Perez blindon Benitezin, Ançeloti i shkel syrin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2015 | 11:02

Perez blindon Benitezin, Ançeloti i shkel syrin

benitezRafa Benitez do të vazhdojë të jetë tra jner i Realit dhe ka të gjithë mbështetjen e bordit drejtues”. Florentino Perez ka qartësuar situatën në skuadrën e tij në lidhje me të ardhmen e teknikut spanjoll. Presidenti i “galaktikëve” ka folur përpara mediave duke vlerësuar maksimalisht numrin një të stolit madrilen. Ai ka dribluar pyetjet mbi Ançelotin, duke thënë se Reali e ka një trajner.

Konfirmimi i Benitez – “Kemi analizuar situatën dhe vendosëm që trajneri të ketë të gjithë mbështetjen dhe besimin tonë. Ai është një profesionist i vërtetë dhe ka eksperiencën e duhur për ta kaluar këtë moment të vështirë. Duhet ta lëmë të punojë në qetësi, sepse rezultatet do të vijnë më vonë. Trajneri ka pasur autonominë për të marrë vendime mbi futbollistët që do të luajnë apo jo. Jemi të gjithë bashkë dhe nuk ka asnjë kundër. Benitez ka një marrëdhënie shumë të mirë me futbollistët, pavarësisht asaj që shkruhet përditë në media”.

Shpifjet – “Shumë gjëra që janë shkruar në media nuk janë aspak të vërteta. Faji është imi që kam qëndruar i heshtur dhe ju keni gënjyer. Ronaldo nuk më ka thënë kurrë se me Benitezin nuk fitohet asgjë. Të gjitha këto janë thënë për të na shqetësuar dhe për të krijuar konfuzion në skuadër. Agjenti i Ronaldos nuk e ka takuar presidentin e PSG-së, por as Benzema nuk fiton 10 milionë euro. Ka një fushatë kundër meje dhe kundër Realit në tërësi, por nuk do t’ia dalin të na mposhtin”.

Humbja – “Bëmë një ndeshje shumë të shëmtuar, por nuk ka ndonjë gjë për t’u habitur. Unë kam parë edhe fitore të Realit 4-0 ndaj Bajernit, por kam parë gjithashtu edhe Barcelonën të humbasë. Në futboll mund të ndodhë gjithçka. Tani duhet të shohim përpara dhe të rikuperojmë forcat për të reaguar në ndeshjet e ardhshme. Mendoj se gjithçka ndodhi për fajin tim. Unë duhej të kisha ndaluar më parë gjithçka që po ndodhte dhe po thuhej për Realin”.

Ançeloti vetëkandidohet – Trajneri italian Karlo Ançeloti ka dhënë një intervistë ditën e djeshme dhe i ka shkelur syrin Realit. Ish-tekniku i “galaktikëve” tha se do të ndihej mirë nëse rikthehej, por vendimin do ta marrë në fund të këtij sezoni. “Mund të rikthehem te Reali. Përse jo?! Edhe te Çelsi dhe PSG-ja kam kaluar mirë. Në qershor do të marr vendimin për skuadrën e re, të cilën do të drejtoj”, ka thënë Ançeloti. Ai mohoi faktin se Florentino Perez ndërhyn në formacionin e trajnerëve dhe tha se ka folur gjatë këtyre ditëve me Ronaldon. “Çdo trajner aktivizon futbollistët që do. Edhe kur unë isha trajner te Reali, thoshin se Perez më jepte urdhra për formacionin, por nuk është e vërtetë. Kam folur me Ronaldon dhe më tregoi se ka marrëdhënie të mira me Benitezin”, përfundoi Ançeloti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"