Rifilloi thuajse në indiferencë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2016 | 16:57

Rifilloi thuajse në indiferencë

Nga BESNIK DIZDARI

Besnik-DizdariEdhe pse “armik” i përdorimit të fjalëve të huaja të panevojshme, se si vetvetiu më pëlqeu “indiferenca”. Ndonëse në përkthimin shqip të “indiferencës” shkojnë shumë bukur “ftoftësia” apo “papërfillja”.

Kështu pra, pjesa e dytë e Kampionatit të Shqipërisë 2015-2016, them se filloi në indiferencë ose shqip në “ftoftësi” dhe “papërfillje”.

Ose po të doni, në “qetësi” të plotë. Dhe është vështirë të gjesh në shtete të Europës një rifillim kësisoj në “indiferencë”, “ftoftësi” apo “papërfilljeje” si në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë. Prova e parë e gjithë kësaj janë tribunat thuajse të boshatisura.

E pra nuk qe një ditë dimri e ftohtë sa për ta penguar rininë futbolldashëse të dalë nga shtëpia e të shkojë në stadium.

Spektatorët munguan tejet, madje edhe te ndeshja e skuadrës që synon titullin, asaj Partizani të Tiranës që, si të thuash, është në vitin e ringjalljes! Përfundimisht shqiptarët nuk e duan fort Kampionatin e tyre. E kemi thënë e stërthënë, e kemi argumentuar e stërargumentuar, i kemi treguar e stërtreguar shkaqet njëqind herë.

Nuk dëgjon askush. Dhe as nuk kemi ndër mend t’i tregojmë edhe një herë në radhët e shpejta të këtij editoriali. Vetëm mund të pyesim: a do të bëjmë diçka për t’i bindur shqiptarët ta ndjekin Kampionatin e tyre?

Apo do të përjetojmë si këtë javë, kur falë propagandës së shfrenuar u pa qartë se ndeshja më e rëndësishme e Republikës së Shqipërisë ishte ndeshja Milan– Inter e Republikës së Italisë.

Veçori e vendeve të mbrapambetura e të varfra në mendim e kulturë kombëtare. Do ta ftoja gazetarinë shqiptare të na gjejë një shtet tjetër që “përvetëson” kësisoj deri në një ndjenjë inferioriteti të paparë ndeshjen e Kampionatit Kombëtar të një shteti tjetër. Madje, duke dalë shpesh mbi Kampionatin e Shqipërisë.

Dijeni mirë, Shqipëria është i vetmi vend në Europë që në emisionin kryesor të lajmeve të ditës në televizion, jep njoftimin mbi ndeshjen më të parëndësishme të Kampionatit Italian. Fantastike edhe për historinë botërore të informimit!…

Ndërkaq, Vllaznia– Skënderbeu 1-0! Ky ishte kryerezultati. 1-0 Skënderbeut europian prej një Vllaznie më pak lokale se kurrë.

Në një stadium të saj të dytë thuajse të improvizuar, me një tribunë që të kujton tribunat e fushave të zbehta të Mbasluftës, me një grup të vogël shikuesish besnikë dhe ndoshta me një Shkodër të tanë “indiferente” edhe ajo. E, pra, fitorja ishte “e madhe”.

“E madhe” për një Vllazni më të vogël se kurrë, në rënie, por që krejt papritmas shfaqet nën forcën e një protagonisti: trajneri Armando Cungu i sapoardhur.

Ky është njeriu, i cili me KF Kukësin përshkoi katër ture të Kupës së Europës dhe i cili, me sa duket, të shtunën që shkoi, ia diti ta shqiptarizojë deri në humbje europianizimin e çmuar të Skënderbeut të Korçës. Ndërkaq, ky pranoi humbjen dhe u barazua me Partizanin, teksa tash i duhet të mendojë diçka tjetër. I janë larguar dy shtylla të fuqishme të ngrehinës së tij europiane: Berisha dhe Olainka.

Nuk i ka zëvendësuar e nuk di a do t’i zëvendësojë. Ndërkohë që nuk e pati ende në formën e tij as kryeshënuesin Salihi.

Dhe 1-0 p ë r skuadrën e Shkodrës, e cila, për herë të parë në 19 javë të tana, e sheh veten në vendin e 7-të.

Asnjëherë nuk qe më lart se vendi i 8-të. Kështu ka shkuar puna: që Vllaznia e Shkodrës – Qytetit të Futbollit – të kërkojë ta shndërrojë në festë një të diel që e ngjit në vendin e shtatë! Ajo zhvilloi një 45-minutësh të pjesës së dytë shembullor.

Episodi qe për kujtesë historike. Vllaznia tundi rrjetën e Shehit me një gol në jashtë loje dhe, mbas pak sekondash, përsëritja qe për antologjinë e futbollit. Interpretimi i parë i pagabueshëm fillon me aksionin dhe kalimin e Shtubinës për tek i riu Kalaja dhe mandej goli i vërtetë me autor këtë 19- vjeçar.

Mandej një Vllazni e tanë që mbron me futboll të vërtetë fitoren. Dhe ishin katër 18-19-20-vjeçarë të rritur prej farishtes së saj: Krymi, Çinari, Kalaja, Pjeshka. Shto këtu 22-vjeçarët Marku e Bardulla dhe vetvetiu kjo rini ishte po aq një bukuri e përtejme e fitores së çmueshme, “e qetësuar” edhe prej një debutuesi 33- vjeçar të një përvoje të madhe:

Endri Vrapi–Kampion me KS Elbasanin dhe Skënderbeun. Vllaznia rinore është e vetmja që sapo ka “blerë” një 33-vjeçar! Dhe është e vetmja që në gjithë të ashtuquajturin “merkato e janarit”, me sa u pa ka blerë vetëm tre njerëz: trajnerin Cungu, Vrapin dhe Tafilin e saj!

K ë s h t u , Vllaznia ishte skuadra që p a r a q i t i vetëm dy lojtarë “të rinj” përftuar prej tregut të janarit. Të dy vendës (shqiptarë) të mirëfilltë, kur “Panorama Sport” ka njoftuar se s k u a d r a t kanë rrëmbyer plot 155 lojtarë “të rinj”.

Por që në javën 19 në fushë u panë vetëm 34. Kushedi kë do të shohim në javët që vijnë. Flamurtari nxori 6 “të rinj”, Kukësi e Bylisi nga 5! Ndryshime, paqëndrueshmëri dhe madje mosharmoni taktiko– teknike të skuadrave mbrenda një kampionati të vetëm 8 muajve! Dhe, o burra treg, shitje, blerje e nxitur pa asnjë kriter prej vetë Federatës Shqiptare të Futbollit! Goditje e pamëshirshme kundër afrimit të elementit të ri që formon vetë klubi.

Themi pa mëdyshje: do t’i shërbente më shumë qëndrueshmërisë po të mos kishte ndryshime kësisoj “tregtare” pa fort sens në janarin “josportiv” të Shqipërisë. Dhe “colpo di scena”! Në çastin e fundit, Skënderbeu rrëmben James-in e KF Laçit, i cili luajti të dielën kundër Partizanit.

A do të luajë me Skënderbeun dy ndeshjet e ardhshme kundër Partizanit? Sepse deri tani ai ka luajtur tri herë kundër Partizanit. E, nëse do të ndodhë kjo, atëherë do të ndodhë që James të luajë pesë herë kundër Partizanit, nga 4 ndeshje të mundshme.

Po të ndodhë kjo, Federatës Shqiptare të Futbollit i takon gjyqi i FIFA-s… Po të ndodhë kjo, Kampionati i Shqipërisë fikson “trukimin” më fantastik në historinë e futbollit botëror.

…Por le ta mbyllim me një “happy end” që është rezultati i “ R e s h i t Rusi”-t që b a s h k o i Skënderbeun me Partizanin në krye, nga 43 pikë secili dhe me plot 11 pikë larg prej më të afërtit që është Sportklub Tirana. Fitorja 3-1 në Pukë e rekordmenes së titujve siç është skuadra kryeqytetase së cilës po i bëhen plot 7 vjet pa fituar asnjë titull, qysh më 2009, pështjelloi paksa garën për vendin e tretë që thuhet përditë se të çon në Europë. Duke u mënjanuar kësisoj Teuta, ajo e cila në 8 javë ka qenë e treta.

Ndërkaq, ngjitet edhe KF Kukësi i trajnerit të ri Klodian Duro. Kënaqësi e veçantë që ky protagonist i disa viteve të Kombëtares nis këtë profesion të bukur të trajnerit, çka qysh në ditët e para ia kupton, ia ndjen sa modestinë, po aq maturinë dhe kompetencën.

E Cungu andej, Duro këndej, Magani pak më tej, Daja po aty, Nica i rikthyer, kur Josa dihet se cili është. Dhe papritmas Andrea Agostineli – një befasi e vërtetë, klasi i lartë i profesionalizmit të trajningut italian. Madje, deri një ish-trajner i Napolit me të cilin kanë luajtur Lushta, Kryeziu e sot Hysaj.

Një profesionist tjetër italian mbas atyre të Kombëtares, i cili vjen të bëhet Kampion i Shqipërisë, mbasi italiani tjetër De Biazi u bë kampion i historisë shqiptare të futbollit europian të Kombëtares. Natyrisht nëse ia jep lejen Skënderbeu i Korçës…

E pak mandej, me Bylisin shfaqet një boshnjak pak i njohur, Adnan Z i d o v i ç , ndërsa me Flamurtarin, një shqiptar i cili ka luajtur me Kombëtaren e Maqedonisë, Zekirja Ramadani. Për ta mbyllur këtë rreshtim të rrufeshëm me trajnerin e T ë r b u n i t , Viktor Gjoni, skuadra e të cilit këtë javë mori ndoshta paralajmërimin e parë serioz për rënie.

E pra, cila është figura e trajnerit të skuadrave të kampionatit të Shqipërisë? Ia vlen t’i përkrahësh, t’i mirëtrajtosh, t’i paguash po e po, në mënyrë që, më shumë se në ekranet e rubrikave televizive, t’i shohim duke stërvitur. Nuk kemi pa të botuar diku një listë të detajuar të trajnerëve profesionistë shqiptarë, çka do të na bënte të mendojmë disi më thellë për ta…

Gabimisht ndoshta ashtu siç e shohim Kampionatin me indiferencë, po kështu rrezikojmë ta shohim edhe këtë brez të ri të trajnerëve shqiptarë, të cilët, edhe pse diçka duan të bëjnë, çuditërisht më duken disi të ndrojtur. Sidomos kur drejtojnë skuadrat dhe që papritmas kur shndërrohen në “analistë” televizivë, në çast iu ikën ndrojtja!?

Ndonëse shkarkimet e tyre në 18 javë nuk janë të shumta: “vetëm” 17 shkarkime në një Kampionat me vetëm 10 skuadra.

Është rekordi europian i stinës. Nuk i lënë të punojnë trajnerët në Shqipëri!… Kampionati Kombëtar i Shqipërisë nuk është fort tërheqës. Nuk ka shumë nivel. Nuk është shpërthyes. Pak afirmon lojtarët e rinj. Nuk ka kthesa të rrufeshme.

Nuk ka duele të ashpër. Ndoshta Skënderbeu–Partizani ka paksa një shpirt më tepër, disi larg prej skuadrës së Tiranës dhe të Kukësit për të ngjallur një forcë globale. Për fat, me dy fitoret e tyre, të çmueshme, Vllaznia e Flamurtari, të cilët assesi nuk duan të zbresin, teksa “papritmas” për herë të parë u veçuan prej Bylisit dhe Tërbunit, mund të luajnë role të dorës së parë edhe ndaj kryesuesve. Kampionati rifilloi me indiferencë, vërtet. Pra me “ftoftësi” dhe “papërfillje”.

Të mos nxitohemi megjithatë. Ndoshta pranvera që po mbërrin, me ditët e saj optimiste të Kombëtares së Shqipërisë, mund të lëshojë me rrezet e saj freskinë diellore të ndritshme edhe mbi Kampionatin e Shqipërisë. Për fat, deri tash, jo.

E pra, kur vende me futboll modest si Shqipëria arrijnë suksese të mëdha me Kombëtaren e tyre, kjo i jep një nxitje dhe hov futbollit të brendshëm kombëtar.

Me Shqipërinë kjo nuk po ndodh. Ndoshta edhe ngaqë Kombëtarja e saj përbëhet kryesisht prej lojtarëve me kombësi shqiptare, të cilët nuk kanë dalë prej farishtes së futbollit të Shqipërisë. Kësisoj ka një mospërputhje që po habit Europën! Le të shpresojmë…

Ndërkaq, unë për vete nuk heqë dorë prej idesë për një Kampionat me 16 skuadra, Për t’u çliruar nga ankthet artificiale, për të mos rrezikuar qytetet tradicionalë me rënie, për të eksperimentuar pa frikë elmentin e ri, për ta shndërruar në diçka tjetër Kampionatin e Shqipërisë, të cilit i përmendim përditë vetëm tri “afeksione”: kush fiton titullin, kush shkon në Europë, kush bie.

Pak, shumë pak! Kemi harruar të pyesim si është shëndeti i klubeve të futbollit. Kemi harruar pra, të pyesim më të rëndësishmen: çfarë futbolli luhet në tokën shqiptare? Ndoshta edhe mû për këte Kampionati rifilloi në “indifferencë”. Ose me “ftoftësi” apo “papërfillje”. Thuaje si të duash…

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"