Pogba: Të qenit të dytët, si një shuplakë për ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2016 | 11:25

Pogba: Të qenit të dytët, si një shuplakë për ne

Pol Pogba pritet të jetë fari i Juventusit në ndeshjen e titullit kundër Napolit. Duke parë se me shumë mundësi trajneri kundërshtar, Mauricio Sarri, ka urdhëruar një kujdes të veçantë ndaj Paulo Dibalës, i takon mesfushorit francez që ta marrë për dore skuadrën e tij, në një 90-minutësh që mund të vlejë titullin kampion.pogba hysaj Nga ana tjetër, numri 10 i “Zonjës së Vjetër” e di sesi u shënohet të kaltërve, duke qenë se Napoli, në këto 4 vite të tijat në Serinë A, është një prej “viktimave” të preferuara, të cilës i ka shënuar 3 herë deri më sot. “Duhet ta përballojmë këtë ndeshje një- soj si gjithë të tjerat, sepse fundja në lojë janë sërish tri pikë.

E dimë që nuk jemi të parët në renditje dhe ky fakt ngjason si një shuplakë në fytyrë për ne, por e rëndësishme është që të jemi në krye të tabelës në fund të kampionatit, jo kur na ndajnë edhe shumë javë nga përfundimi i tij. Besojmë te fitorja? Pa dyshim që po, sepse jemi skuadra më e fortë në Itali.

Asnjëherë nuk e kemi hequr nga mendja këtë fakt, ndonëse në fillim nuk e fsheh se të gjithëve neve na kaloi në kokë ndonjë mendim negativ, ndonëse e dinim se shumë shpejt do të zgjoheshim dhe ja ku jemi sot, vetëm 2 pikë larg kreut.

Askush nuk besonte te ne, por thjesht kishim nevojë për disa kolaudime dhe Juventusi i madh është rikthyer sërish. Detyra jonë si skuadër është që të vazhdojmë me këtë ritëm, sepse kur të tjerët na bënë të vdekur, ne ulërinim se ishim gjallë dhe kjo aktualja është prova jonë, – vazhdon Pogba, që në lidhje me përgjegjësitë që ai ka në skuadër apo një të ardhmeje larg Torinos, 22-vjeçari përgjigjet.

Kam qenë, ndihem dhe do të jem pjesë e këtij projekti, ndonëse e di shumë mirë brenda meje se duhet të rritem në aspektin teknik në fushë. Edhe pse në shpirt ndihem ende një fëmijë, këtu te Juventusi ma kujtojnë çdo ditë dhe më kanë bindur se unë jam një pikë referimi në këtë skuadër, prandaj ky fakt jo vetëm më krenon, por më shton përgjegjësitë për të dhënë edhe më shumë në fushë, duke nisur nga Napoli e në vazhdim, sepse për ne nis një sezon më vete në këtë muaj shkurt, duke parë duelet në kampionat dhe ato në Champions e kupë”, përfundoi ish-talenti i Mançester Junajtid.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"