Ribaj nderon Apoloninë, tani -1 pikë nga Teuta, ndizen shpresat për mbijetesë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2015 | 9:58

Ribaj nderon Apoloninë, tani -1 pikë nga Teuta, ndizen shpresat për mbijetesë

apolonia

APOLONIA ELBASANI 4 – 1
GOLAT Ribaj 18′, 45′ (11-m), 47′ (11-m), Fili 77′ / Lamçe 23′
APOLONIA: Miço, Broshka, Nako, Atanda, Dimo, Kaja (Arapi 82′), Hysenshahaj, Uzuni (Prifti 76′), Fili (Kondakçiu), Ribaj, Rajkoviç. (Në dispozicion: Cako, Balaj, Naçi, Andoni). Trajner: A.Mërgjyshi
ELBASANI: Ruçi, Jaupi, Cema (Grabova 54′), Dosti, Musta, Hila, Agboy, Malindi (Myftarago 47′), Gava, Lamçja, Sulaj (Toçi 46′); (Në dispozicion: Ujkashi, Luta, Shyti, Tafani). Trajner: M.Dosti
KARTONË TË VERDHË: Rajkovic 37′, Atanda 58′ / Dosti 14′, Hila 28′ Ruçi 45′ 47′, Lamçja 47′, Toçi 70′, 79′
KARTONË TË KUQ: Ruçi 47′, Toçi 79′
VËZHGUES: M.Shestani (Tiranë)
DELEGAT: P.Haxhia (Tiranë)
GJYQTARET Gjyqtarë: A.Beqiri, D.Rexha, N.Bregasi (Tiranë);

Apolonia nuk ka gabuar në ndeshjen jetike me Elbasanin, teksa e ka mundur me rezultatin 4-1. Ribaj me tripletën e tij dhe talenti Fili ishin ata që vendosën fatin e kësaj fitoreje, duke zhvlerësuar nga ana tjetër golin e Lamçes. Për bardhejeshilët ishte fitorja e parë me këto shifra, ndërsa tashmë nisur dhe nga humbja e rivalëve të tyre, ata besojnë se do të mbijetojnë në Superiore.

Pjesa e parë – Loja nis e shpejtë për vendësit, të cilët kërkojnë të shënojnë që në minutat e para. Por, nga ana tjetër, Elbasani jo vetëm që është i vendosur mjaft mirë në mbrojtje, por qarkullon topin në mesfushë. Në të 18-ën, kapiteni i fierakëve, Dimo, kroson bukur në zonë dhe aty i gjendur aty Ribaj i shpëton mbulimit të mbrojtësve miq, gjuan me kokë, duke nxjerrë të tijtë në avantazh. Pas këtij momenti, duket se Apolonia do ta kishte të lehtë fitoren, por nuk ndodhi kështu. Pas vetëm 5 minutash nga shënimi i golit Lamçe barazon gjithçka në fushë. Pas këtij momenti, loja ndizet. Ka sulme dhe kundërsulme, por dhe tension që vihet re te lojtarët e të dyja ekipeve. Në të 36-ën, pas një ndërhyrje të gabuar të Hilës, lojtarët e të dy ekipeve për gati dy minuta filluan të kapeshin me fjalë me njëri-tjetrin. Ka qenë ndërhyrja e gjyqtarit Beqiri që ka qetësuar gjithçka. Në të 45- ën Dimo, i cili ka qenë papërmbajtshëm, depërton në zonën kundërshtare dhe në momentin e gjuajtjes ndërpritet në mënyrë të gabuar nga Ruçi dhe gjyqtari akordon penallti. Nga pika e bardhë gjuan Ribaj duke dyfishuar rezultatin. Emocionet nuk do mbaronin këtu, ndërsa në të 47-ën, fierakët ndërmarrin një tjetër sulm të shpejtë, topi shkon te Rajkoviç, por në momentin e gjuajtjes  pranë portës ai pengohet në mënyrë të gabuar nga Ruçi dhe ka tjetër penallti dhe karton të verdhë për portierin. Në portë hyn portier i ri, Myftarago që zëvendëson Malindin. Është Ribaj që merr përsipër sërish ekzekutimin nga pika e bardhë, duke e shndërruar në gol.

Pjesa e dytë – Me fillimin e pjesës së dytë, edhe pse me një lojtar më pak, elbasanasit kërkojnë të reagojnë, por pa sukses. Apolonia fillon të sulmojë, duke kërkuar të shënojë gola të tjerë. Ndërkohë, miqtë tregojnë humbje të freskisë, por edhe të qetësisë. E për rrjedhojë ata bëhen protagonistë të shfaqjes së një nervozizmi në fushë. Në të 77-ën, talenti Fili pas një aksioni personal depërton bukur në hyrje të zonës, gjuan fort, duke çuar shifrat në 4-1. Në të 79-ën, Toçi del me të kuq, duke lënë me 9 lojtarë ekipin e tij. Nuk ka më histori, Apolonia merr tri pikët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"