesën që ai po mbërrinte me Kombëtaren e Shqipërisë merrte vetëm rreshta të vegjël që mezi shiheshin. Dukej qartë mosbesimi edhe përtej Adriatikut. Tash “La Gazzetta” dhe të tjerët atje kanë tituj kubikë në krye të faqeve për De Biasin.

Kësisoji, përgjigjja e pyetjes së më- sipërme vjen e menjëhershme, e palëkundshme, e paqortueshme. Tek është: Ishte suksesi i madh që kjo dyshe arriti me Kombëtaren e Shqipërisë, që papritmas i shndërroi këta dy trajnerë “të panjohur” (këtu me kuptimin se deri te Shqipëria sukseset e tyre ishin thuajse krejt modeste) në protagonistë europianë. Madje, deri tek ekrani i vogël i hapsirës së madhe të RAI-t. E mû prej këtu lind dhe problematika e këtij shkrimi.

Kur De Biasi u caktua trajner i Kombëtares, një gazetar i shquar italian më thoshte se keni gabuar. Jo vetëm që nuk kishim gabuar, por me atë çka arriti De Biasi del se kishim vepruar shumë mirë. Për herë të parë në histori Shqipëria është në turneun fundor të një Kampionati Europian, në elitën kontinentale të 24-shes EURO 2016, çka drejt me e thënë, as që e kishim menduar. Është kjo arritje që i ka bërë kaq të thirrur apo të ftuar edhe për RAI-n dy trajnerët e Kombëtares së Shqipërisë. Pra, jo vetëm njerin, por të dy – çka nuk ka ndodhur ndonjëherë as me trajnerët apo zevendësit e tyre më të shquar të Kombëtares së Italisë, prej një Valcareggi e një Bearzoti e deri te një Lippi me shokë! Dhe mû këtu bëhet “këputja”.

Prania e dy trajnerëve shqiptarë në rolin e analistit apo kritikut të RAI-t, megjithatë nuk ka të bëjë assesi me shpalosje të tematikës, arritjes apo problematikës së Kombëtares së Shqipërisë. Çka do të thotë se ata aty nuk merren assesi me Kombëtaren e Shqipërisë, nuk flasin për të, nuk përimtojnë arritjen e saj të madhe, nuk përsiatin problematikën e futbollit shqiptar, ndonëse ndonjëherë aty-këtu papritmas dikush e thotë ndonjë fjalë për Shqipërinë.

Si një mbasdite në të errur, kur trajneri i Milanit, Mihajloviç, e uroi për suksesin e Kombëtares De Biasin, i cili ishte në studio në rolin e analistit. Dhe kjo doemos është e drejtë. Nuk ka përse të hyjnë në rubrikat televizive të RAIt për Serinë A, as Kombëtarja e Shqipërisë, as kampionati i Shqipërisë, as problematika e Shqipërisë. Ajo që mund të hynte sadopak është që, bie fjala, ndonjëherë të flitej e të përimtohej paksa prej dy trajnerëve të Kombëtares së Shqipërisë, ajo çka paraqesin djem të cilët luajnë në Kampionatet e Italisë.

Qofsha i gabuar, por për shembull, unë për vete do ta kisha gjetë rastin që, Elseid Hysajt të Napolit t’i kushtoja ndonjë koment apo përcaktim të shkurtër. Por këtu ndoshta nuk është krejt “faji” i De Baisit apo Tramezzanit, por më tepër i drejtuesve të rubrikave sportive të RAI-t, të cilët nuk kanë fort arsye të merren me Shqipërinë edhe ndonëse dy analistët e tyre italianë janë trajnerë të saj. E edhe kjo mund të jetë normale, kur në fund të fundit, kujton se Shqipëria nuk i përket Italisë, por Shqipërisë.

Pa harruar ndërkaq se Italia nuk ka “luajtur mendsh” si Shqipëria që, për ditë e për natë, rubrikë më rubrikë, si skllave, merret me Serinë A të Italisë. Pra, deri në hollësi që po çudit gazetarinë europiane. Kështu pra, në thelb, ne duhet të kënaqemi që i “dërguam” RAI-t për “ndihmë” gazetarije e mendimi teknik të futbollit dy trajnerët e Kombëtares sonë, fakt apo dukuri kjo që i jep një peshë apo publicitet të llojit tjetër suksesit të madh të Kombëtares së Shqipërisë dhe arritjes së shkëlqyeshme të lojtarëve e trajnerëve të saj.

2. Mirëpo, a e keni dëgjuar ndonjëherë dyshen e trajnerëve tanë De Biasi – Tramezzani të përimtojnë (analizojnë) kampionatin e Shqipërisë, skuadrat e këtij kampionati, ecurinë dhe zhvillimet e përjavshme të këtij kampionati, lojtarët e këtij kampionati, mangësitë e mëdha organizative të këtij kampionati, nivelin ende të ulët të këtij kampionati? Ose: a i keni dëgjuar ndonjëherë këta dy trajnerë të Kombëtares së Shqipërisë të vihen qoftë edhe vetëm një herë në rolin e komentatorit teknik – aq bukur siç e bën Tramezzani për ndeshje të Serisë A – qoftë edhe të ndonjë ndeshjeje të bukur të kampionatit shqiptar, sepse ai ka edhe ndonjë ndeshje të bukur, apo jo?

A i keni dëgjuar ndonjëherë këta dy trajnerë të Kombëtares së Shqipërisë të përçojnë në mënyrë analitike mendimet e tyre për stadin që kalon futbolli i brendshëm kombëtar i Shqipërisë, për ritmin e ultë të ndeshjeve të tij, për mënyrën e lojës, për taktikën e teknikën shqiptare nëse ka apo nuk ka një të tillë? Dhe më tej: a keni pa ndonjëherë që këta dy trajnerë “tanë” të Kombëtares të bëjnë një përzgjedhje me lojtarët më të mirë, aq sa ata janë të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë e madje të nxjerrin në fushën e lojës ndonjëherë një Kombëtare “sui generis” të Shqipërisë vetëm me lojtarë të Kampionatit Kombëtar?

Çka trajnerët shqiptarë të Kombëtares Shqiptare e bënin aq bukur jorrallë në vitet ’70. (“Kombëtarja e kryeqytetit” përballë “Kombëtares së skuadrave të rretheve”) – një origjinalitet i tanë përzgjedhjeje? E ndjek me vëmendje Tramezzanin te “La Domenica Sportive”. Kushedi sa kohë i duhet të humbasë duke studiuar mënyrat taktiko-teknike të skuadrave të Serisë A, për të ardhur mandej në studio me plot skema e lëvizje. E, si gazetar ka filluar të më kapë pak frika se mos kështu ai po i merr fort kohë kohës së punëve për Kombëtaren e Shqipërisë.

Kjo ngaqë Europiani erdhi, apo jo? Punë vetëm nja 100- ditësh. Pa shkuar mandej tek ajo tjetra, se sa të dobishme do të ishin skemat e Tramezzanit në studio televizive të Shqipërisë për sesi luan Skënderbeu e si mund të luajë Partizani, apo dhe cila është mënyra e lojës së SK Tiranës apo KF Kukësit e tjerë, e tjerë. Ashtu siç shumë bukur i përsiat ai këto për skuadrat e Serisë A. Pa mëtuar më të rëndsishmen që do tepër kohë e punë: atë se në ç’rrugë po ecën futbolli në Shqipëri. Mirëpo, ne e kemi lajm të dorës së parë nëse befas shfaqet në tribunat e stadiumeve tona njëri nga këta dy trajnerë të Kombëtares sonë, e jo më të tregojnë një herë, një herë të vetme një ndeshje taktike Partizani-Skënderbeu.

Dhe ja tek më mbërrin kështu e kundërta e gjithë kësaj retorike: që këtë atyre nuk ua kërkuar askush në Shqipëri. Madje, me sa duket, kjo nuk hyn as në pikat e kontratës me ta. Ata janë thjesht trajnerë të Kombëtares së Shqipërisë dhe vetëm kaq. Një Kombëtare kjo që duket se ka krejt pak nevojë për futbollin e brendshëm të Shqipërisë (15 lojtarë të Kombëtares që u kualifikua, e dini që nuk janë prodhim i Kampionatit e skuadrave të Republikës së Shqipërisë!).

Ndërkaq, siç kam shkruar pak më parë, është vërtet interesante se si po ndodh që arritja madhështore e Kombëtares së Shqipërisë nuk ka ndikuar assesi në një zhvillim a ndikim sado modest të futbollit të brendshëm shqiptar. Në thelb, Kombëtarja është shkëputur nga ky futboll, e kuptohet qartë se me këtë futbollin tonë të brendshëm vetvetiu janë të shkëputur edhe dy trajnerët e Kombëtares.

Një herë, në vitet ’80, Partia e dikurshme pat thirrur këtu trajnerin e madh të Italisë, Ferrucio Valcareggi. Ai dha leksione të paharrueshme, teori e “sociologji” futbolli, madje edhe pak antropologji e mjekësi, teksa foli për zhvillimet e futbollit të kohës. (Për kërshëri, ai na befasoi kur e nisi fjalën e tij duke përshëndetur lojtarin e Lazio-s, trajnerin e Kombëtares së Shqipërisë Loro Boriçi, të cilin ai si lojtar i Fiorentinës nuk e kishte harruar kurrë!).

Dhe kur më parë këtu erdhi pedagogu dhe trajneri i shquar rumun, Balanescum, një ditë të bukur ai i mblodhi të gjithë trajnerët shqiptarë dhe për nja tri orë të mira iu paraqiti studimin e shkëlqyeshëm mbi gjendjen, zhvillimet dhe mundësitë e përparimit të futbollit shqiptar, për fat një studim që sot nuk dihet se ku është. Nuk po ndalemi mandej te sovjetikët e mirënjohur Boris Apuhtin e Nikolai Ljukshinov apo te hungarezi i një biografie ndërkontinentale, siç qe Miklos Vadas, të cilët jo vetëm riorganizuan Kombëtaren e Shqipërisë në vitet ’50, teksa e çuan edhe në fitore të bujshme ndaj Polonisë apo Çekosllovakisë, por duke e lidhur fort atë me zhvillimet e brendshme të futbollit shqiptar (modele stërvitjeje, seminare, kurse për trajnerë).

Dhe kësisoj, brenda një periudhe relativisht të shkurtër, ata ndryshuan shumë në ecurinë më moderne të futbollit shqiptar, që nga trajningu e deri te Kombëtarja. I kemi harruar! Dhe do ta mbyll me rastin e trajnerit jugosllav Ljubisa Brocic, beogradasit të dëgjuar, i cili 70 vjet më parë e drejtoi Shqipërinë për te titulli Kampion i Ballkanit më 1946 që bëri jehonë në gjithë Europën. Kjo edhe ngaqë ende ajo nuk e kishte themeluar Kampionatin Europian dhe kur ende pasojat e Luftës kishin mënjanuar edhe riorganizimin e Kampionatit Botëror. Brocic ende nuk ishte një trajner i rangut.

Titulli ballkanik me Shqipërinë i dha famë të menjëhershme. Mbërriti te seleksioneri i Kombëtares së Jugosllavisë e menjëherë te Crvena Zvezda – të cilën e bëri kampione. Prej këtu drejt e tek Eindhoven i Holandës, te Kombëtarja e Egjiptit, Libanit, Kuvajtit e Zelandës së Re.

Dhe me kulm Juventusin – Kampione të Italisë 1958! Por dhe deri te Barcelona e Suaresit, Kocishi-t, Cibor-it e Zakariashi-t të famës botërore, e me to deri në lartësitë e Kupës së Kampioneve. Nuk e bëri Shqipëria të madh jugosllavin e paharrueshëm, por suksesi i bujshëm i tij me Shqipërinë (“e për mua gjithçka këtu fillon”, siç tregonte përherë vetë ai), e bëri tejet të rëndësishëm e të kërkuar Ljubisa Brocic-in.

Ashtu siç i bëri De Biasi-n e Tramezzani-in e sotëm protagonistë falë meritës së tyre të madhe me Shqipërinë në 24-she të EURO 2016. Mirëpo, Kombëtarja e tyre e Shqipërisë i çoi ata si mendtarë të rubrikave më të famshme të RAI-t për të përimtuar Serinë A të Italisë. Për çudi, nuk i çoi te televizionet shqiptare. Më saktë nuk i çoi te futbolli i brendshëm shqiptar, te Kampionati Kombëtar i Shqipërisë, te skuadrat e klubet e Shqipërisë.

A ju kujtohet se si pak vjet më parë, kur thuajse me një prepotencë të stilit komunist, u sulmua pa mëshirë Hans Peter Briegel, të cilit i kërkohej të rrinte gjatë në Shqipëri e të merrej edhe me problematikën e futbollit në tokën shqiptare? Tash këto duken si arkaike, teksa e kupton që e shkruar e zeza në të bardhë, De Biasi e Tramezzani kanë punë vetëm me Kombëtaren e Shqipërisë, fama e arritjes me të cilën i shndërruan ata në analistë apo komentatorë të RAI-t.

Dhe vetëm kaq. E nuk di a kanë një zyrë të përhershme në Shqipëri. Sigurisht jo si ajo e gjerë dhe elegante e Fabbio Capello-s të botuar prej “Sovjetskij Sport”, kur ai ishte trajner i Kombëtares së Rusisë. Rusia është gjigante. Shqipëria është e vogël. Ndonëse, të paktën në këtë vit 2016, papritmas ajo është midis të mëdhenjve falë meritës po të madhe të trajnerëve De Biasi e Tramezzani, për të cilët Shqipëria mund të ndihet fort mirë që i çoi deri te klasi i parë i mendimit teorik e praktik të futbollit italian të trajtuara përmes ekranit të gjigantit RAI.

Ky është një sukses tjetër i Kombëtares së Shqipërisë përballë mossuksesit për t’u përfshirë ata sadopak në zhvillimet e futbollit të brendshëm shqiptar, të “Kombëtares” së Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë, të ecurisë së këtij Kampionati, të skuadrave të tij e të mënyrave të ecurisë së futbollit të këtushëm shqiptar, larg zboreve europiane tashmâ aspak bindëse të rrëmbimit të talenteve anekënd kontinentit si të ishim epiqendra e synimeve botërore të futbollit.

Ata nuk mund të qortohen, megjithatë. Sepse ndoshta një punë a detyrim të tillë as ua kërkuar kush, as nuk ua ka përfshirë në kontratë ndokush, qoftë edhe që kur të largohen, t’i lënë një studim sado të vogël Shqipërisë me temën:

“Ishim, pamë, punuam, fituam, zbuluam dhe i çuam në Europë”. Dhe, vërtet, në fund të fundit, ç’rëndësi paskan të gjitha këto përballë sensacionit të Shqipërisë në EURO 2016?!…. Unë për vete kënaqem duke i ndjekur në RAI dy trajnerët e Kombëtares së Shqipërisë – analistët “shqiptarë” të Italisë, Gianni De Biasi e Paolo Tramezzani. Edhe pse ata nuk flasin për Kombëtaren apo klubet e Shqipërisë. Doemos që për këtë në RAI ata nuk kanë pse të flasin. Dhe me të drejtë flasin për Napolin, Juventusin, Interin, Milanin e të tjerë. Ndonëse, në të vërtetë, u takon të flasin edhe në Shqipëri. Por…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"