Progni firmos: Me Kukësin do lë gjurmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2012 | 16:15

Progni firmos: Me Kukësin do lë gjurmë

Pas shumë bisedimeve, më në fund Gerhard Progni, mesfushori me tipare sulmuese, është zyrtarisht lojtar i Kukësit. Një ndër futbollistët me emër në Superiore, ka lënë bregdetin për Kukësin. Dje, rreth orës 11:00, Progni ka nënshkruar kontratën 2-vjeçare me presidentin Safet Gjici. Palët janë shfaqur mjaft të kënaqur nga ky nënshkrim. Sipas burimeve nga klubi verilindor, Progni do të jetë më shumë sulmues sesa mesfushor. Lojtari tregon arsyet që e shtynë të firmosë për Kukësin.
Pse pranuat të luani për Kukësin?
Unë jam shumë i lumtur që drejtuesit e Kukësit më ftuan të jem pjesë e këtij ekipi që kërkon të bëjë histori në futboll. E vlerësoj besimin që më kanë dhënë. Më behet qejfi, se këtu gjej përpjekje të drejtuesve për një skuadër që do të bëjë emër në kampionatin shqiptar, në Superiore, dhe besoj se objektivat e klubit do të arrihen.
Keni luajtur me ekipe elitë dhe me pretendime, e gjeni këtë te Kukësi?
Për çdo gjë në jetë duhet të kesh ambicie. Prandaj unë kam ardhur te Kukësi, se ka ambicie, ka mbështetje, ka objektiva të qartë. Dhe, me sa di unë, ka edhe një grup me lojtarë cilësorë, të cilët të gjithë së bashku do ta çojmë Kukësin aty ku e meriton. Me gjithë këtë punë, mbështetje, financime dhe investime në infrastrukturë, kjo skuadër e meriton të lërë gjurmë në futbollin shqiptar.
Ju riktheheni në një klub që përfaqëson në njëfarë mënyre edhe origjinën tuaj. Është ky një motiv edhe më i madh për të dhënë gjithçka në fushën e lojës?
Unë ndihem tamam kuksian, sepse Tropoja e Kukësi janë një rajon në veri. Është krenari për të gjithë banorët e rajonit tonë që më në fund u krijua një ekip i mirë për të përfaqësuar këtë rajon në Superiore. Mendoj se meritojnë përgëzime ata drejtues që janë bërë bashkë për të ngritur ekipin e Kukësit që përfaqëson gjithë qarkun verilindor. Unë kudo që kam luajtur, kam dhënë maksimumin tim, por të them të drejtën me Kukësin do jap shpirtin në fushë. I siguroj tifozët tanë të zjarrtë në qytetin e Kukësit dhe kudo që janë të shpërndarë nëpër Shqipëri se nuk do t’i zhgënjejmë. Me punën tonë dhe përkrahjen e tyre, kanë për të parë një skuadër befasuese, duke filluar nga ndeshja e parë.

Gjici: Prisni edhe 2-3 blerje
Pas nënshkrimit të kontratës me Gerhard Prognin, presidenti i Kukësit, Safet Gjici, u shpreh: “Sot(dje) nënshkruam me Gerhard Prognin, një lojtar mjaft cilësor që do t’i shërbejë shumë Kukësit. Ju deklaroj se klubi do të përmbushë të gjitha detyrimet ndaj tij, sikundër ndaj çdo lojtari që ka nënshkruar me ne, dhe do të ketë mbështetjen tonë maksimale në rrugën drejt suksesit. Pas Prognit mund të blejmë dhe dy-tre të tjerë, e pastaj merkatoja mund të përfundojë aty. Në këtë pikë, na mbetet veç t’i japim fytyrën e pretendentes kësaj skuadre. Mendoj se jemi treguar aktivë gjatë gjithë merkatos”, – ka deklaruar presidenti kuksian.
J.Hallaçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"