EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i Canës: Pas Europianit e mbyll me Kombëtaren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2016 | 12:15

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i Canës: Pas Europianit e mbyll me Kombëtaren

Kapiteni i Kombëtares është ai që i ka udhëhequr kuqezinjtë në fushë përgjatë të gjithë rrugëtimit për në “Euro 2016”, mirëpo nuk mundohet aspak që të fshehë gabimin që ka bërë në momentin e pësimit të golit të dytë nga Austria me këshillën për Mavrajn.Cana-Nante Lorik Cana, në një intervistë për “Panorama Sport” nga Luksemburgu, rrëfen problemet në aeroportin e Vjenës, por edhe mësimet që ka nxjerrë ai dhe e gjithë skuadra nga përballja me Austrinë.

Ai e pranon se mungesa e grumbullimeve ka ndikuar në performancën e kuqezinjve në atë përballje, ashtu siç është i bindur që De Biazi është shumë i qartë për zgjedhjet e tij dhe se ka nevojë që të testojë gjendjen fizike të të gjithë lojtarëve që ka në dispozicion.

Gjatë fjalës së tij e ka përmendur disa herë të ardhmen e sigurt të Kombëtares me gjeneratën e re, ndërkohë që ka lënë të kuptohet më shumë se kurrë se pas Francës do ta mbyllë me Shqipërinë. “Fokusi ynë është te sfida e parë me Zvicrën.

Çdo ndeshje dhe grumbullim është në funksion të saj që të përgatitemi dhe të jemi sa më gati për të. Unë kam pasur nderin që të jem kapiten i këtij brezi dhe të jap sa më shumë nga përvoja ime për lojtarë si Ajeti apo Gjimshiti që do të jenë e ardhmja e Kombëtares. Pas Europianit do të marr disa ditë pushime përpara se të ndërmarr një vendim të konsultuar edhe me familjen time se çfarë do të bëj”.

Me këto që sapo thatë, latë të nënkuptonit që vendimi juaj është tashmë i marrë…

(Qesh). – Epo këto janë fjalët.

A patët probleme sot (dje) se ato të së dielës janë të kaluara tashmë…

Eh, më në fund mbërritëm në Luksemburg.

Çfarë ndodhi në aeroportin e Vjenës?

Patëm probleme me kompaninë që na mbylli “checkin”-in kur ishim duke proceduar. Ekipi vendosi që të niseshim të gjithë bashkë, edhe sikur të ishte për të pritur disa orë. Na kushtoi shumë humbje kohe, sepse qëndruam rreth katër orë në aeroport dhe, më pas, u munduam që ta zgjidhnim ndryshe. U kthyem në hotel dhe zhvilluan stërvitje sot (dje) paradite në Vjenë.

Është mbase rast unik…

Të them të drejtën, kam 13 vite me Kombëtaren dhe është hera e parë që më ndodh diçka e tillë.

Që humbisni avionin, apo…

Jo, që na bllokojnë në atë mënyrë në aeroport. Pasi veprimet i kemi bërë gjithmonë disa orë përpara, por këtë herë, edhe pse ishim në limitin e kohës, duke qenë grup dhe sidomos ekip kombëtar, edhe pse kalon pak koha e procedurës, veprimet duhet të përfundojnë dhe nuk mund të mbyllen në gjysmë.

Në Luksemburg, Kombëtarja rikthehet të luajë pasi u vulos “katastrofa” nën drejtimin e të ndjerit Kuzhe. Një përballje e tillë, mos e vendos më shumë në presion skuadrën sesa ajo me një kundërshtar si Austria?

Duke qenë se jemi në fazat e fundit të përgatitjeve, skuadra nuk ka asnjë lloj presioni në aspektin e rezultatit. Më shumë është shfrytë- zimi i këtyre dy miqësoreve dhe ditëve që jemi bashkë, ashtu si edhe ato dy javë grumbullim përpara Europianit, për t’u përgatitur në mënyrë sa më të mirë. Kemi ardhur pas katër muajve mosgrumbullim, ndaj këto dy ndeshje duhen shfrytëzuar në një mënyrë sa më të mirë të mundshme. E para ishte me një kundërshtar të një niveli shumë cilësor si Austria, e cila me shumë meritë ka bërë nëntë fitore dhe një barazim në ndeshjet kualifikuese në grupe.

Si ishte përballja me Austrinë?

Një takim ku Shqipëria ishte me dy fytyra. Austria na gjeti në vështirësi që në fillim dhe në pjesën e dytë bëmë shumë mirë. Ndeshja e nesërme (sot) duhet shfrytëzuar edhe për t’u dhënë mundësi dhe minuta të gjithë lojtarëve. Gjithashtu do të luajmë me një tjetër tip kundërshtari, i cili do t’i mbyllë më shumë zonat prapa dhe duhet të jemi ne ata që kërkojmë golin.

Si është ekipi përpara kësaj ndeshjeje, duke qenë se pas Austrisë pati jo pak kritika. Sidomos për ato minuta të para…

Kritikat apo komentet si negative dhe pozitive janë normale. Sidomos për një ekip që është kualifikuar për në Europian dhe pritshmëria është e madhe. Normalisht që kur një ekip që e ka arritur këtë duke treguar nivel të mirë loje e pjekuri, kur pëson dy gola në minutat e para, shkakton kritika. Më shumë mbi këto duhet vlerësuar moshumbja e organizimit, moshumbja e vetëvlerësimit të lojtarëve dhe e vetëbesimit të skuadrës. Gjithashtu gjë e mirë ishte që ne e kthyem lojën, pavarësisht rezultatit. Tjetër mësim ishte fakti që kuptuam si duhet të sillemi përballë një kundërshtari që na vendos në presion që nga minuta e parë dhe që të vazhdojmë të jemi në lojë, pa rrezikuar që të pësojmë më tej. Gjykoj që ishte një ndeshje shumë e vlefshme, e cila do të na ndihmojë jashtëzakonisht shumë.

A kujtoni ndonjë ndeshje tjetër të Kombëtares me nisje kaq të keqe si ndaj Austrisë?

Ka pasur disa ndeshje kur ne kemi qenë në vështirësi. Me Kombëtaren kujtoj që ka pasur disa takime që kemi qenë në presion të jashtëzakonshëm që në fillim të lojës. Por, është e vërtetë që Austrisë nuk ditëm t’i gjenim përgjigjet. E kishim përgatitur lojën në një mënyrë dhe nuk ditëm që të përshtateshim direkt që në fillim të lojës, për të përballuar këtë presion që ta ndryshonim situatën, derisa t’i kalonte presioni Austrisë.

Pësimi i golave ishte në një mënyrë të tillë që nuk ishte parë ndonjëherë për ne…

Golat ishin si pasojë e mosorganizimit të ekipit në rreshtim, i referohem golit të parë. Edhe në golin e dytë ishte një moskuptim. Unë nuk e kisha parë lojtarin e krahut që vinte nga pas dhe i thashë Mërgimit që ishte vetëm dhe ta linte topin të kalonte. Ajo ishte më shumë një mosmarrëveshje dhe gabim personal sesa një gabim ekipi. Por, këto na çuan në disavantazh të dy golave dhe nuk ishte e lehtë që të vazhdonim. Gjithsesi, ekipi reagoi shumë mirë.

Kaq shumë ka ndryshuar Shqipëria nga ndeshjet kualifikuese, apo ato gola erdhën thjesht nga një lloj “përgjumjeje”?

Siç e thashë, ishte një ndeshje përballë një kundërshtari që e kishte studiuar shumë mirë lojën e Shqipërisë dhe kishte vendosur që të na bënte shumë presion në prapavijë e në mesfushë, duke mos na lënë aspak kohë për t’u menduar dhe të përshtateshim kundër lojtarëve shumë cilësorë dhe me mënyrën e tyre të lojës, që e gjenin veten gjithmonë të lirë dhe pa presion direkt. Çdo ndeshje, sidomos këto të niveleve të larta, janë shumë të mira, janë fantastike për t’u përgatitur dhe për të qenë sa më gati. Pikërisht këto bëhen për të parë ato gjëra që ne duhet të përmirësohemi që të punojmë deri kur të vijë dita e parë e Europianit.

Cana e Mavraj kanë qenë një dyshe solide në qendër të mbrojtjes. Mos ndoshta Austria nxori në pah që ka vend për përmirësime dhe ndryshime në këtë dyshe?

Edhe dyshja Ferdinand-Vidiç ka pasur gjithmonë vend për përmirësime dhe nuk është Cana-Mavraj që s’kanë nevojë për diçka të tillë. Gjithsesi, kemi një marrëdhënie të jashtëzakonshme, qoftë me Mërgimin, apo edhe me Gjimshitin ose Ajetin. Me Mërgimin kemi më shumë kohë që luajmë bashkë, ama kur shohim këta djem të rinj që janë pas nesh është fantastike. Kjo tregon që kemi të ardhme të garantuar. Ne kemi dëshmuar në shumë raste edhe në të shkuarën që forca jonë ka qenë dhe është pika mbrojtëse. Kjo gjë është e padiskutueshme. Kishte një vit pa luajtur me Mërgimin dhe kjo ndeshje u desh që të shfrytëzohet edhe pikërisht për të rigjetur automatizmat dhe refleksin: jo vetëm për ne si dyshe, por si repart edhe me lojtarët e tjerë që të jemi sa më gati. Austria ishte një kundërshtar që na vuri në vështirësi dhe na shkaktoi disa probleme, që askush tjetër nuk e kishte bërë. Një përballje e tillë na bën që të rritemi, edhe të përmirësohemi dhe, mbi të gjitha, të mësohemi edhe me një ritëm të tillë loje, sidomos në repartin tonë që Shqipëria e ka si pikë të fortë.

Për t’u rikthyer te ndeshja e sotme. Përmendët që Shqipëria duhet të sulmojë dhe gjithashtu që është ndeshje që duhet të ketë minuta për të gjithë. Atëherë sa të vlefshme do të jenë përgjigjet në këtë miqësore, nëse ndryshon formacioni bazë?

Shqipëria nuk është në momentin që të provojë dhe të kërkojë të gjejë veten, pasi ajo e njeh veten dhe forcën e saj. Trajneri i njeh shumë mirë lojtarët që ka në dispozicion dhe ai e kishte të qartë që në fillim të grumbullimit se një pjesë e madhe e lojtarëve do të luanin në ndeshjen e parë dhe pjesa tjetër në të dytën. E kam fjalën për disa elemente të veçantë. Trajneri nuk ka nevojë për eksperimente, por më shumë ka nevojë që të dijë se çfarë gjendje fizike kanë lojtarët apo për t’i aktivizuar për disa minuta bashkë e për t’u dhënë mundësinë që të jenë bashkë edhe në fushë, përveçse në grumbullim. Shumica prej nesh jemi prej tre-katër vitesh bashkë dhe nuk ka nevojë që trajneri të na shohë, pasi ne e njohim mjaft mirë njëri-tjetrin.

Ka një diskutim rreth të ardhmes suaj, sa i përket Kombëtares pas Europianit. Do të vijoni të jeni pjesë e Kombëtares edhe pas “Francë 2016”?

Jua përmenda edhe më lart. Fokusi ynë është te sfida e parë me Zvicrën. Çdo ndeshje dhe grumbullim është në funksion të saj që të përgatitemi e të jemi sa më gati për të. Unë kam pasur nderin që të jem kapiten i këtij brezi dhe të jap sa më shumë nga përvoja ime për lojtarë si Ajeti apo Gjimshiti që do të jenë e ardhmja e Kombëtares. Pas Europianit, do të marr disa ditë pushime përpara se të ndërmarr një vendim të konsultuar edhe me familjen time se çfarë do të bëj.

Me këto që sapo thatë, latë shumë të nënkuptonit që vendimi juaj është tashmë i marrë…

(Qesh) Epo këto janë fjalët. Jua thashë, e rëndësishme është që të bëjmë një paraqitje sa më të mirë në një Europian që do të jetë fantastik për të gjithë shqiptarët dhe, më pas, që e ardhmja e saj është e garantuar.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"