Premier Liga — 29 Prill, 2013 13:42

RVP fik Arsenalin, i bën një nder Çelsit

Robin van Persie Arsenal v Manchester United - Premier LeagueFutbolli është i çuditshëm. Junajtid festoi titullin e 20-të me nderimet që iu bënë në tempullin armik të “Emirates”. Por shumë tifozë nuk iu bashkuan duartrokitjeve, sepse ishin të përqendruar të vërshëllenin Van Persin në çdo prekje të topit. Ishte një ndeshje e vërtetë, ku djemtë e Vengerit duhet të mbronin vendin e tretë, ndërsa Junajtid kërkonte të thyente rekordin e Çelsit (95 pikë në vitin 2005). Megjithatë, përfundoi 1-1 me Arsenalin që rrëshqiti në vend të katërt dhe Mançesterin që e harroi objektivin. Robin Van Persi shënoi golin e 25-të në sezonin e tij të parë me Junajtid në Premier Ligë dhe të 29-in në total, por asnjë më shumë se ky i fundit nuk ka pasur kaq ndikim negativ ndaj ish-skuadrës së tij. Nëse Arsenali nuk do të kualifikohet në Champions, diçka që nuk ndodh në 15 vitet e fundit, atëherë tifozët e “topçinjve” nuk do ta harrojnë kurrë momentin kur me topin në duar ai i drejtohej pikës së bardhë të penalltisë. Vërshëllimat në “Emirates” nuk ndikuan në përqendrimin e ish-kapitenit, i cili me potencë dhe precizion vulosi rezultatin 1-1, por nuk festoi. Goli i holandezit e lë në vend të katërt Arsenalin, por gjithçka mbetet për t’u luajtur për shkak se rivalët e Totenhemit janë vetëm 2 pikë larg, por me një ndeshje më shumë në dispozicion. Skuadra e Vengerit ishte më e mira në fushë gjatë pjesës më të madhe të 45 minutave të para. Por as goli i Uollkotit pas vetëm dy minutash dhe në pozicion të dukshëm jashtë loje nuk qe e thënë për t’i dhënë 3 pikët në ndeshjen më të rëndësishme këtë fundsezon. Në 40 minutat e para kampionët dukeshin aq të zhbalancuar, sa legjenda e Arsenalit Martin Kion komentonte: “E qarkullojnë aq ngadalë topin sa duket sikur e kanë festuar më shumë seç duhet titullin kampion”. Arsenali luajti shumë më shpejt me topin dhe, pavarësisht se ndihej mungesa e Zhirudit në sulm, fanellat e kuqe ishin të shumta në numër në portën e De Geas. Është vetëm minuta e dytë dhe Van Persi humbet topin në mesfushë: vendësit nisen në kundërsulm me Roziçkin, i cili gjen Uollkotin në të djathtë. Diagonalja e 24-vjeçarit përfundon në rrjetë. Ndeshja shndërrohet në një arenë të vërtetë dhe brenda 33 minutave të para, gjyqtari Daud nxjerr 5 kartonë të verdhë (një për Uollkot dhe 4 të tjerët për Junajtid). Shezni i mohon golin Van Persit në minutën e 39-të, por jo 5 minuta më vonë. 29-vjeçari hyn në zonë dhe Sanja e ndal në mënyrë të parregullt. Nga pika e bardhë golashënuesi i Premier Ligës nuk fal. Pjesa e dytë nuk ngrihet në nivelin e të parës dhe rastet më të mira vijnë në 5 minutat e fundit: goditja e Kazorlës gjen dorezat e De Geas, ndërsa kundërsulmi i miqve përfundon me një diagonale të Gigisit e devijuar nga Çembërlein në goditje këndi. Çelsi – Çelsi negocion mirë me pengesën numër 63 të këtij sezoni. Sepse Suonsi, që pasi fitoi “Capital One Cup”, është shndërruar në një skuadër fundtabele për nga rezultatet. Të zotët e shtëpisë fitojnë 2-0 dhe ngjiten në vend të tretë, në pozitat më komode për të prerë një biletë në Champions pas Mançester Junajtid dhe komshinjve të Sitit. Mark Klatenburg rikthehet të arbitrojë Çelsin pas 5 muajsh (akuzat për racizëm ndaj Mikelit në ndeshjen me Junajtid nuk u provuan kurrë nga klubi blu). Ndeshja nuk u bë kurrë e vështirë për Çelsin, edhe pse londinezët kaluan në avantazh në minutën e 43-të. Lampard fton Oskarin, i cili me një të djathtë precize në hyrje të zonës nuk i lë asnjë shans Vormit. Përfundon gjithçka përpara pauzës në “Stamford Bridge”. Sepse Lampard, i futur në fushë vetëm në minutën e 24-të pas dëmtimit të Ramirezit, katër minuta më vonë shndërron në gol penalltinë e fituar nga Huan Mata. Zv/kapiteni ngjitet në kuotën e 201 golave me fanellën e Çelsit dhe tashmë e shikon vetëm 1 gol larg rekordit të legjendës Tembling. Ky ishte goli i 15-të sezonal dhe i pari pas 7 ndeshjesh pa shënuar (nuk realizonte që prej ndeshjes me Uest Hemin më 17 mars).

Venger: I zhgënjyer që e vërshëllyen
Arsen Venger mbrojti agresivitetin e treguar nga lojtarët e tij, por jo atë të tifozëve. “Nga minuta e parë deri tek e fundit ishin në fushë dy skuadra që dhanë gjithçka për të fituar”, – tha trajneri i Arsenalit, duke kritikuar dhe tifozët që vërshëllyen Van Persin: “Është zhgënjyese që, kur rikthehesh në stadiumin e ishskuadrës, tifozët të rezervojnë një pritje agresive”.

Teo Uollkot: E kemi vetë në dorë
Teo Uollkot nuk e quan dramë barazimin me Junajtid dhe ftoi shokët e skuadrës të përqendrohen në 3 ndeshjet e fundit, sepse i pret një finish me nerva të tendosura. “Ne nuk mund të bëjmë llogaritë e ekipeve të tjera, për sa kohë i fitojmë ndeshjet tona. Ajo çka duhet të bëjmë, është të marrim 9 pikë dhe pastaj do të shohim nëse do ia dalim. Do të jetë shumë e vështirë”, – tha 24-vjeçari.

Benitez: S’e kemi siguruar ende
Rafa Benitez mendon se triumfi i Çelsit me Suonsin ishte tërësisht i merituar. “Bëmë një ndeshje të mirë jo vetëm sepse fituam, por krijuam shumë raste përmes një futbolli të bukur. Morëm 3 pikë të rëndësishme, por ende nuk është vendosur asgjë për Champions-in. Tashmë duhet të rikuperojmë forcat për të enjten në Ligën e Europës dhe sërish të dielën në Premier Ligë”.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

Te lidhura me artikullin:

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Sport Online. Moderatori

Lini nje koment

— duhet *

— duhet *